“Serbia po përgatitet për luftë”: Paralajmërimet e fundit ndërkombëtare meritojnë vëmendje

Lajme

“Serbia po përgatitet për luftë”: Paralajmërimet e fundit ndërkombëtare meritojnë vëmendje

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 13:38
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Shqetësimi për situatën e sigurisë në Kosovë dhe gjithë rajonin vazhdon të jetë shumë i lartë pas agresionit serb në Banjskë më 24 shtator. Por, megjithëse 24 shtatorin po e lëmë pas dhe situata duket sikur po shkon drejt qetësimit, në ditët e fundit janë bërë paralajmërime të frikshme që meritojnë vëmendje. Cilat ishin ato?

Po e fillojmë me shkrimtarin hungarez George Friedman. Ai në një opinion të botuar më 8 nëntor e të titulluar “Bota në flakë” argumentonte për ardhjen e një rendi të ri botëror. Dhe mes rreshtash, mund të gjejmë edhe fjalinë vijuese:

“Kam dëgjuar nga dy njerëz të cilëve iu besoj shumë se Serbia po përgatitet për luftë. Serbia dhe Kosova kishin bërë një luftë të përgjakshme më 1998-99 në të cilën ShBA-ja dhe NATO-ja kishin qenë me Kosovën dhe e kishin kryer një fushatë bombardimesh kundër Serbisë. Shpresoj që këto burime të jenë gabim, por mendoj se kjo (lufta) do të ndodh dhe do të shpërndahet përtej Ballkanit.”

Friedman është një strategjist dhe parashikues gjeopolitik i njohur ndërkombëtarisht. Se sa mund të merren seriozisht fjalët që nisin me “kam dëgjuar nga dy njerëz” nuk e dimë. Megjithatë, ky s’ishte paralajmërimi i vetëm.

Përveç Banjskës – që tashmë ndodhi, dhe prapa të cilës ne nuk kemi dyshim se qëndron Serbia – kemi pasur përshkallëzim të retorikës luftënxitëse. Dhe kemi pasur edhe paralajmërime nga kryeministri i Kosovës që në vitin 2022 e përmendte luftën pa pushim.

E këto kohë, një mundësi për destabilizim të Ballkanit e përmendi edhe hiç më pak se presidenti i Ukrainës – një ndër njerëzit më të famshëm në botë – Volodymyr Zelenskiy. Çka tha ai?

“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne po marrim informacione: Rusia e ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme, do të jetë edhe Ballkani, të paktën, nëse shtetet e botës nuk bëjnë asgjë tash, do të ketë një shpërthim përsëri,” – u shpreh presidenti i Ukrainës.

Deri tash nuk ka pasur ndonjë replikë nga ana e autoriteteve të Kosovës për këto komente nga presidenti ukrainas. Por, mundësinë që grupi terrorist i mbështetur nga Serbia të rigrupohej e riorganizohej e ka përmendur jo shumë kohë më parë edhe kryeministri ynë.

Në fillim të muajit tetor, kryeministri Albin Kurti iu bëri thirrje serbëve të Kosovës që atyre ditëve të ishin të “vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet dhe aktet e dhunës dashakeqe…”

Ai vazhdonte duke thënë:

“Institucionet e sigurisë së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupet e strukturave të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim tavan. Nuk do të zgjedhin mjet.”

Por, në anën tjetër megjithëse situata e sigurisë mbetet e brishtë, në dialog ka pasur një përparim të çuditshëm. Kosova dhe Serbia e kanë pranuar një plan të ri të propozuar nga bashkësia ndërkombëtare e ku përfshihet edhe një draft i statutit të Asociacionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat