Figura të larta politike të përfshira në vrasjen e Oliver Ivanoviqit - ja çfarë thonë dëshmitarët

Lajme

Figura të larta politike të përfshira në vrasjen e Oliver Ivanoviqit - ja çfarë thonë dëshmitarët

Më: 22 shkurt 2022 Në ora: 15:41
Oliver Ivanoviq

Me gjysmë ore vonesë ka vazhduar sot seanca e radhës gjyqësore për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ku janë dëgjuar dëshmitarë të tjerë.

Në këtë seancë, si në seancat e kaluara, mediat janë lejuar vetëm të marrin pamje në 15 minutat e para, derisa dëshmia nuk është lejuar të publikohet e plotë.

Kjo sipas autoriteteve, që të mos ndikohen dëshmitarët e tjerë.

Avokati Tomë Gashi, i cili përfaqëson Rade Basara, i akuzuar për rastin e vrasjes së ish-politikanit serb Oliver Ivanoviq, tha se dëshmitarët po i ndërrojnë deklaratat e tyre. Ndonëse thotë se dëshmitarja e sotme kishte implikuar Milan Radojçiqin në vrasjen e Ivanoviqit, Gashi thotë se në këtë seancë dëshmitarja e ka zbutur deklaratën e saj që e ka dhënë më herët.

“Ne faktikisht tani dëgjuam njërin prej dëshmitarëve në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe besoj që kjo dëshmitare të cilës fatkeqësisht i është vrarë edhe djali i saj shumë vite më herët nuk ka qenë në gjendje të thotë konkretisht se çfarë njohurish ka për vrasjen e politikanit serb Ivanoviq. Ajo ka deklaruar se ka pasur dyshime të implikimit të Millan Rajdoqiqit si një prej bërësve të krimit në veriun e Kosovës, mirëpo edhe këtë në ditën e sotme jo që e ka mohuar, por thjesht e ka zbutur deklaratën e saj që e ka dhënë më herët”.

“Ndërsa implikimin e klientit tim, por edhe të policëve të tjerë të Kosovës që sipas saj nuk e kanë kryer detyrat e tyre mirë në rastin e ndriçimit të vrasjes së djalit të saj, ajo ka paraqitur në Inspektoratin e Kosovës dhe e ka marrë një përgjigje negative se me asgjë nuk është provuar që ata nuk e kanë kryer punën e vet. Ndërsa në pyetjen time konkrete ajo ka deklaruar se kurrë nuk është ankuar në Prokurorinë e Shtetit Republikës së Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit është ajo e cila faktikisht i kontrollon hetimet që kryen nga Policët e Republikës së Kosovës”.

Ndërkaq Musa Damati, avokat i Silvana Arsoviq në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, ka thënë se dëshmitarët po implikojnë figura të larta politike, të biznesit dhe të mafias, shkruan eo.

“Ka vazhduar procesi gjyqësor në rastin voluminoz të politikanit serb Ivanoviq, është një proces i gjatë në të cilën po dëgjohen shumë dëshmitarë të cilët po apostrofojnë dhe po implikojnë sipas dëshmitarëve figura të larta politike, figura të larta të botës së biznesit dhe të mafias”.

“Kemi dëgjuar dëshminë e dy dëshmitarëve sot pranë departamentit special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe janë duke dalë detaje të rëndësishme të cilat trupi gjykues nuk i ka ditur më parë, kjo duke u bazuar në dëshmitarët të cilët po i fton dhe po i merr në pyetje Prokuroria Speciale e Kosovës”, ka thënë Damati.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat