Nuredini: Ka progres të dukshëm në mjedisin jetësor

Maqedonia

Nuredini: Ka progres të dukshëm në mjedisin jetësor

Më: 6 tetor 2022 Në ora: 16:16
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini është duke marrë pjesë në Konferencën e 9-të Ministrore për Mjedisin Jetësor për Evropën, që po mbahet nga 5 deri më 7 tetor në Nikozi të Qipros dhe e theksoi rëndësinë e mbështetjes nga OKB-ja dhe UNECE në përpjekjet për ngritjen e standardeve mjedisore dhe harmonizimin me marrëveshjet dhe obligimet ndërkombëtare, duke marrë parasysh rrethanat kombëtare dhe nevojat specifike të vendit.

Konferenca ministrore është e fokusuar në infrastrukturën e qëndrueshme, turizmin e qëndrueshëm dhe arsimin për zhvillim të qëndrueshëm.

Ministri Nuredini kishte fjalim në ngjarjen shoqëruese: “Bashkëfinancimi i aktiviteteve për zbatimin e rekomandimeve të Rishikimit të Performancës Mjedisore (EPR) ” i cili kishte për qëllim promovimin e funksionalizimit të rekomandimeve të Rishikimit të Performancës Mjedisore në Marok, Maqedoninë e Veriut, Taxhikistan dhe Uzbekistan me qëllim që të njëjtët të përmirësohen.

“Rishikimi i performancës mjedisore për Maqedoninë e Veriut është një dokument gjithëpërfshirës që ofron kornizë për zhvillimin e politikave dhe iniciativave të menaxhimit, instrumenteve dhe politikave ligjore, si dhe veprimeve dhe projekteve praktike – tha Nuredini dhe theksoi se në lidhje me rekomandimet e Rishikimit të 3-të të performancës mjedisore në vendin tonë janë ndërmarrë hapa të shumtë dhe janë arritur rezultate të dukshme.

Sipas Nuredinit, Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të madh në Kapitullin 4 në lidhje me monitorimin dhe informimin mjedisor dhe në lidhje me dispozitat që kanë të bëjnë me Sistemin Kombëtar të Informacionit për Mjedisin.

Gjithashtu, në lidhje me Kapitullin 7, i cili i referohet ndryshimeve klimatike, rekomandimet e Rishikimit të tretë të performancë mjedisore bënë të mundur përshpejtimin e procesit të miratimit të kornizës ligjore dhe strategjike, një pjesë e tyre tashmë janë në fuqi, si dhe në proces është forcimi i kuadri institucional dhe miratimi i një pjese të dokumenteve përkatëse për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.

“Kjo ka ndikuar ndjeshëm në përfshirjen e ndryshimeve klimatike në agjendën e përgjithshme të zhvillimit të qëndrueshëm në vend”, tha Nuredini.

Nuredini theksoi progresin në Kapitullin 9 që ka të bëjë me menaxhimin e ujërave.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat