Më pak dibranë para sporteleve

Maqedonia

Më pak dibranë para sporteleve

Më: 25 shtator 2021 Në ora: 14:01
Foto ilustrim

Dibranët nga dita në ditë rrisin interesin që pagesat për shërbimet e ndryshme t’i bëjnë në mënyrë elektronike. Sidomos nga fillimi i pandemisë Kovid-19 ka një rritje të dukshme që pagesat për shërbimet të paguhen në mënyrë elektronike. Dukuria në fjalë është prezente si në pagesën e faturave të rrymës, shërbimeve telefonike dhe internetit, shërbimeve të mirëmbajtjes të higjienës publike dhe furnizimit me ujë si dhe shërbimet e tjera që marrin qytetarët dibran nga institucionet dhe kompanitë.

Para fillimit të pandemisë, në muajin mars të vitit të kaluar pagesa elektronike e shërbimeve ka qenë shumë më e ulët, dhe para sporteleve të bankave ka patur shumë klientë të cilët kanë paguar faturat të shërbimeve të ndryshme. Sot, situata ka ndryshuar në aspektin pozitiv.

Udhëheqësi i Odës Ekonomike rajonale dhe drejtori i filialit të Bankës ekonomike, Roland Pahumi thotë se si në nivel të vendit ashtu edhe në nivel rajonal, ka një rritje të dukshme të popullatës e cila shfrytëzon pagesën e shërbimeve në mënyrë elektronike. Ai shtoi se në krahasim me një vit më parë sipas Bankës popullore ka një rritje prej 70 për qind të pagesave elektronike. Poashtu, ka një rritje të dukshme edhe të pagesave elektronike të faturave për shërbime edhe në Dibër dhe komunat rurale për rreth.

“Më parë para sporteleve të Bankës ekonomike – filiali në Dibër kur bëheshin pagesa e pensioneve ose të drejtave nga sfera sociale, plot tre ditë vijonte pagesa e tyre. Sot, para sporteleve në fazat në fjalë kjo çështje përfundohet për një ditë”, thotë Pahumi dhe shton se kjo do të thotë se dibranët në një numër të madh kanë filluar të përdorin kartelat për pagesë. “Shfrytëzojnë pagesa në mënyrë elektronike dhe shfrytëzojnë momentin që të mos humbin shumë kohë tash në kohë pandemie, por jo vetëm në atë që të merren me pagesa. Vlerësimet janë se pagesat elektronike tani janë në rritje edhe për shkak të shpejtësisë me të cilët bëhet pagesa”, potencon Roland Pahumi.

Në lidhje me këtë çështje biseduam edhe me qytetarë dibran. Tasim T. është 45 vjeçar dhe thotë se afro një vit shfrytëzon mënyrën elektronike të pagesave. Sipas tij jo vetëm që nuk rrinë më para sporteleve për pagesa, por njëkohësisht duke shfrytëzuar në mënyrën elektronike nuk paguan taksat që marrin bankat, apo posta për pagesën e faturave. Sipas tij kjo mënyrë e pagesës është shumë e mirë dhe racionale, thotë qytetari në fjalë. Ndërsa Alim.M, thotë se me sugjerim të fëmijëve të tij, tani faturat e telefonit dhe të rrymës elektrike i paguan në mënyrë elektronike. Na sqaron se më parë ka qenë i detyruar të vij në Dibër e të pres para sporteleve, kurse tani fëmijët e tij paguajnë faturat në mënyrë elektronike nga vendbanimi i tyre. Normalisht këtë lloj pagese kryesisht e bëjnë familjarët që kanë mundësi të prezencës të tyre në familje internetin. Por në Dibër janë të paktë familjet që nuk kanë internet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat