Zvonko Veselinoviq largohet në Turqi, dy javë pas rënies së Vuçiqit

Lajme

Zvonko Veselinoviq largohet në Turqi, dy javë pas rënies së Vuçiqit

Nga: B.S. Më: 13 nëntor 2026 Në ora: 08:48
Zvonko Veselinoviq

Zvonko Veselinoviq, biznesmeni nga veriu i Kosovës që ndodhet nën sanksione amerikane për shkak të akuzave për krim të organizuar, është larguar drejt Turqisë përmes Bosnjë e Hercegovinës. Këtë e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime të sigurisë në Bosnjë.

Sipas këtyre burimeve, Veselinoviq u nis në orët e hershme të mëngjesit të 11 nëntorit nga aeroporti i Sarajevës drejt Stambollit, duke përdorur pasaportë serbe. Udhëtimin e ka raportuar edhe rrjeti investigativ serb KRIK.

Arsyet e largimit të tij nga Serbia nuk dihen. Me aq sa dihet, aktualisht ndaj tij nuk zhvillohet ndonjë procedurë penale në Serbi.

Dy javë pas ndërrimit të pushtetit në Beograd

Largimi ndodh rreth dy javë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit në Serbi, ku Lista Studentore mposhti partinë e Aleksandar Vuçiqit. Sipas KRIK-ut, ai vjen në kohën kur autoritetet serbe kanë nisur arrestimin e personave që gëzonin pozita të privilegjuara gjatë qeverisjes së Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

KRIK ka raportuar prej vitesh për lidhjet e Veselinoviqit me njerëz në majat e pushtetit serb, përfshirë Andrej Vuçiqin, vëllain e ish-presidentit, si dhe për kontratat shtetërore që kanë përfituar kompanitë e lidhura me të.

Nën sanksione amerikane dhe britanike

Departamenti amerikan i Thesarit e ka sanksionuar Veselinoviqin si udhëheqës të një grupi të krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës. Në të njëjtën listë janë futur edhe vëllai i tij, Zharko Veselinoviq, dhe Milan Radoiçiq. Sipas REL-it, Veselinoviq dhe Radoiçiq janë që nga viti 2022 edhe nën sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Më herët, ish-komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, i kishte identifikuar vëllezërit Veselinoviq si organizatorë të barrikadave dhe trazirave në veri. Zvonko Veselinoviq është përmendur gjithashtu në aktakuzën për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq në janar të vitit 2018.

Rrethanat e qëndrimit të tij në Turqi mbeten të paqarta. Institucionet e Kosovës deri tani nuk kanë dhënë ndonjë reagim publik për largimin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat