Vdes Haki Rugova, vuante nga kanceri, ndërroi jetë në Austri

Lajme

Vdes Haki Rugova, vuante nga kanceri, ndërroi jetë në Austri

Nga: G.B Më: 9 mars 2022 Në ora: 10:28
Haki Rugova

Ish-kryetari i Istogut, Haki Rugova ka ndërruar jetë në moshën 65 vjeçare.

Rugova ka vdekur në një nga spitalet e Austrisë, ku kishte disa javë që po qëndronte, ku më pas i ishte keqësuar gjendja shëndetësore.

Rugova vuante që një kohë nga kanceri në fyt, ndërsa tre ditë para vdekjes kishte rënë në koma.

Haki Rugova udhëhoqi komunën e Istogut dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës në Istog për dhjetë vite me radhë.

Rugova ishte kryetar i degës së LDK-së në Istog, ndërsa për shumë vite ka qenë edhe nënkryetar i LDK-së në nivel qendror.

Rugova ishte aktualisht kryetar i degës së LDK-së në Istog, ndërsa për shumë vite ka qenë edhe nënkryetar i LDK-së në nivel të përgjithshëm.

Bota sot i shpreh ngushëllime familjes Rugova.

Ngushëllime për vdekjen e tij ka shprehur edhe deputeti i LDK-së, Besian Mustafa.

"Ngushëllime familjes Rugova, qytetarëve të Istogut, strukturave dhe përkrahësve të LDK-së dhe gjithë qytetarëve të vendit", ka shkruar ai në Facebook.

Ngushëllime ka shprehur edhe LDK.

Me rastin e ndarjes nga jeta të ish-nënkryetarit të LDK-së, njëherësh edhe ish-kryetarit të komunës së Istogut, z. Haki Rugova, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dërgon këtë telegram ngushëllimi:

“E nderuara familje Rugova,

Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-nënkryetarit të LDK-së, ish-kryetarit të komunës së Istogut e të më të dashurit tuaj, Haki Rugova.

Haki Rugova ishte një personalitet dhe veprimtar i dalluar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke dhënë shembullin e përkushtimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Kosovës. Ai gjatë gjithë jetës u angazhua pandalshëm në proceset e vështira nëpër të cilat kaloi Kosova. Për më shumë se tre dekada qëndroi i palëkundur në veprimtarinë e tij atdhetare e politike dhe do të mbetet model i njeriut të urtë e punëtor, i afërt dhe bashkëpunues.

Haki Rugova u nda fizikisht nga ne, por vepra e tij do të kujtohet përjetësisht. Ndarja nga jeta e tij lë një zbrastirë të madhe jo vetëm për familjen, po edhe për gjithë qytetarët e Istogut dhe gjithë Kosovës, ndërsa LDK-ja humbi veprimtarin e madh të saj.

Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës u shpreh ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve, qytetarëve të Istogut dhe të Kosovës.

Shpirtërisht dhe në lutje jemi me Ju në këto çaste pikëllimi! Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”

Po ashtu, i prekur ka reaguar edhe kryetari i Istogut, Ilir Ferati.

"Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e Kryetarit Haki Rugova. Mik i familjes e bashkëudhëtar për shumë kohë i babait tim, Haki Rugova udhëhoqi komunën e Istogut dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës në Istog për dhjetë vite me radhë. Kryetari Rugova na la sot për të mbetur në historinë moderne të Istogut e Kosovës si punëtor i madh e një nga kontribuesit më të mëdhenj në rrugëtimin tonë për liri, pavarësi e demokraci. Udhëtimi i tij politik në shërbim të vendit, i palëkundur nga vizioni i Presidentit, është udhërrëfyes për gjeneratat e reja.

Në emër të Komunës së Istogut dhe në emrin tim e familjes time, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Rugova, miqëve e bashkëpunëtorëve, qytetarëve të Istogut, strukturave dhe përkrahësve të LDK-së dhe të gjithë qytetarëve të Republikës.

Sot të gjithë bashkë lutemi për Ju dhe familjen Tuaj, Baci Haki! I përjetshëm qoftë kujtimi për Ju, Kryetar!"

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat