“Armend Tours” që u aksidentua dje në Austri, muaj më parë u gjobit për mosrespektim të orarit

Lajme

“Armend Tours” që u aksidentua dje në Austri, muaj më parë u gjobit për mosrespektim të orarit

Më: 20 maj 2022 Në ora: 20:49
Pamje nga vendi i ngjarjes

Tetë persona kanë marrë ndihmë mjekësore në Salsburg të Austrisë, dje pas aksidentimit të një autobusi me targa të Kosovës.

Në orën 03:00 të së enjtes, një autobus me targa të Kosovës i kompanisë “Armend Tours”, u aksidentua në një autostradë pranë Eugendorfit në Austri.

Media ka pyetur në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës lidhur me licencën e kësaj kompanie.

Nga ky dikaster qeveritar kanë thënë se “Armend Tours” nga Gjakova ka licencë valide për transport të udhëtarëve deri më 20 maj të vitit 2024.

Por, ky institucion ka treguar se dy muaj më parë kjo kompani ishte gjobitur për mosrespektim të orarit të udhëtimit.

“I njëjti posedon leje valide për operim në transport ndërkombëtar në linjën Gjakovë (RKS)-Bremen (Gjermani) deri më datë 20.05.2024, një herë në ditë, me nisje nga Gjakova me këtë itinerar udhëtimi: Operatori në fjalë herën e fundit është inspektuar në pikë kalimin kufitar në Merdare më dt.26.03.2022, në ora 01:30 min, me ç’rast është ndëshkuar me gjobë mandatore për mosrespektim të orarit të udhëtimit”, kanë treguar nga kjo ministri.

Shkaqet e aksidentit, ende nuk janë bërë të njohura as për ministrinë.

“Për këtë sigurisht do ta dimë pasi organet kompetente të Austrisë do të dalin me versionin zyrtar të rastit”, kanë thënë nga kjo ministri.

Gjithashtu, nga MMPHI kanë thënë se inspektorët e transportit rrugor, sipas planeve operative brenda kapaciteteve inspektuese me personel dhe në harmoni me Ligjin për Transport rrugor, në vazhdimësi po e mbikëqyrin rregullsinë e operimit të operatorëve të transportit.

Ata kanë paralajmëruar se gjatë sezonit veror, inspektimet do të fokusohen te transporti i lirë.

“Operatorët e transportit rrugor ndëshkohen nga inspektorët e Ministrisë dhe Policia e Kosovës, varësisht nga shkelja e konstatuar dhe në harmoni të plotë me legjislacionin që e rregullon fushën e transportit rrugor”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

Ministria, po ashtu, është përgjigjur edhe në pyetjen se nga sa shoferë duhet t’i kenë kompanitë në një udhëtim ndërkombëtar.

“Sa duhet të jetë numri i shoferëve në një kompani transportuese këtë e përcaktojnë rregullat e kohës së ngasjes dhe pushimit (TAHOGRAFI) dhe kompanitë angazhojnë shoferë varësisht prej relacionit për ku ata udhëtojnë. Automjetet e rënda, në këtë rast edhe autobusët, sipas Ligjit për Automjete, përkatësisht neni 77 e përcakton se kontrolli periodik i automjeteve bëhet çdo gjashtë (6) muaj”, thuhet në përgjigjen e MMPHI-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat