Nis gara dyditore mes universiteteve shqiptare në kuadër të Universiadës “Çair 2026”

Maqedonia

Nis gara dyditore mes universiteteve shqiptare në kuadër të Universiadës “Çair 2026”

Nga: A.M. Më: 20 nëntor 2026 Në ora: 19:48
Izet Mexhiti

Studentë nga universitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri janë mbledhur në Çair të Shkupit, ku ka nisur Universiada Mbarëkombëtare “Çair 2026”.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili ka njoftuar se aktiviteti po mbahet në palestrën sportive “Shaban Tërstena” dhe do të zgjasë dy ditë.

Gjatë kësaj kohe, ekipet e universiteteve pjesëmarrëse do të garojnë mes vete në disiplina sportive, ndërsa aktiviteti synon të krijojë mundësi edhe për njohje dhe bashkëpunim ndërmjet studentëve.

Mexhiti ka theksuar se organizimi i kësaj ngjarjeje është pjesë e përpjekjeve për të investuar në sport dhe në hapësirat publike, duke u ofruar të rinjve më shumë mundësi për stërvitje, gara dhe përfaqësim.

Ai ka falënderuar Universitetin “Nënë Tereza” dhe Këshillin Organizativ për organizimin e aktivitetit, duke vlerësuar edhe pjesëmarrjen e universiteteve dhe federatave nga Kosova dhe Shqipëria.

Sipas Mexhitit, kjo Universiadë paraqet një mundësi për vazhdimin e bashkëpunimit përmes garave dhe aktiviteteve të përbashkëta edhe gjatë vitit.

Në fund, ai u ka uruar suksese të gjitha ekipeve pjesëmarrëse, duke theksuar se Çairi dhe Shkupi i mirëpresin studentët me kënaqësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat