Dita e fundit e fushatës

Maqedonia

Dita e fundit e fushatës

Më: 29 tetor 2021 Në ora: 10:24
Ilustrim

Dita e fundit e fushatës zgjedhore për raundin e dytë të Zgjedhjeve lokale 2021. Kandidatët për kryetarë në 44 komuna në vend, përfshirë edhe Qytetin e Shkupit, do ta shfrytëzojnë mundësinë t’ua dërgojnë porositë e fundit votuesve dhe ta marrin votën e tyre të dielën. Heshtja zgjedhore fillon në mesnatë dhe do të zgjasë, në përfundim me orën 19:00 më 31 tetor.

Liderët politikë dhe kandidatët për kryetarë ditëve të fundit të fushatës i shfrytëzojnë për t’u bërë thirrje qytetarëve në komunat ku votohet në mënyrë masive të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike, por gjithashtu jemi dëshmitarë të përforcimit të retorikës të kandidatëve të caktuar dhe përpjekjeve për diskreditim.

Bashkimi Demokratik për Integrim mbrëmë ka mbajtur tubim zgjedhor për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale në qytetin e Tetovës.

Para qytetarëve fjalim rasti mbajti kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, kandidatja për kryetare të komunës, Teuta Arifi si dhe shefi i shtabit komunal Faton Ahmeti.

Duke dhënë mbështetje për Teuta Arifin, kryetari i BDI-së Ahmeti ka theksuar se këtë Agjendë të cilën e ka hapur BDI-ja në Tetovë mund ta realizojë vetëm Teuta.

“Jam shumë i sigurtë nga të gjitha analizat dhe studimet që janë bërë ju keni bërë një kampanjë europiane, ju fitoren e keni të sigurtë sepse është fitore me djersë dhe mbi të gjitha është me Agjendë dhe frymë. Të tjerët kanë bërë fushatë partiake kurse ne kemi bërë fushatë me frymë dhe njerëzit për këtë janë mbledhur për këtë festë që do kemi të dielën në mbrëmje. I kam përcjellë dhe oponentët që të shoh a mund të na zëvendësojë dikush, e me keqardhje e them se vërtetë pa ofertë, të thatë e tepër teori, kështu që kjo dëshmoi që ne rrethin e parë e mbyllëm edhe më me sukses se sa një vit më parë, gati me mbi 120 mijë votues. Hapim kapitull të ri me rastin e 20 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit pas përmbylljes së pjesës normative vazhdojmë me atë për jetë dhe vende pune dhe këtë për Tetovën kush mund ta bëj më mirë se Teuta”, ka theksuar kështu kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

Kryeministri Zoran Zaev ka sjell vendime të vështira por të rëndësishme për vendin dhe duhet të mbetet kryeministër, ka deklaruar sonte kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Zaevi e ka çuar vendin në NATO. Mendoj se do të vijmë në zgjidhje edhe me Bullgarinë. Zaevi duhet të mbetet kryeministër”, ka shtuar Ahmeti

Sipas tij, Zaevi ka shpejtuar me deklaratën e tij se do të tërhiqet.

“Mendoj se Zaevi u ngut. Këto janë zgjedhje lokale. Zaevi nuk është kandiduar për kryetar komune. Zaevi ka mandat katërvjeçar si kryeministër. Nuk e di se cila është strategjia e tij, por nuk duhet të dëshpërohet. Ai duhet të punojë me ekipin e tij dhe të fitojnë në Shkup”, ka shtuar Ahmeti.

Ai me vlerësim se Shilegovi është një nga kryetarët më të mirë të komunave në Shkup.

“Ka punuar shumë. Shumë shqiptarë do t’i japin mbështetje dhe ja dërgoj apel ta votojnë të gjithë”, dekaroi Ahmeti.

 Besoj se kemi arritur që këto 10 ditë të dërgojmë porosi serioze, tani jemi të bashkuar, në koalicion, me partitë e shqiptarëve dhe qytetarët. Qytetarët do ta japin orientimin e tyre nëse do të shkojnë drejtë Shkupit bashkëkohor ose prapa drejt gënjeshtrave dhe menaxhimit të keq me Shkupin. Qytetarët e dine se këto katër vite i dëgjuam, dimë të korigjohemi, të kthehemi dy hapa prapa, si për shembull me Ligjin për tatimizim progresiv. Game change është mundësi që të jemi më të përgjegjshëm. Qytetarët e dine se çka është zhvillimi i Shkupit e çka është imagjinim. Bëjmë ura në Vardar dhe i japim funksionalitet qytetit dhe i bashkojmë qytetarët, tha kryeministri Zoran Zaev në intervistë për Kanal 5.

Ai theksoi se i takon partisë e cila dëshiron dhe din të mësojë.

“Se dëshirojmë të mësojmë kemi dëshmuar disa herë deri tani. Ne si politikanë duhet vazhdimisht të mësojmë dhe t’i dëgjojmë qytetarët. Efikasiteti i institucioneve është shumë i rëndësishëm. Unë besoj se tërë kjo punë nxit mobilizim, ndërsa pjesa progresive e qytetarëve, e cila është shumicë, do të dalë në zgjedhje dhe do ta projektojë rrugën drejt Evropës. Neve nuk na duhet rrugë konservative, e cila nuk është e afërt me vlerat evropiane. Për këtë shkak pres fitore në rrethin e dytë të zgjedhjeve”, tha Zaev.

Zaevi në tubim tha se Qeveria së bashku me Shilegovin si kryetar i komunës, të gjitha përmendoret e vendosura në qendër të Shkupit në kohën e VMRO-DPMNE-së do të zhvendosen nga qyteti në fusha jashtë qytetit dhe do të bëjnë muze nga përmendoret.

“Këtë mund ta bëjmë, shteti mund ta durojë këtë, nuk kushton para dhe do ta realizojmë që të mbetet simbol se Shkupi është progresiv, se Shkupi dëgjon, Qeveria dëgjon dhe vepron pas vërejtjeve të qytetarëve”, tha Zaev.

Ai i bëri thirrjes kandidates për kryetare të Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, që të japë dorëheqje dhe të tërhiqet nga fushata, pasi, siç thotë, në mënyrën më të poshtër, kandidohet për kryetare të Qytetit të Shkupit – avangarda e shtetit, ndërsa është shtetase e vendit të huaj në kohë të kontestit me Bullgarinë dhe po tenton që këtë ta fshehë.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski, ndërkaq, nga mitingu qendror të partisë në qendër të Shkupit tha se është u gatshëm ta paguajë çdo çmim për lirinë dhe për të ardhmen e re të përbashkët.

“Jam i gatshëm ta paguaj çdo çmim, sepse populli është fuqia jonë, ndërsa ne jemi të tijm dhe  sepse e ardhmja e re është ëndrra jonë nga e cila nuk do të heqim dorë”, theksoi Mickoski.

Nëse nevojitet, shtoi ai, të përballohen të gjitha mashtrimet dhe fushata e zezë e pushtetit do ta bëjë këtë dhe tha se është i gatshëm ta paguajë çdo çmim për lirinë dhe të ardhmen e re të përbashkët në Maqedoni.

Të gjithë qytetarët do të kënaqen në shërbime të shpejta, transparente dhe të përgjegjshme publike, administrate transparente dhe efikase në shërbimin e qytetarëve dhe politikës së zero tolerancës për korrupsion, theksoi kandidatja për kryetare të Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.

Në mitingun qendror të VMRO-DPMNE-së në Shkup, Arsovska theksoi se shkupjanët meritojnë më mirë.

“Meritojmë qytet në të cilin do të mund të kënaqemi në jetën ku fëmijët tanë do të mund të luajnë në parqe të pastra dhe ku nuk do të sëmuren duke marrë frymë të ndotur. Ne meritojmë infrastrukturë moderne, meritojmë rrugë të pastra dhe transport publik funksional. Ne meritojmë të jetojmë në një Shkup modern evropian”, theksoi ajo.

Siç tha, Shkupit i duhet utopi, por nevojiten zgjidhje reale dhe projekte reale dhe sipas saj, ato do të realizohen dhe do ta përmirësojnë jetën në qytet

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat