Dogana e Maqedonisë së Veriut ka zbuluar një rast të deklarimit të rremë të mallrave në import, ku është tentuar të futen në vend 2.8 tonë kripë pa jod, importi i së cilës është i ndaluar.
Sipas njoftimit të publikuar nga zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti, rasti është zbuluar nga nëpunësit doganorë të Njësisë Doganore Shkup 3, gjatë kontrolleve për mbikëqyrjen e qarkullimit të mallrave në import.
Gjatë kontrollit është konstatuar se malli ishte deklaruar si kripë industriale. Importuesi, një prodhues i produkteve ushqimore, kishte dorëzuar edhe deklaratë se kripa do të përdorej për qëllime industriale.
Megjithatë, kontrolli ka vërtetuar se bëhej fjalë për kripë pa jod, duke zbuluar mospërputhje ndërmjet përmbajtjes reale të dërgesës dhe të dhënave në dokumentacionin doganor.
Legjislacioni në Maqedoninë e Veriut përcakton detyrimin për përdorimin e kripës së jodizuar në ushqim, për shkak të rreziqeve që konsumimi i kripës pa jod mund të paraqesë për shëndetin e qytetarëve.
Ndaj personave të dyshuar është iniciuar procedurë përkatëse, ndërsa me vendim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, 2.8 tonët e kripës janë asgjësuar në deponinë Drislla.
Drejtoria e Doganave ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet për zbatimin e dispozitave ligjore, parandalimin e parregullsive në import dhe mbrojtjen e interesit publik.