3 vjet e mbajti në sirtar një vendim dhe nuk ua dërgoi kopjen palëve, KGJK i ul pagën për 4 muaj gjyqtares

Lajme

3 vjet e mbajti në sirtar një vendim dhe nuk ua dërgoi kopjen palëve, KGJK i ul pagën për 4 muaj gjyqtares

Më: 18 prill 2023 Në ora: 11:15
Foto ilustrim

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka marrë vendim për zvogëlimin e përkohshëm të pagës për 40% për katër muaj ndaj Afijete Sada-Gllogjani, gjyqtare në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni për Çështje Civile në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Me sanksionin disiplinor të shqiptuar nga KGJK, rezulton se gjyqtarja Sada Gllogjani është gjetur përgjegjës sepse për tri vite me radhë e kishte mbajtur në sirtar një vendim të Gjykatës së Apelit duke mos dërguar një kopje te pala paditëse përkundër obligimit ligjor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit të KGJK-së, të nxjerrë më 9 shkurt 2023, thuhet se vendimi në fjalë ka qenë një aktvendim i Gjykatës së Apelit i cili sipas dispozitave të Ligjit për Procedurën Kontestimore është dashur që kopja e aktvendimet të iu dërgohet palëve ndërgjygjëse.

KGJK gjatë kësaj kohe kishte pranuar edhe dy kërkesa për fillim të hetimeve nga Autoriteti Kompetent, lidhur me vonesat për dorëzimin e aktgjykimeve, e për të cilat pretendime KGJK kishte gjetur se ka pasur shkelje.

“Këshilli ka konstatuar se qëndron pretendimi i Autoritetit Kompetent për zvarritje të dorëzimit të aktgjykimit të palët për lëndën civile C.nr…./ 12, në të cilën shqyrtimi kryesor kishte përfunduar me 3 maj 2018, ndërsa aktgjykimi te palët është dorëzuar me datë 14 shkurt 2022. Po ashtu, për lëndën C.nr…./18, në bazë të provave është konstatuar se seanca e fundit ishte mbajtur me 12 janar 2021, ndërsa aktgjykimi për këtë çështje ishte përpiluar me 18 nëntor 2022. Në këtë drejtim, KGJK-ja ka konstatuar se edhe për lenden C.nr…/21, fjala përfundimtare për caktimin e masës se përkohshme është dhënë me datë 13 dhjetor 2021, ndërsa vendimi për këtë çështje ende nuk është përpiluar”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.

Lidhur me shqiptimin e sanksionit disiplinor, në vendimin e KGJK-së thuhet se zvogëlimi i pagës ka qenë në përputhje shkeljen e vërtetuar.

“Këshilli i shqyrtoj të gjitha rrethanat për shkeljen disiplinore të përfshirë nga ana e gjyqtares Afijete Sada Gllogjani dhe në përputhje me ligjin Ligjin Nr.06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtareve dhe Prokuroreve ka vlerësuar se masa adekuate është sanksionimi, vërejtje publike me shkrim dhe zvogëlim i përkohshëm i pagës për 40% për katër (4) muaj, për shkak se shkelja është kryer në vazhdim”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.

Tutje, sipas arsyetimit të këtij vendimi thuhet se meqenëse gjyqtarja Sada Gllogjani pensionohet me 21 korrik 2023, është pamundësuar shqyrtimi dhe vendosja e masave tjera, siç do të ishte masa e transferimit të përkohshëm apo të përhershëm në një gjykatë tjetër të nivelit me të ultë.

Sipas vendimit, masa e zvogëlimit të pagës në 40% për 4 muaj të ardhshëm ndërlidhet me periudhën në të cilën gjyqtarja do të jetë në funksionin e gjyqtares.

Paraprakisht, Këshilli kishte refuzuar marrëveshjen vullnetare për pranimin e fajësisë të arritur mes subjektit të hetimit, për shkak se sipas KGJK-së sanksioni disiplinor nuk ishte në proporcion me shkeljen e vërtetuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat