Pronarja e ordinancës ku vdiq pacientja në Malishevë, kishte të kryer shkollën fillore dhe ishte rrobaqepëse

Lajme

Pronarja e ordinancës ku vdiq pacientja në Malishevë, kishte të kryer shkollën fillore dhe ishte rrobaqepëse

Më: 24 gusht 2023 Në ora: 17:24
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar një muaj arrest shtëpiak pronares së Ordinancës “Doktorat” në Malishevë, ku një paciente 35-vjeçare ka vdekur pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në këtë klinikë.

Siç ka njoftuar gjykata të enjten, e pandehura H.K dyshohet për dy vepra penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore” dhe “rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.

E njëjta me datën 22.08.2023, në Ordinancën “Doktorat” në Malishevë, pa kualifikim mjekësor ka kryer trajtime mjekësore, e cila është e regjistruar si Ambulancë Specialistike e Gjinekologjisë.

Po ashtu, gjykata ka bërë të ditur se e pandehura e ka të kryer shkollimin fillor, ndërsa me profesion është rrobaqepës.

“Në ordinancën e cekur më lartë, pas trajtimit mjekësor të dhënë nga vëllai i të pandehurës – i pandehurit Xh. K., ka ndërruar jetë tani e ndjera L. Sh. Po ashtu nga koha e pacaktuar e gjerë me datë 22.08.2023, me dashje dhe pa autorizim falsifikon dokumentin në emër  të institucionit tjetër dhe atë të QKMF-së në Malishevë, në atë mënyrë që e njëjta si pronare e biznesit  “D.”, me rastin e inspektimit në këtë ordinancë i janë gjetur 18 vërtetime për nxënës dhe student si  dhe 16 udhëzime për konsultim të QKMF-së në Malishevë, të gjitha këto dokumente të zbrazëta  mirëpo të vulosura me vulën e QKMF-së, pa autorizim nga institucioni përkatës”, thuhet në komunikatën për media.

Vëllait të pronares së Ordinancës “Doktorat”, të pandehurit XH.K gjykata ia ka caktuar një muaj paraburgim. I njëjti dyshohet për veprat penale, “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor” dhe “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat