Alarmohet Vuçiq: Presione të ashpra për çështjen e Kosovës, kemi probleme të mëdha

Lajme

Alarmohet Vuçiq: Presione të ashpra për çështjen e Kosovës, kemi probleme të mëdha

Më: 18 maj 2022 Në ora: 16:07
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot se shteti i tij ndodhet në një situatë problematike për shkak të ngjarjeve rreth Kosovës dhe se për shkak të rritjes së presioneve është takuar me krerët e Kishës Ortodokse Serbe për të dëgjuar mendimin e tyre.

“Do të jetë gjithnjë e më e vështirë të ruajmë interesat tona, sepse presionet do të jenë më të ashpra. Që nga dita kur Presidenti i Rusisë tregoi se në çfarë e bazon inkursionin e tij në Ukrainë në kuptimin formal-juridik dhe politik, që nga ai moment, të gjitha fuqitë perëndimore kanë punuar për zgjidhjen e shpejtë të problemit të Kosovës”, tha Vuçiq pas takimit me Patriarkun Porfirije dhe ipeshkvijtë e Kishës Ortodokse Serbe, shkruan Nova.rs.

“Sigurisht, rusët i kanë gjetur gabimet e tyre nga e kaluara dhe i përdorin ato për nevojat e tyre, është sjellje logjike, por për ne është vetëm një barrë dhe mundim shtesë”, theksoi Vuçiq.

Ai përkujtoi se Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Rusisë dhe theksoi se për këtë fakt ndodhet nën presion të madh.

“Kjo po na krijon probleme, të cilat nuk janë të vogla dhe do të jenë edhe më të mëdha. Prandaj duhet të dëgjojmë pikëpamjet tuaja,” shtoi Vuçiq, duke iu drejtuar patriarkut dhe kryepeshkopëve të Kishës Ortodokse Serbe.

Ai theksoi se në bashkëbisedimin me ta, përfaqësuesit e pushtetit mësojnë shumë dhe fitojnë gjithmonë ide të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat