Lista Studentore hyri pa leje zyrtare në Kosovë, Shala kërkon masa ndaj Serbisë: Ja çfarë duhet të bëjë shteti

Politika

Lista Studentore hyri pa leje zyrtare në Kosovë, Shala kërkon masa ndaj Serbisë: Ja çfarë duhet të bëjë shteti

Nga: N.E. Më: 13 nëntor 2026 Në ora: 12:03
Fotoilustrim – pikë kufitare e Kosovës dhe silueta e një manastiri ortodoks, në kontekstin e vizitës së Listës Studentore të Serbisë në Kosovë.

Vizita e përfaqësuesve të Listës Studentore nga Serbia në Kosovë, më 8 dhe 9 nëntor, është realizuar pa miratim paraprak nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD). Gjatë qëndrimit në Kosovë, përfaqësuesit e kësaj liste kanë zhvilluar takime dhe kanë bërë deklarata lidhur me zhvillimet politike në Serbi dhe angazhimin e tyre në procesin e ndryshimeve politike në vend.

Ndërkaq, MPJD ka bërë të ditur se nuk ka pranuar asnjë kërkesë për vizitë zyrtare nga përfaqësuesit e Listës Studentore dhe se hyrja e tyre në Kosovë është realizuar në cilësinë e qytetarëve të zakonshëm.

Delegacioni, i cili përbëhej nga disa kandidatë të Listës Studentore, pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, ka vizituar Graçanicën, Deçanin dhe Prizrenin. Gjatë qëndrimit në Kosovë, ata janë takuar me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, përfshirë mitropolitin Teodosije në Manastirin e Graçanicës dhe igumenin Sava Janjiq në Manastirin e Deçanit.

Gjatë kësaj vizite, Fegja Dimoviq, njëri nga kandidatët e Listës Studentore, ka deklaruar se Kosova zë vend të rëndësishëm në programin e tyre politik, duke e cilësuar atë si “pjesë përbërëse të Serbisë” dhe “shtyllë të identitetit tonë shpirtëror dhe kulturor”. Ndërkaq, përfaqësuesit e kësaj liste kanë thënë se synojnë të angazhohen për mbrojtjen e komunitetit serb, të drejtave të tij dhe objekteve fetare ortodokse.

Lidhur me këtë vizitë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka sqaruar se nuk ka pranuar asnjë kërkesë për vizitë zyrtare dhe, rrjedhimisht, nuk ka dhënë miratim paraprak.

“Lidhur me vizitën e përfaqësuesve të Listës Studentore, më 8 dhe 9 nëntor 2026, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka pranuar kërkesë për vizitë zyrtare dhe, rrjedhimisht, nuk ka lëshuar ndonjë miratim të tillë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të MPJD-së për Rtk.

Ministria ka sqaruar se kërkesat për vizita zyrtare të përfaqësuesve të institucioneve të Serbisë në Kosovë përcillen përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi dhe trajtohen sipas procedurave përkatëse institucionale.

Megjithatë, sipas MPJD-së, përfaqësuesit e Listës Studentore ende nuk mbajnë funksione zyrtare në institucionet shtetërore të Serbisë, prandaj hyrja dhe qëndrimi i tyre në Kosovë janë realizuar në cilësinë e qytetarëve të zakonshëm.

“Duke qenë se përfaqësuesit në fjalë nuk mbajnë akoma funksione zyrtare në institucionet shtetërore të Serbisë, hyrja dhe qëndrimi i tyre në Republikën e Kosovës janë realizuar në cilësinë e qytetarëve të zakonshëm, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përgjithshme për hyrjen dhe qëndrimin e shtetasve të Serbisë në Republikën e Kosovës. Për vizita të kësaj natyre nuk kërkohet miratim paraprak nga MPJD-ja”, thuhet në përgjigje.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka folur për “Bota sot” rreth vizitës së Listës Studentore nga Serbia dhe mekanizmave që duhet t’i ketë Kosova për monitorimin e vizitave të figurave me ndikim politik nga Serbia.

Sipas Shalës, Republika e Kosovës duhet të ketë një qasje të qartë, të qëndrueshme dhe të bazuar në reciprocitet.

E drejta për vizitë në Kosovë, sipas tij, nuk duhet të shndërrohet në mundësi për deklarime politike që cenojnë rendin kushtetues.

“Vizita e përfaqësuesve të Listës Studentore, të cilët kanë fituar zgjedhjet në Serbi, hyrja e tyre në territorin e Republikës së Kosovës dhe deklarimet publike të bëra para dhe pas hyrjes, duhet të shërbejnë si një rast për rishikimin e kritereve institucionale për trajtimin e vizitave të përfaqësuesve politikë nga Serbia.

Republika e Kosovës duhet të ketë një qasje të qartë, të qëndrueshme dhe të bazuar në reciprocitet. Pavarësisht nëse vizitat kanë karakter zyrtar, privat, familjar apo humanitar, çdo kërkesë për hyrje duhet të trajtohet në bazë të kritereve të përcaktuara paraprakisht. E drejta për vizitë nuk duhet të shndërrohet në mundësi për deklarime politike që cenojnë rendin kushtetues, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, deklaron Shala.

Image
Drizan Shala

Deklarimet që bien ndesh me kushtet e miratuara, atëherë duhet të ekzistojnë mekanizma ligjorë për refuzimin e hyrjes së vizitave të ardhshme, thotë eksperti i sigurisë.

“Në këtë drejtim, institucionet përkatëse duhet të përcaktojnë kritere të qarta për lejimin e vizitave, përfshirë respektimin e rendit juridik, qëllimin e vizitës, deklarimet publike dhe përgjegjësinë e përfaqësuesve politikë. Në rast të deklarimeve që bien ndesh me kushtet e miratuara ose të shmangies së qëllimshme nga qëllimi i deklaruar i vizitës, duhet të ekzistojnë mekanizma ligjorë për refuzimin e hyrjes në vizitat e ardhshme”, thekson eksperti.

Element me rëndësi tjetër, sipas Shalës, është reciprociteti me Serbinë.

“Një element tjetër i rëndësishëm është reciprociteti me Serbinë. Beogradi ka aplikuar kufizime edhe ndaj përfaqësuesve të Kosovës, përfshirë raste kur vizitat kanë pasur karakter privat, familjar apo humanitar. Prandaj, Kosova duhet ta trajtojë këtë çështje edhe në kontekstin e praktikave që zbaton Serbia ndaj përfaqësuesve të saj. Megjithatë, çdo masë kufizuese duhet të jetë individuale, proporcionale, e arsyetuar dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi”, përfundon Shala.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat