Mavrovë Rostusha binjakëzohet me Dragashin

Maqedonia

Mavrovë Rostusha binjakëzohet me Dragashin

Më: 15 qershor 2025 Në ora: 14:19
Foto ilustrim

Dy komunat kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ajo e Mavrovë Rostushës dhe Dragashit kanë nënshkruan Memorandum për bashkëpunim. Akti u firmos gjatë vizitës që delegacioni i Mavrovë Rostushës i bëri komunës kosovare – Dragashit, me të cilin janë përcaktuar sferat e bashkëpunimit dhe binjakëzimit. Kryetarët e Komunave, Medat Kurtoski dhe Bexhet Xheladini informuan se paraprakisht – të dyja Këshillat e komunave dhanë dritë jeshile për binjakëzimin e dy komunave rurale dhe kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Nënshkrimi u realizua në seancën solemne të Dragashit me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini, me këtë rast falënderoi për vullnetin për bashkëpunim përfaqësuesit e Komunës së Mavrovë Rostushës, duke e konsideruar këtë marrëveshje të binjakëzimit si një hap të rëndësishëm drejt bashkërendimit të politikave ndërmjet dy komunave, me qëllim të krijimit të kushteve për zhvillim të përbashkët në fusha e ndryshme. Në anën tjetër, edhe kryetari i Mavrovë Rostushës, Medat Kurtoski, e përshëndeti këtë bashkëpunim, i cili siç tha ai, do të krijojë mundësi të shumta për bashkëpunim në nivelin institucional dhe do të jetë në interes të qytetarëve nga të dyja vendet, dhe normalisht mes të dy komunave.

Gjatë takimit mes dy delegacioneve, kryetarët e të dy komunave kufitare potencuan nevojën që vendkalimi kufitar mes Maqedonisë dhe Kosovës – Strezimir dhe Restelicë të funksionojë edhe në sezone tjera e jo vetëm gjatë muajve të verës, me çka mundësohet edhe bashkëpunim më i madh biznesit në të dy anët e kufirit. Po ashtu është potencuar edhe fakti se nga ana e Maqedonisë së Veriut duhet sa më shpejt të asfaltohet rruga nga Mavrovë Rostusha që të çon drejt vendkalimit kufitar me Kosovën, meqë pala kosovare para disa kohësh ka asfaltuar rrugën drejt vendkalimit kufitar në fjalë.

Me marrëveshjen në fjalë është paraparë edhe bashkëpunim intensiv mes Këshillave të komunave. Kryetarët e Këshillave të Mavrovë Rostushës dhe Dragashit, Teuta Mirto dhe Arijeta Skeraj, të pranishëm në këtë aktivitet – kanë potencuar bashkëpunimin e thellë mes Këshillave të Komunave gjë që është në interes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, dhe normalisht në interes të komunave kufitare. Delegacionet mes dy komunave rurale dhe kufitare të të dy shteteve kanë vlerësuar se ky Memorandum dëshmon se marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë shumë të mira dhe bashkëpunimi në nivelet lokale ne viset kufitare është shumë efektiv dhe domethënës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat