Sot përveç ndaj Kosovës, Petkoviq shpreh urrejtje edhe ndaj Von Cramon

Lajme

Sot përveç ndaj Kosovës, Petkoviq shpreh urrejtje edhe ndaj Von Cramon

Më: 20 prill 2023 Në ora: 14:01
Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, duke u përpjekur dëshpërimisht ta mbrojë shefin e tij i cili ka urdhëruar që Lista Serbe të mos merr pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komuna në veri të Kosovës, sot është marrë edhe me raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovën Viola von Cramon.

Ai ka thënë se “do të ishte më mirë që Viola von Cramon-it t’i vjen keq dhe të protestojë për faktin që Prishtina tashmë 10 vjet po refuzon të përmbushë obligimet e saj dhe të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilën është pajtuar në dialogun në Bruksel, sesa të sulmojë Listën Serbe për mospjesëmarrje në zgjedhje”.

“Është për keqardhje që Viola von Cramon nuk dëshiron të shohë se problemi është tek Albin Kurti, i cili dëshiron të jetë de facto kryetar i të gjitha komunave në veri të Kosovës me dy për qind të votës së shqiptarëve. Përveç kësaj, “lobistja e hapur” shqiptare në vend që të kritikojë fëmijën e saj nga Prishtina për mosrespektim të obligimeve të nënshkruara, ajo fajëson Beogradin zyrtar “pa asnjë provë” se ai qëndron pas vendimit të serbëve nga Kosova për bojkotimin e zgjedhjeve”, ka thënë Petkoviq në një kumtesë.

Kryenegociatori serb në dialogun Kosovë-Serbi, nuk u mjaftua me fyerje por ka shtuar se “përpara se të vazhdojë të “marrë rrogë” për sulmet ndaj Beogradit, von Cramon duhet të shikojë deklaratën e, siç e quan ai Listën Serbe të formuar nga Vuçiqi, “popullit serb nga Kosova” të datës 5 nëntor 2022, ku thuhet “se nuk ka kthim në institucionet derisa të mos formohet Asociacioni në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”.

“Prandaj, nëse i intereson aq shumë pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet në Kosovë, le ta detyrojë Prishtinën të formojë Asociacionin dhe të tërheqë njësitë e veta policore “ilegale” nga veriu, të cilët “nuk kanë çfarë të kërkojnë atje”! Nuk kam dëgjuar se zonja von Cramon e ka kritikuar Prishtinën që nuk e ka plotësuar tashmë 10 vjet obligimin e saj, apo obligimet ekzistojnë vetëm kur është në pyetje Beogradi, ndërsa Prishtinës gjithçka i falet?”, ka vazhduar Petkoviq.

Ai ka shtuar se “nëse është kështu, atëherë të mos na fyej inteligjencën duke e zëvendësuar tezën se serbët e Kosovës dhe Beogradi zyrtar janë përgjegjës për diçka”.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka vlerësuar se bojkotimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komuna në veri të Kosovës nga Lista Serbe është gabim i madh dhe ka shtuar se nuk pret që do të ketë tensione të mëdha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat