Kancelari austriak do të vijë për vizitë në Kosovë, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë

Lajme

Kancelari austriak do të vijë për vizitë në Kosovë, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë

Më: 16 mars 2022 Në ora: 12:48
Karl Nehammer

Kancelari austriak, Karl Nehammer, të enjten do të fillojë një vizitë dyditore në Ballkanin Perëndimor. Ndalesa e parë e tij do të jetë në Serbi për të vazhduar në Bosnje e Hercegovinë dhe më pas në Kosovë.

Qëllimi vizitës së Nehammer është të forcojë perspektivën europiane për këto vende pas kontekstit që krijoi agresioni rus në Ukrainë dhe shqetësimeve të rritura për tensione të reja në këtë rajon dhe sidomos në Bosnje e Hercegovinë.

“Ne nuk duhet ta lëmë këtë rajon të afërt dhe i cili është kaq i rëndësishëm për Europën, ndaj aktorëve të tjerë si Rusia dhe nuk do të lejojmë që rajoni të destabilizohet”, citohet të ketë thënë kancelaria federale para udhëtimit të tij, shkruan Kurier.

“Ne kemi një interes të veçantë për stabilitetin dhe zhvillimin e mirë ekonomik në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Nehammer.

Pasditen e së premtes, Nehammer do të takohet me shefin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani. Gjithashtu, kancelari austriak do të vizitojë edhe ushtarët austriakë të KFOR-it në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat