​Tragjedia, 45 viktimat mbërrijnë pasnesër

Maqedonia

​Tragjedia, 45 viktimat mbërrijnë pasnesër

Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 18:12
Pamje nga aksidenti tragjik në Bullgari

Në Klinikën e Kirurgjisë në Shkup arrin edhe pacienti i 7-të i mbijetuar nga tragjedia me autobus. 45-vjeçari Orhan Aliti, me autoambulancë u soll nga Spitali Porogov i Sofjes pasi gjatë javës iu nënshtrua një operacionit dhe tani është në gjendje të mirë shëndetësore, thonë mjekët kujdestar që bën pranimin e tij.

Përderisa Orhani arriti i gjallë, djali i tij 23 vjeç Visar Aliti në mesin e 45 viktimave do të sillen në arkivol.

Kjo ngaqë analiza e ADN-së, ka përfunduar dhe janë identifikuar 45 trupat e pajetë të aksidentit tragjik që ndodhi një javë më parë në Bullgari. Nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, konfirmojnë se në Sofje janë kryer të gjitha metodat gjenetike të marra nga strishot e familjarëve dhe të gjithë trupat e pajetë tanimë kanë emra dhe dihet se cilës familje i përkasin. Por, as autoritetet bullgare e as ato maqedonase nuk publikojnë identitetin e viktimës së 45-të, që u gjet një ditë pas forenzikës së bërë.

Instituti i Mjekësisë Ligjore ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme janë kryer të gjitha analizat e ADN-së, duke u bërë edhe identifikimi i 45 viktimave.

“Përmes krahasimit të qelizave të të ndjerëve dhe familjarëve të tyre tani më secila kufomë dihet kush është,” thonë nga instituti.

Pas kësaj analize tashmë janë duke u bërë përgatitjet shtetërore për transportimin e trupave të pa jetë në vendlindje. Nga Ministria e Punëve të Jashtme, thonë se do të sillen të premten në mëngjes, në Aeroportin e Shkupit dhe të njëjtën ditë do t’u dorëzohen familjeve për ceremonitë mortore.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se analizat e ADN-së ishin të domosdoshme të përdoren për identifikim të kufomave nga që djegia ka qenë e tërësishme.

“Është punuar në mënyrë intensive që këto analiza të ADN-së të kryhen në kohë të shpejtë. Mjekët nga Instituti i Mjekësisë ligjore në Shkup janë duke u ndihmuar kolegëve të tyre në Sofje. Kjo çështje ka përfunduar sot dhe pason organizimi i transportimit të trupave të pajetë tek familjet në Maqedoni,” deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Ndërkaq, autoritetet e hetuesisë bullgare janë duke bërë kërkime të dëshmive për të zbardhur rastin.

Në ekspertizën e parë për tragjedinë në Bullgari, dje në Sofje autoritet konstatuan se rruga kishte mani, por shkaktar për vdekjen e 45 udhëtarëve ishte zjarri në autobus. Konstatohet gjithashtu vonesa prej 6 muajve për vënien e sinjalistikës së trafikut në autostradën famëkeqe të Strumës. Prokuroria, përveç faktorit njeri po heton edhe shkaqet e lëndëve të dyshimta ndezëse në autobus që mund të kenë shndërruar aksidentin në tragjedi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat