Rritet kostoja e jetesës në Maqedoni

Maqedonia

Rritet kostoja e jetesës në Maqedoni

Më: 8 gusht 2023 Në ora: 21:49
Foto ilustrim

Të dhënat për muajin korrik tregojnë se kostoja e jetesës për qytetarët e Maqedonisë së Veriut për një vit është rritur për 8.4%, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë për 4.9%. Nga Qeveria u mburren se arritën që edhe më tej të ulin inflacionin atëherë kur kostoja e jetesës u rrit për vetëm 1.1%, kurse çmimet e shitjes me pakicë për 1.6%.

Në një intervistë për MIA-n, kryeministri Kovaçevski deklaroi se pritet që trendi i rënies të vazhdoj edhe më tej duke shtuar se masat ekonomike po japin rezultatet e dëshiruara.

“Këtë vit njëjtë si vitin e mëparshëm jetuam krizën më të madhe ekonomike dhe energjetike që bota ka njohur në historinë e re. Ne si shtet kemi luftuar për të zbutur goditjen e çmimeve dhe në të njëjtën kohë nuk kemi lejuar ndikim në çmim tek qytetarët”, tha kryeministri.

Njëjtë si kryeministri u shpreh edhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook shkroi se këto shifra janë në përputhje edhe me pritshmëritë e qeverisë të cilat parashikojnë që inflacioni mesatar për vitin 2023 të jetë 8,9%.

“Këto shifra janë në përputhje edhe me pritshmëritë e qeverisë me të cilat parashikohet që inflacioni mesatar për vitin 2023 të jetë 8.9%. Nga ana tjetër kjo qeveri i kushton rëndësi të madhe krijimit të një klime pozitive të biznesit, ku kompanitë do të motivohen për të paguar paga konkurruese, rritja e të cilave do të jetë shumë më e lartë se rritja e kostos së jetesës”, shkroi Bytyqi.

Megjithatë ekonomistët nuk ndajnë optimizmin e qeverisë sa i përket rënies së inflacionit, madje disa prej tyre “rimëkëmbjen” aktuale e shohin si rezultat i lëvizjeve globale dhe jo si rezultat i masave të qeverisë. Branimir Jovanoviq nga Instituti Ekonomik i Vjenës, vlerëson se nuk ka bazë për të cilësuar si të mposhtur inflacionin apo edhe të vënë nën kontroll, pasi sipas tij fakti se në korrik ai u ul në 8.4% është tërësisht për shkak të asaj që ekonomistët e quajnë efekti bazë.

“Nëse shikoni inflacionin mujor në qershor dhe korrik, ai është 1% në muaj që është e barabartë me 12% në vit. Në 5 muajt e mëparshëm nga janari në maj, inflacioni mujor ishte 0.3% që është dukshëm më i ulët se ky aktual. Pra, presionet e çmimeve jo vetëm që nuk po zvogëlohen por edhe po përshpejtohen në këto dy muajt e fundit. Kjo për shkak të heqjes së kufizimeve nga ana e qeverisë”, u shpreh Jovanoviq duke shtuar se janë dashur edhe disa muaj për të bërë një hap të tillë.

Rritja e çmimeve shqetëson edhe qytetarët të cilët ankohen se mezi po ia dalin mbanë. Përveç tyre të pakënaqura shprehen edhe sindikatat të cilat u ndanë në pranimin ose mospranimin e marrëveshjes me qeverinë për rritjen e pagave për 10% që nga shtatori.

“Pagat do të rriten por prisni derisa ti marrim në shtator, pra deri në tetor. Por si kanë shkuar gjërat deri atëherë kushedi se sa do shkojnë çmimet. Pavarësisht, tek ne edhe do ketë korrigjim, por çka në sektorin privat. Atje askush nuk proteston dhe nuk mund të protestojë. Nuk e di nëse janë në dijeni se 80 mijë qytetarë i kanë bllokuar llogaritë. Është një gjë e keqe”, u shpreh Marjan Risteski nga Konfederata e Organizatave Sindikaliste, duke shtuar se populizmi për të cilin ata po flasin nuk është i mirë dhe se duhen masa konkrete që do të ndihen, e jo me pagat aktuale të paguhen çmimet si në vendet e BE-së. Kostoja e jetesës do të rritet edhe më tej me planin për një taksë më të shtrenjtë mbi vlerën e shtuar të disa produkteve ushqimore. Ligji i propozuar, pavarësisht kritikave të ekspertëve dhe opozitës është në procedurë parlamentare.

Të dhënat nga ESHS kanë treguar se çmimi i ushqimeve për një vit (korrik 2022-korrik 2023) është rritur për 12%. Rritje më të madhe sipas këtyre të dhënave ka tek perimet 21.5%, te frutat 17.7%, te mishi, djathi dhe vezët 13%, 10.9% tek drithërat dhe buka. Në të njëjtën periudhë vihet re një rritje edhe tek pijet alkoolike dhe jo alkoolike, veshjet dhe këpucët, shërbimeve hotelerike, si dhe shpenzimeve të përgjithshme. Sa i përket nivelit mujor, krahasuar me qershorin në korrik çmimi më i lartë është vërejtur tek frutat (12.6%) dhe tek drithërat dhe buka (3.8%). Megjithatë, këto trende janë larg atyre të vitit të kaluar kur inflacioni arriti në 20%. Ulja graduale filloi që në fillim të vitit dhe në qershor inflacioni arriti shifra një-shifrore (9.3%), ndërsa tani është 8.4% që është dy herë më shumë se në Shqipëri ku në korrik inflacioni ishte 4.2%.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat