Sot do të varroset Rexhail Qerimi

Maqedonia

Sot do të varroset Rexhail Qerimi

Më: 28 janar 2022 Në ora: 10:14
Rexhail Qerimi

Disa minuta pas mesnate, në rrethana të mistershme, ka ndërruar jetë Rexhail Qerimi, i dënuar për rastin “Alfa”, me burg të përjetshëm. Pas kësaj ishin njoftuar familjarët e të ndjerit, të cilët e kanë kërkuar trupin e pajetë të Qerimit dhe nuk kanë lejuar që atij ti bëhet autopsi.

Po ashtu, ata thonë se gjatë periudhës së vuajtjes së denimit, personi në fjalë nuk ka pasur sëmundje kronike dhe çdoherë kur ka kërkuar ndihmë mjekësore, ajo i është ofruar edhe nga mjeku i institucionit edhe nga specialistët e spitalit shtetëror.

Nga Prokuroria Publike theksojnë se në trupin e të ndjerit Rexhail Qerimi nuk janë hasur shenja dhune. Po ashtu thonë se është konstatuar se personi në fjalë ka pasur histori të sëmundjeve.

Varrimi i Qerimit do të bëhet sot pas namazit të xhumas.

Më 26 nëntor të vitit 2008 në afërsi të Fakultetit të shkencave matematiko-natyrore në Shkup u vra polici i njësitit “Alfa”, Afrim Arifi, ndërsa mbetën rëndë të plagosur edhe dy policë të tjerë. Rasti në fjalë bëri bujë në opinion sepse dy vite më vonë, më 30 prill të vitit 2010 për këtë vrasje u dënuan me burgim të përjetshëm ish-pjesëtarët e UÇK-së: Rexhail Qerimi nga fshati Opajë I Kumanovës dhe Agim Islami nga fshati Rashçe i Shkupit. Gjithashtu, me gjashtë vite burg u dënua ish ushtari i UÇK-së, Ramadan Shaqiri. Rasti është bazuar në dëshminë e “dëshmitarëve të mbrojtur”. Qerimi deri tani kishte vuajtur burg 13 vjet e gjysmë.

Rasti “Alfa” pritet që të rinisë nga e para, pasi familjarët kanë bërë ekspertizë shtesë nga ekspertë serb të videos së gjetur në vend-ngjarje.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat