Deklarata e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, se Qeveria e Kosovës është më e gatshme për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka rikthyer në vëmendje një nga çështjet më të ndjeshme të dialogut me Serbinë. Qëndrimet e tij, të lidhura me zhvillimet e fundit politike në Serbi, kanë nxitur reagime nga përfaqësuesit e partive politike, ndërsa çështja e qëndrimit zyrtar të Qeverisë mbetet në qendër të diskutimit.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, shefja e Grupit Parlamentar, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se qëndrimi i partisë dhe i Qeverisë për Asociacionin mbetet i pandryshuar. Ndërkaq, deputetja Arbëresha Kryeziu-Hyseni ka theksuar se Rashiqi nuk e përfaqëson qëndrimin e Qeverisë. Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka kërkuar që Qeveria ta qartësojë qëndrimin zyrtar, ndërsa nga AAK-ja, Besnik Tahiri ka rikujtuar obligimet që dalin nga marrëveshjet e mëparshme, përfshirë edhe Marrëveshjen e Ohrit.
Përveç qëndrimit politik, çështja e Asociacionit ngre edhe dilema të rëndësishme kushtetuese. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 përcakton se parimet e dakorduara për Asociacionin duhet të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, duke ruajtur funksionalitetin institucional dhe rendin kushtetues të vendit.
Në këtë kontekst, zhvillimet e fundit politike në Serbi dhe fitorja e Listës Studentore shtrojnë pyetjen nëse mund të krijohen kushte të reja për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Megjithatë, mbetet dilema nëse këto zhvillime duhet të ndikojnë në qasjen e Kosovës ndaj Asociacionit, sidomos pas deklaratës së Rashiqit se çështja e njohjes së Kosovës nga Serbia mund të lihet përkohësisht anash.
A duhet Kosova të avancojë në themelimin e Asociacionit pa pasur garanci për hapa konkretë nga Serbia? Dhe si mund të sigurohet që ky proces të mos shndërrohet në një detyrim të njëanshëm, por të jetë pjesë e një marrëveshjeje reciproke për normalizimin e marrëdhënieve?
Për këto çështje, për “Bota sot” kanë folur analisti Zejnulla Jakupi dhe profesori i shkencave politike dhe studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare e diplomacisë, Nijazi Halili. Jakupi kërkon një qëndrim të qartë institucional dhe zbatim të Asociacionit në përputhje me Kushtetutën, ndërsa Halili thekson se çdo hap në këtë drejtim duhet të shoqërohet me reciprocitet dhe obligime konkrete nga Serbia.
Jakupi: Kosova të mos bëjë hapa të njëanshëm
Duke komentuar deklaratën e ministrit Nenad Rashiq për gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës ndaj themelimit të Asociacionit, analisti Zejnulla Jakupi për “Bota sot” u shpreh se kjo çështje kërkon sqarim institucional, pasi deklaratat individuale nuk mund të zëvendësojnë një qëndrim të qartë të institucioneve. Sipas tij, bëhet fjalë për një çështje të ndjeshme që lidhet drejtpërdrejt me rendin kushtetues dhe funksionalitetin e shtetit.
Ai thekson se Qeveria duhet të dalë publikisht me një qëndrim të qartë, në mënyrë që të shmangen interpretimet e ndryshme rreth politikës zyrtare të Kosovës për këtë çështje.
“Deklarata e ministrit Nenad Rashiq për gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës ndaj themelimit të Asociacionit duhet të trajtohet me seriozitet, por njëkohësisht kërkon sqarim institucional. Në çështje kaq të ndjeshme, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me rendin kushtetues dhe funksionalitetin e shtetit, nuk mjaftojnë deklaratat individuale. Është e rëndësishme që Qeveria të dalë me një qëndrim të qartë dhe të mos krijojë hapësirë për interpretime të ndryshme”, deklaron Jakupi për “Bota sot”.
Sa i përket zhvillimeve politike në Serbi dhe fitorja e Listës Studentore, Jakupi vlerëson se ato përbëjnë një zhvillim të ri në skenën politike serbe, por nuk duhet të krijojnë pritshmëri të parakohshme në Prishtinë. Sipas tij, ndryshimi i aktorëve politikë nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të politikës së Serbisë ndaj Kosovës.
“Sa i përket zhvillimeve politike në Serbi, fitorja e Listës Studentore mund të shihet si një zhvillim i ri në skenën politike atje, por Kosova nuk duhet të ndërtojë pritshmëri politike vetëm mbi ndryshimin e aktorëve. Ajo që ka rëndësi është nëse ndryshon realisht qasja e Serbisë ndaj Kosovës. Madje, duhet të kemi parasysh se qëndrimet e deritanishme të Listës Studentore për statusin e Kosovës nuk japin ende bazë për të konstatuar një ndryshim të tillë”, shprehet ai.
Më tej, analisti nënvizon se vendi duhet t'u përmbahet marrëveshjeve të arritura në dialog, por pa anashkaluar Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Ai paralajmëron se çdo zgjidhje që do të krijonte kompetenca ekzekutive paralele ose do të cenonte funksionalitetin institucional të Kosovës do të ishte problematike.
“Sa i përket Asociacionit, Kosova duhet t'i përmbahet marrëveshjeve të arritura, por çdo veprim duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Nuk mund të lejohet krijimi i një mekanizmi që prodhon kompetenca ekzekutive paralele apo cenon funksionalitetin institucional të Republikës së Kosovës”, thekson Jakupi.
Ai konsideron se procesi i Asociacionit nuk duhet të trajtohet si një obligim i shkëputur nga përgjegjësitë e Serbisë në dialog. Sipas tij, Beogradi duhet të dëshmojë me veprime konkrete zbatimin e marrëveshjeve dhe gatishmërinë për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë mos pengimin e integrimit ndërkombëtar të Kosovës dhe ecjen drejt njohjes de facto.
“Po aq e rëndësishme është që Asociacioni të mos shkëputet nga procesi i përgjithshëm i normalizimit. Serbia duhet të dëshmojë me veprime konkrete zbatimin e obligimeve të saj, respektimin e marrëveshjeve, mos pengimin e integrimit ndërkombëtar të Kosovës dhe një qasje që çon drejt njohjes de facto”, deklaron ai.
Në këtë drejtim, Jakupi kërkon që çdo avancim në dialog të shoqërohet me obligime të qarta për të dyja palët, afate konkrete dhe mekanizma monitorimi. Ai thekson se Kosova duhet të jetë e kujdesshme që procesi të mos prodhojë detyrime të njëanshme.
“Prandaj, çështja nuk duhet të shtrohet vetëm se kur do të themelohet Asociacioni, por edhe cilat janë obligimet që Serbia duhet t'i përmbushë në të njëjtën kohë. Çdo avancim duhet të ketë afate, mekanizma monitorimi dhe rezultate të matshme për të dyja palët”, shprehet Jakupi.
Në fund, ai nënvizon se Kosova nuk duhet të jetë peng i zhvillimeve të brendshme politike në Serbi, por duhet të shfrytëzojë dialogun për të arritur një normalizim të qëndrueshëm, duke ruajtur sovranitetin dhe interesin shtetëror.
“Dialogu duhet të prodhojë marrëdhënie të qëndrueshme, jo obligime të njëanshme. Respektimi i Kushtetutës, sovranitetit dhe interesit shtetëror duhet të mbetet pikënisja e çdo vendimmarrjeje”, përfundon Jakupi për “Bota sot”.
Halili: Pa reciprocitet, Asociacioni rrezikon të kthehet në lëshim ndaj Serbisë
Në anën tjetër, profesori i shkencave politike dhe studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare e diplomacisë, Nijazi Halili, vlerëson se deklarata e ministrit Nenad Rashiq për gatishmërinë e Qeverisë ndaj Asociacionit kërkon sqarim institucional, në mënyrë që të mos krijohet përshtypja se politika zyrtare e Kosovës po ndryshon përmes deklaratave individuale.
Sipas tij, çështja e Asociacionit duhet të trajtohet në kuadër të zhvillimeve politike në Serbi, dinamikave të brendshme në Kosovë dhe procesit të përgjithshëm të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Deklarata e ministrit Nenad Rashiq për gatishmërinë më të madhe të Qeverisë së Kosovës për themelimin e Asociacionit është një deklaratë që meriton sqarim institucional, sepse në një proces kaq të ndjeshëm politik dhe kushtetues, qëndrimet individuale nuk duhet të krijojnë përshtypjen e ndryshimit të politikës zyrtare shtetërore”, deklaron Halili për “Bota sot”.
Ai thekson se deklarata e Rashiqit nuk duhet të interpretohet automatikisht si vendim institucional, duke kërkuar që Qeveria të sqarojë nëse ministri ka folur në emër të saj dhe cilat do të ishin garancitë juridike e politike për vazhdimin e procesit.
“Për këtë arsye, Qeveria duhet të sqarojë publikisht nëse deklarata e ministrit përfaqëson qëndrimin e saj zyrtar, cilat janë parametrat e procesit dhe mbi çfarë garancish juridike e politike do të mbështetej zbatimi”, shprehet ai.
Duke folur për rëndësinë kushtetuese të kësaj çështjeje, Halili nënvizon se Asociacioni nuk lidhet vetëm me administrimin lokal, por edhe me funksionalitetin institucional dhe karakterin unitar të shtetit. Për këtë arsye, sipas tij, çdo zgjidhje duhet të respektojë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Asociacioni nuk është vetëm çështje e administrimit lokal. Asociacioni lidhet drejtpërdrejt me funksionalitetin institucional, rendin kushtetues, karakterin unitar të shtetit dhe marrëdhëniet ndërshtetërore në rajon. Prandaj, çdo zgjidhje duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese dhe me parimet e sistemit juridik të vendit”, thekson Halili.
Sa i përket fitores së Listës Studentore në Serbi, profesori kërkon që Kosova të mos e interpretojë këtë zhvillim si dëshmi të një ndryshimi të politikës së Beogradit ndaj saj. Ai rikujton se ndryshimi i përfaqësimit politik nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të qëndrimeve shtetërore.
“Duhet pasur kujdes që fitorja e Listës Studentore në Serbi të mos interpretohet automatikisht si ndryshim i politikës së Beogradit ndaj Kosovës. Ndryshimi i përfaqësimit politik nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të qëndrimeve shtetërore”, deklaron ai.
Halili vë në pah edhe një aspekt tjetër të deklaratës së Rashiqit, duke theksuar se sugjerimi për ta lënë përkohësisht anash çështjen e njohjes së Kosovës nga Serbia ngre dilema për barazinë e palëve në procesin e normalizimit.
“Në këtë kuptim, deklarata e Rashiqit duhet analizuar edhe për një arsye tjetër, ai nuk foli vetëm për gatishmërinë e Qeverisë për Asociacionin, por sugjeroi që çështja e njohjes së Kosovës nga Serbia të lihet përkohësisht jashtë diskutimit. Këtu qëndron një problem thelbësor politik. Normalizimi nuk mund të shndërrohet në një proces ku Kosova përmbush detyrimet e saj, ndërsa Serbia e shtyn pafundësisht njohjen e realitetit shtetëror të Kosovës”, shprehet Halili.
Duke folur për kushtet në të cilat duhet të vazhdojë procesi, ai kërkon zbatimin paralel të obligimeve dhe reciprocitet në veprimet e të dyja palëve. Sipas tij, çdo avancim në themelimin e Asociacionit duhet të shoqërohet me hapa konkretë të Serbisë në drejtim të normalizimit.
“Kosova duhet të mbështetet në parimin e reciprocitetit të detyrimeve dhe zbatimit paralel të marrëveshjeve. Kjo nënkupton që çdo avancim në themelimin e Asociacionit duhet të shoqërohet me hapa të matshëm të Serbisë në drejtim të normalizimit, respektimit të sovranitetit të Kosovës dhe njohjes de facto të dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të saj”, thekson Halili.
Ai rikujton se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 23 dhjetorit 2015 duhet të jetë pikënisje për çdo zgjidhje të ardhshme, duke përjashtuar mundësinë e krijimit të kompetencave që do të cenonin institucionet qendrore të Kosovës.
“Njëkohësisht, duhet të jetë e qartë se Asociacioni nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive, legjislative apo territoriale që do të cenonin funksionalitetin e institucioneve qendrore. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 23 dhjetorit 2015, në rastin KO130/15, përcakton se parimet e vitit 2015 nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese dhe se statuti duhet të harmonizohet me Kushtetutën”, deklaron ai.
Në vijim, Halili thekson se Kosova duhet të kërkojë nga Serbia zbatimin e marrëveshjeve, respektimin e sovranitetit të saj dhe përgjegjësi për zhvillimet që kanë cenuar sigurinë e vendit. Ai përmend në veçanti sulmin në Banjskë, duke e konsideruar llogaridhënien pjesë të një normalizimi të qëndrueshëm.
“Nuk duhet harruar as çështja e përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023. Normalizimi i qëndrueshëm kërkon edhe drejtësi dhe llogaridhënie për aktet që kanë cenuar sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, shprehet Halili.
Në përfundim, profesori nënvizon se Kosova duhet të vazhdojë dialogun, por pa lejuar që Asociacioni të trajtohet si koncesion i veçuar dhe pa u shkëputur nga përgjegjësitë që ka Serbia në këtë proces.
“Përfundimisht, Asociacioni duhet të trajtohet në kuadër të një procesi gjithëpërfshirës të normalizimit, jo si një koncesion i veçuar i Prishtinës. Kosova nuk duhet t'i mbyllë dyert dialogut, por as të pranojë që detyrimet e saj të shkëputen nga përgjegjësitë e Serbisë. Çdo hap përpara duhet të jetë kushtetues, institucional dhe i shoqëruar me rezultate konkrete në terren”, përfundon Halili për “Bota sot”.