Raportohet se një zyrtar i lartë policor është arrestuar sot në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, në një aksion të zhvilluar nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me agjenci të tjera shtetërore.
Burime të besueshme të sinjalit bëjnë të ditur se i arrestuari është një epror policor me qasje në informacione sensitive dhe prej kohësh ka qenë nën hetim të heshtur nga AKI për dyshime serioze për veprimtari spiunazhi dhe rrjedhje të të dhënave konfidenciale.
Operacioni është kryer në bazë të një urdhërese të lëshuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndërsa arrestimi është bërë nga IPK dhe Policia e Kosovës.
-------
Inspektorati Policor i Kosovës bashkë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë janë duke zhvilluar një operacion nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, në lidhje me dyshimet për veprën penale të spiunazhit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, operacioni është ende në zhvillim.
Për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve, më shumë detaje do të bëhen publike pas përfundimit të operacionit.
“Prokurori i Shtetit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjet në fuqi”- thuhet në njoftimin e datës 17.07.2025.
Njoftimi i plotë:
Komunikatë e përbashkët
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës
Inspektorati Policor i Kosovës
Prishtinë, 17 Korrik 2025 - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se nën udhëheqjen e saj, është duke u zhvilluar një operacion në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Intelegjencë, në lidhje me dyshimet për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.
Operacioni është ende në zhvillim dhe për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve, më shumë detaje do të bëhen publike pas përfundimit të operacionit.
Prokurori i Shtetit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjet në fuqi.