Jabllanoviq për “modelin kroat” që frymëzoi Kurtin: Kroacia ka shtypur sistematikisht minoritetet

Lajme

Jabllanoviq për “modelin kroat” që frymëzoi Kurtin: Kroacia ka shtypur sistematikisht minoritetet

Më: 3 maj 2023 Në ora: 16:04
Aleksandër Jabllanoviq

Mbrëmë, kryeministri i Kosovës e përmendi modelin e Kroacisë si frymëzim për hartimin e një “draft-vizioni” për Asociacionin që e kishte prezantuar para Serbisë dhe ndërmjetësuesve të BE-së. Çka mendon për këtë model politikani serb nga Kosova, Aleksandër Jabllanoviq?

Draft-vizionin që derivonte nga frymëzimi prej modelit kroat, Kurti e publikoi edhe në llogarinë e tij në Twitter.

Aty ishin dhjetë pika dhe një preambulë, ku përmendej letra e dërguar nga ish-kryediplomatja e BE-së, Federica Mogherini drejtuar ish-kryeministrit Isa Mustafa më 2015, një opinion i shkruar nga nënsekretari amerikan Derek Chollet dhe diplomati Gabriel Escobar si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen e 25 gushtit 2015 për Parimet e Përgjithshme të Asociacionit.

Por, frymëzimi ishte te modeli kroat.

Jabllanoviq në një deklaratë për Nacionalen nuk ka pasur fjalë të mira për trajtimin e minoriteteve etnike në Kroaci, duke u shprehur si vijon:

“Kroacia është një shtet ku minoritetet janë shkatërruar sistematikisht, janë dëbuar e janë detyruar që ta ndërrojnë religjionin e tyre përgjatë shumë dekadave. Serbët e dinë më së miri, se asnjë model nga Kroacia nuk mund të jetë subjekt diskutimesh për ne.” – tha  Jabllanoviq.

Megjithatë, Jabllanoviqi që kishte shërbyer edhe si ministër në Qeverinë Mustafa, konsideron që nuk mund të kërkohte as një Republika Srpska.

“Nuk do të ishte realiste që të prisnim një Republika Srpska të re në Ballkan, dhe ky s’është as qëllimi i serbëve nga Kosova, pasi jemi të vetëdijshëm se një koncept i tillë do të sillte tensione e konflikte të reja, dhe ky s’është interesi ynë, e as nuk besoj që është qëllimi ynë.” – vazhdoi tutje ai.

Sidoqoftë,  Jabllanoviq kërkoi që takimet e nivelit të lartë në lidhje me Asociacionin të vazhdonin edhe më intenzivisht.

“Mendoj që është momenti i mirë të dëgjojmë se çfarë propozimi konkret për Statutin dhe për statusin e ardhshëm të serbëve në Kosovë do të ofrohet nga BE-ja dhe ShBA-ja, meqë ata janë ndërmjetësuesit e këtij procesi, dhe kjo ndostha do të ndreqte qëndrimet e papajtueshme të Beogradit dhe Prishtinës,” – vazhdoi tutje Jabllanoviq në deklaratën e tij.

Sipas tij, serbët e Kosovës nuk ishin të përfshirë si duhet në këtë proces. Kujtojmë se ekipi menaxhues përbëhej nga katër serbë, nga katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, por kryesohej nga Danijela Vujiçiq që ishte pjesë e Kuvendit të Serbisë.

Jabllanoviq derisa kërkon “nivel të caktuar të autonomisë” për serbët e Kosovës, kërkon edhe përfshirje më serioze të serbëve të vendit në këtë procs.

“E shpreh sërish dhe e theksoj që serbët nuk janë të përfshirë në këtë proces në mënyrën e duhur dhe në shkallën e duhur, por janë veç dekor që nga nisja e negociatave në Bruksel!” - argumentoi tutje Jabllanoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat