Para përfundimit të mandatit, Ulutash takohet me shefin e ushtrisë së Serbisë në Beograd, KFOR-i jep detaje

Lajme

Para përfundimit të mandatit, Ulutash takohet me shefin e ushtrisë së Serbisë në Beograd, KFOR-i jep detaje

Më: 2 tetor 2026 Në ora: 21:33
Ozkan Ulutash, Milan Mojsiloviq

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, u takua në Beograd me shefin e Shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Milan Mojsiloviq.

Në njoftimin e KFOR-it thuhet se ky takim, i fundit para përfundimit të mandatit të dytë të Gjeneralmajor Ulutash në krye të KFOR-it, në mes të tetorit, ishte pjesë e komunikimeve dhe ndërveprimeve të rregullta të zhvilluara ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë.

“Këto komunikime janë thelbësore për nxitjen e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, në mbështetje të stabilitetit rajonal dhe në të mirë të të gjitha komuniteteve.

Gjeneralmajor Ulutash dhe gjenerali Mojsiloviq shkëmbyen mendime mbi një sërë çështjesh me interes dhe shqetësim të përbashkët. Me këtë rast, Gjeneralmajor Ulutash falënderoi Gjeneralin Mojsiloviq për bashkëpunimin e tij konstruktiv gjatë mandatit të tij.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe për garantimin e lirisë së lëvizjes; në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për reagimin në fushën e sigurisë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat