Prindërit në Maqedoni kundër maskave në shkolla

Maqedonia

Prindërit në Maqedoni kundër maskave në shkolla

Më: 22 janar 2022 Në ora: 18:41
Foto ilustrim

Trajçe, prind i dy fëmijëve, bashkë me rreth 12 mijë të tjerë nga nisma “Stop bartjes së maskave në shkollë” kërkojnë të shfuqizohet mbajtja e maskave për nxënësit. Trajçe habitet se si fëmijët me prindërit e tyre nëpër kafene e kënde lojërash qëndrojnë pa maska, e në shkollë detyrohen t’i vendosin.

“Është absurd që fëmijët të mbajnë maska kur jemi në situatë kur askush nuk po i bartë maskat, duam ta pranojmë ose jo. Unë nuk njoh ndonjë person të rritur që bartë maskën për 8-9 orë pa ndërprerje, ndërsa e njëjta praktikohet te fëmijët. Më tragjikja është se një pjesë e nxënësve tashmë dy vjet po bartin maska”, tha Trajçe Petkovski, prind.

Trajçe druan edhe për shëndetin mendor të fëmijëve, se detyrimi për mbajtje të maskës mund të sjellë ankth dhe fobi të ndryshme.

“Paramendoni sikur ju si fëmijë të jeni të bombarduar për dy vjet, vaksina, të sëmurë, të vdekur, kujdes këtë, mos e bëj atë, mos po teshtin ai, mos kollitet tjetri. Këto janë trauma të mëdha të cilat ne të rriturit nuk i vërejmë, por fëmijët i marrin si informacione dhe janë trauma për tërë jetën. Duhet që të ndërpritet kjo dhe të krijojmë gjenerata të reja të shëndosha, që do të jenë e ardhmja e Maqedonisë”, theksoi Trajçe Petkovski, prind.

Se nxënësit duhet të mësojnë pa maska, vlerëson edhe mikrobiologu Nikolla Panovski. Ai thotë se masat duhet të zbuten.

“Duhet ende të mbahen maskat në mjedise të mbyllura, shkollat duhet të hapen nëse bie numri, këtu do të ishte masë e re që mos të barten maskat, duhet të shkohet në zbutje të masave. Masa duhet të vendosen vetëm përpara Vitit të Ri që të mos kemi rritje, të mos vijë Omicroni, mirëpo meqë nuk u sollën atëherë, tani më nuk ka logjikë“, tha Nikolla Panovski, mikrobiolog.

Nga nisma “Stop bartjes së maskave në shkollë” thonë se nga 1 shkurti do t’i çojnë fëmijët pa maska në shkolla. Kanë kërkuar takim me ish-Ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe dhe kanë dërguar kërkesë edhe në Qeveri, por nuk kanë marrë përgjigje. Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë, kanë njoftuar se mbi këtë temë do të diskutohet ditëve në vijim në mbledhjen e Komisionit për sëmundje ngjitëse. Kërkuam mendim edhe nga Ministria e Arsimit, por nuk na kthyen përgjigje.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat