Djali i Agim Ramadanit i zbulon gënjeshtrën e madhe Nasim Haradinajt

Politika

Djali i Agim Ramadanit i zbulon gënjeshtrën e madhe Nasim Haradinajt

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 28 shtator 2019 Në ora: 16:28
Nasim Haradinaj dhe Edon Ramadani

Lidhja Demokratike e Kosovës, në vazhdimësi përveç që është përkrahur nga populli, nga anëtarësia e gjerë brenda dhe jashtë Kosovës, ajo është përkrahur edhe nga shumë komandantë e veprimtarë të kohës së luftës që ishin direkt të lidhur me luftën ndaj okupatorit serb.

Shumë komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thellë në zemër ishin me LDK-në e Ibrahim Rugovës gjatë kohës së luftës. Disa prej tyre edhe u vranë pabesisht, ndërsa autorët, urdhërdhënësit dhe vrasësit ende nuk janë zbuluar.

LDK-ja, edhe pse pasluftës filluan të ia mohojnë meritat për luftën, ishte ajo i organizoi grupet e para dhe i dërgoi për ushtrime në Shqipëri. Në grupet e para që ushtruan ishin Zahir Pajaziti, Adem Jashari dhe shumë veprimtare të tjerë, ushtarë të dalluar e komandantë të UÇK-së, të cilët u dalluan për nga përvoja dhe lufta ballë për ballë armikut serb.

Agim Ramadani, Sali Çekaj dhe qindra të tjerë, të cilët ranë në luftë për çlirimin e vendin ishin LDK. Grupet e para të krijuar ku morën aksionet e para, madje deri në beteja siç ishte ajo e Koshares dhe Loxhes ishin kryer pikërisht nga ushtarët e Ibrahim Rugovës.

Megjithatë, ky sukses ka filluar të minimizohet nga shumë ushtarë dhe komandant tjerë të UÇK-së, të cilët filluan përçarjen e madhe në mes të UÇK-së dhe FARK-ut.

E përkrahja e familjeve të heronjve të Kosovës, për LDK-në nuk po mungon edhe tash.

Djali i heroit të Kosovës, Agim Ramadani, Edon Ramadani po përkrah Lidhjen Demokratike të Kosovës, dhe kandidaten për kryeministre Vjosa Osmanin.

Edon Ramadani gjatë ditës së premte mori pjesë në tubimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në qytetin e Prizrenit.

Kandidati për deputet nga kjo parti, Anton Çuni e falënderoi Ramadanin që ka marrë pjesë në tubimin e LDK-së.

Po ashtu edhe familjarë të dëshmorit, Salih Çeku ishin prezent në tubim.

Djali i Agim Ramadanit, me pjesëmarrjen e tij në tubimin e LDK-së, po e konfirmon mbështetjen e madhe të krahut të luftës për këtë parti.

Por, këtë përkrahje ndaj LDK-së, e kishte mohuar Nasim Haradinaj, i cili ishte komandant në Dukagjin.

Ai në një interviste ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kishte thënë se Agim Ramadani ishte LKÇK.

Haradinaj ishte pyetur nga gazeta “Bota sot” se çfarë mendon për deklaratën e Agim Ramadani dhe Xhafer Gashit, të cilët gjatë kohës së luftës kishin vizituar shpesh zyrat e “Bota sot” në Zvicër, ku kishin pohuar për gazetën që “138” ishte e pavarur. Madje Agimi kishte thënë që përveç Koshares dhe Loxhës, betejat tjera ishin “betejë kaçubash”?

“Se çka ka thënë Agim Ramadani i vdekur, sot shumë njerëz janë duke manipuluar, më së paku Agim Ramadani ishte me “Botën sot”, sepse ai ishte më ekstrem se lëvizja që e mendon “Bota sot’, sepse ka qenë në LKÇK. Kjo është e palogjikshme. Nëse ka thënë që janë grup i pavarur, edhe kjo është rrenë e madhe, qoftë edhe Agimi të pastë thënë. Nuk ka pasur mundësi të jetë në grup të pavarur në Shqipëri, të sulmohet nga toka shqiptare dhe sikur atje të mos ishte askush. Në xhungël të ishte, është dashur të ishte bile me luanin të ishte mirë. Nëse ka qenë i pavarur, pse hyri në komandën e Zonës së Dukagjinit, pse kërkoi ndihmë konkretisht nga unë për t’u lidhur me Shtabin e Përgjithshëm? Sepse e ka ditur që unë jam aty”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, nëse ka qenë i pavarur, pse ai nuk nisi luftën pa i thënë dikush “fillo”.

“Në Zvicër kanë mundur ta shohin, sepse atje ka shkuar dy herë për t’iu thënë njerëzve “lufta ka filluar, partitë e kanë kryer punën e vet. Ata që e duan luftën, me ne poshtë”, është edhe deklarata e Sali Çekajt, ku ka shkuar prej Koshares Saliu. E ka edhe “Bota sot” filmimin. E nëse ka thënë dikush luftë kaçubash, kanë mundur ta thonë ata, të cilët sot po mundohen ta marrin Agim Ramadanin e Kosharen mbi vete. Luftë kaçubash ka mundur ta quajë Lapraka, ata oficerët të cilët e tradhtuar Agim Ramadanin e nuk erdhën. Luftë kaçubash ka mundur ta quajë ai, i cili e ka tradhtuar Sali Çekajn dhe nuk i ka ardhur në front. Të gjitha këto, i thënë ajo kur Sali Çekaj, është në front me mua bashkë dhe është pa pjesën e atyre që sot thonë se e kishin shokë, edhe pse e kanë pasur, por rrugët e tyre i ka ndarë lufta. Rrugët e Sali Çekajt, me partinë e LDK-së i ka ndarë lufta, por jo me të gjithë, sepse ka pasur shumë anëtarë të LDK-së që Çekajt i janë bashkuar në front. Ai nuk ishte i vetëm aty, por shokët e kanë tradhtuar Çekajn. Dikush është përshëndetur me të në Gjermani, por ata të cilët e kanë dashur Sali Çekajn, janë përshëndetur së fundi në Tiranë”, ka thënë tutje Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se, Sali Çekaj është hero i Kosovës, i të gjithëve, por heronjtë nuk përvetësohen, duke shtuar se, heronjtë nuk janë as të LDK-së, as të Lëvizjes, as të PSD-së e as të sa parti bëhen, ata janë të Kosovës...

“Janë edhe disa frikacakë, të cilët e kanë luftuar luftën, por sot janë çliruar dhe po marrin frymë lirshëm. Puna e tyre po shihet pas çlirimit dhe divergjencat që po mundohen t’i bëjnë në popull përmes përçarjes. Sali Çekaj ka qenë unifikues, Agim Çeku ishte unifikues, unë edhe pse jam kritik, kam qenë unifikues, pasi kam dhënë prova edhe në pajtimin e gjaqeve. Por, atyre që tash iu pengon ky unitet, ata dëshirojnë të na ndajnë dhe ata janë armiku kryesor i UÇK-së, i Sali Çekajt, Nasim Haradinajt dhe i grupit që kemi luftuar bashkë. Por, ne nuk jemi argat të këtyre që na kanë dhënë dorën në Gjermani dhe Tiranë dhe nuk kanë ardhur me neve në luftë, veç nëse nuk kanë pasur detyra të veçanta, sepse ka pasur njerëz që kanë pasur për detyrë të punojnë edhe prej Gjermanisë. Lufta normal ka filluar me kaçuba krejt jetën, pastaj kemi filluar në lisa dhe Kosharja më së paku ka pasur kaçuba, por ajo ishte nën komandën e zonës Operative të Dukagjinit. Prandaj, edhe Ramush Haradinajt kanë ardhur t’ia marrin komandën me pretekstin që është luftë kaçubash. Mirëpo, edhe Tahir Zemajn e kanë rrejt, ata që sot po e quajnë luftë kaçubash, se i kanë thënë “të lëshojmë armatim prej aeroplanit”. Tahiri nuk do të hynte në luftë me atë lloj armatimi, por është tradhtuar nga shokët e tij. I kanë premtuar që nëse e merr komandën, do të sjellin armatim. Tahirit armatim nuk i kanë sjellë, ai si i zgjuar e ka bërë matematikën me laps, me ato armë nuk ia ka “qit fitoren”, ka ikur dhe është kry puna. Ishte vendim i tij”, ka thënë ndër tjera Haradinaj. 

Megjithatë, Gazeta “Bota sot” e kishte pyetur prapë, se ekziston intervista ku Agim Ramadani dhe e ka pohuar këtë gjë?

“Nëse Agimi e ka thënë këtë kur ishte ushtar me Tahir Zemajn, krejt valide është. Mirëpo, mos harroni se Agim Ramadani i Koshares, Rrustem Berisha i Koshares, janë njerëzit që kanë hyrë me Tahirin, por që janë zhgënjyer me ata të cilët i kanë futur brenda dhe kanë luftuar. Unë po e them edhe një deklaratë të Agim Ramadanit: “Nëse ma mbërrin ymri të bie në Junik, kurrë më në Dukagjin nuk rri, por do të shkoj në Karadakun tim, ndërsa Junikut i kam borxh se kam dal pa dëshirën time”. Këtë e din të gjithë. Agim Ramadani i Koshares është tjetër Agim. Agimi ka hyrë me mendimin më të mirë. Të gjithë ushtarët e UÇK-së kanë pasur dëshirë që Ibrahim Rugova të thoshte: “Unë jam komandanti juaj”. Por, nuk ka thënë. Sikur ta thoshte, do të ishte bërë luftë e mirë, të gjithë do të ishim bashkuar. Do të ishte bërë ndoshta mirë edhe tjetra, po ta mbështeste Bujar Bukoshi, Ahmet Kransiqin. Por, nuk e ka mbështetur. Kur është bashkuar Ahmet Krasniqi me neve, e kanë luftuar dhe është vrarë. Këta po kanë qejf me nda, por nuk do t’iu dal mirë. Ahmet Krasniqi është vrarë dy muaj pasi ka bashkëpunuar me UÇK-në dhe ka qenë ndër njerëzit kategorik me UÇK-në dhe neve nuk ka penguar asgjë. Por, dikujt i ka penguar kjo, përpos serbëve”, ishte shprehur Haradinaj.

Gjithashtu Nasim Haradinaj është pyetur edhe për vrasjen e Agim Ramadanit dhe Sali Çekajt, se si ndodhi vrasja e tyre?

“Po kjo botërisht dihet se si janë vrarë. Janë vrarë si heronj. Agimi është vrarë më 11. Mbahet një akademi për Sali Çekajn, a din cili është turpi i asaj akademie? Turpi është që nuk mbahet njëkohësisht me atë për Shefqet Mustafën, që poashtu është hero i Kosovës? A din pse? Sepse Sali Çekaj ka dhënë jetën duke i shkuar në ndihmë komandant “Dukagjini”, që quhet Shefqet Mustafa dhe sot politika i ndan. Është shumë i vërtetë, se Shefqeti i ka takuar atyre që po u thonë të “kaçubave” dhe lëvizjes. Sali Çekaj ka qenë anëtar i devotshëm, patriot i LDK-së dhe e ka dëshmuar këtë. Ai ka vdekur duke i shkuar në ndihmë Shefqetit. Dhe tash si mbahet akademia? Këtë duhet të hulumtojë “Bota sot” edhe pse jam i sigurt që e keni ditur”, ka deklaruar Nasim Haradinaj në intervisën e tij dhënë gazeta “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat