Lufta në Ukrainë përçan në mënyrë të rrezikshme Ballkanin Perëndimor

Lajme

Lufta në Ukrainë përçan në mënyrë të rrezikshme Ballkanin Perëndimor

Më: 18 qershor 2022 Në ora: 06:45
Foto ilustrim

Nga Pierre Haski

“France Inter”

Lufta në Ukrainë shkaktoi një rritje të madhe të “temperaturës” në një zonë tjetër të Evropës, Ballkanin Perëndimor. Më 6 qershor Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ishte nisur për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Serbi, kur avioni i tij u detyrua të kthehej mbrapsht në Moskë.

Kjo sepse 3 shtete i refuzuan lejen e fluturimit në hapësirën e tyre ajrore: Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Çfarë kanë të përbashkët këto tre shtete? Ata janë pjesë e NATO-s dhe njëra prej tyre, Bullgaria, është gjithashtu pjesë e Bashkimit Evropian.

Siç mund të pritej Lavrov u zemërua shumë nga kjo gjë, e quajti “skandaloze” refuzimin për të fluturuar mbi këto vende, duke theksuar se “ka ndodhur e pamundura”. Ashpër ka reaguar edhe Serbia, që ka deklaruar se vendet që bllokuan udhëtimin e Lavrov “ëndërrojnë tamposhtin Rusinë”. “Serbia është krenare që nuk është e përfshirë në histerinë anti-ruse, dhe vendet që e çojnë përpara atë, do të kenë kohë që të turpërohen për këtë”- deklaroi një ministër serb.

Plagët e ish-Jugosllavisë

Incidenti diplomatik nuk do të mbetet pa pasoja. Ai do të rihapë plagët e vjetra dhe vijat ndarëse, që nuk u zhdukën asnjëherë edhe pas luftërave të lidhura me rënien e ish-Jugosllavisë në vitet 1990. Serbia ruan një kujtim të hidhur nga bombardimet ajrore të NATO-s (përfshirë kryeqytetin Beograd) gjatë luftës që çoi në pavarësinë e Kosovës në vitin 1999.

Afërsitë kulturore dhe fetare me Rusinë, e nxitën Serbinë të refuzonte ta dënonte pushtimin e Ukrainës, dhe pjesëmarrjen në sanksionet perëndimore kundër Rusisë. Sipas sondazheve, shumica e serbëve e mbështesin Rusinë në luftën që ka nisur në Ukrainë.

Hallka më e dobët në rajon mund të jetë Bosnje Hercegovina

Por njëkohësisht Serbia është kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiç po mban një qasje neutrale të paqartë, për të mos kompromentuar asgjë nga synimet e vendit që drejton. Por ky neutralitet relativ, do të testohet ashpër në javët në vijim.

Hija ruse rri pezull mbi rajonin e Ballkanit, një nga objektivat e preferuara të betejës së informacionit, të zhvilluar prej vitesh tashmë nga Rusia. Diplomacia e Moskës synon të pengojë lidhjet me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, dhe t’i mbajë këto vende në një “tokë gjeopolitike të askujt”, e cila është më e favorshme për interesat ruse.

Siç vuri në dukje analisti Silvan Zegni muajin e kaluar në një artikull në francezen Le Monde, “duke ndezur konfliktet territoriale, mbështetur politikat separatiste dhe duke minuar institucionet demokratike, Kremlini mund ta zhysë rajonin në kaos, edhe pa pasur nevojë tëdërgojë atje qoftë edhe një tank të vetëm“.

Hallka më e dobët në rajon mund të jetë Bosnje Hercegovina, skena e njërës prej luftërave më të përgjakshme të viteve 1990, aktualisht e ekspozuar ndaj rrezikut të fortë të një shkëputjeje të re nga ana  serbëve të Bosnjës. Evropianët po përpiqen që ta parandalojnë këtë lëvizje, pasi ajo do të rrezikonte rizgjimin e konflikteve të vjetra.

Megjithatë Rusia, mund të shfrytëzojë në maksimum nacionalizmin sllavo-ortodoks.Pikërisht në këtë kontekst paqëndrueshmërie, presidenti francez Emanuel Makron parashtroi muajin e kaluar propozimin e tij për krijimin e një “komunitet politik evropian”, për t’i ofruar një strukturë pritjeje vendeve të Ballkanit, por edhe për Ukrainës dhe vendeve fqinje me të, në pritje për të hapur portat e Bashkimit Evropian në një të ardhme më të largët.             

Propozimi u prit ftohtë. Por kjo ide apo nisma të tjera, do të jenë të domosdoshme për të stabilizuar një rajon të lënë pas dore për një kohë të gjatë. Vizita e sabotuar e Lavrov vetëm sa na e kujtoi emergjencën e këtij problemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat