Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka vizituar Preshevën, ku ka parë nga afër rezultatet e mbështetjes së kësaj komune për Shkollën Fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi”.
Përmes një donacioni të Komunës së Çairit, shkolla është pajisur me një kabinet modern të informatikës, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për nxënësit dhe avancimit të mundësive të tyre në fushën e teknologjisë.
Mexhiti ka theksuar se investimi në arsim, dije dhe teknologji është investim në të ardhmen e gjeneratave të reja.
Ai ka vlerësuar gjithashtu rëndësinë e solidaritetit me shqiptarët e Preshevës, duke theksuar se ky përkushtim duhet të dëshmohet përmes veprave konkrete.
“Për mua, solidariteti me shqiptarët e Preshevës nuk është vetëm fjalë, por përgjegjësi që dëshmohet me vepra konkrete”, ka shkruar Mexhiti.
Në fund, ai ka përcjellë mesazhin se bashkëpunimi dhe solidariteti ndërmjet Çairit dhe Preshevës do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.