Petkoviq nervozohet me Kurtin për zbulimin e emrave të organizatorëve të protestave të dhunshme në Veri

Lajme

Petkoviq nervozohet me Kurtin për zbulimin e emrave të organizatorëve të protestave të dhunshme në Veri

Më: 2 qershor 2023 Në ora: 14:52
Petar Petkoviq

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mundur ta “fusë cilindo serb” nga Kosova në listën që e lexoi në seancën e Kuvendit të Kosovës.

“…sepse, njerëzit tanë në katër komunat në veri të Ibrit janë të bashkuar në rezistencën e tyre ndaj sundimit të terrorit të tij”, tha Petkoviq, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e tij, e në të cilën kryeministri i Kosovës përshkruhet me shprehje fyese.

Duke folur të premten para Kuvendit të Kosovës, Kurti lexoi emrat e disa personave, për të cilët pretendoi se kanë qenë të përfshirë në përleshjet me paqeruajtësit e KFOR-it dhe me Policinë së Kosovës, gjatë protestave të qytetarëve serbë, më 29 maj, në Zveçan.

Petkoviq e cilësoi atë si “listë për pushkatim”. Ai tha se me publikimin e saj, Kurti “ka marrë peng të gjithë ata banorë të ‘Kosovës dhe Metohisë’ që duan vetëm paqe, stabilitet dhe mundësi për të jetuar në një shoqëri pak a shumë normale, në kohë paqeje”.

Në komunikatën e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë thuhet, po ashtu, se Kurti e ka humbur mbështetjen e ndërkombëtarëve – pa u specifikuar se të kujt – dhe se po përpiqet ta pengojë me forcë largimin e tij “në histori politike”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat