Hyseni sfidon narrativën ekonomike të LVV-së: A po përkthehet rritja e PBB-së në mirëqenie për qytetarët?

Politika

Hyseni sfidon narrativën ekonomike të LVV-së: A po përkthehet rritja e PBB-së në mirëqenie për qytetarët?

Nga: N.E. Më: 12 nëntor 2026 Në ora: 10:00
Kabineti Kurti voton projektbuxhetin për vitin 2027, Prishtinë, 2 nëntor 2026. Foto: Zyra e Kryeministrit

Miratimi i buxhetit të Kosovës për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, pritet të jetë një prej instrumenteve kryesore për përcaktimin e prioriteteve ekonomike dhe zhvillimore të vendit. Në një kohë kur Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e paraqet rritjen ekonomike dhe treguesit makroekonomikë si dëshmi të suksesit të qeverisjes, vëmendja po përqendrohet gjithnjë e më shumë edhe te ndikimi konkret i këtyre rezultateve në jetën e qytetarëve.

Megjithatë, përtej shifrave të buxhetit dhe përqindjeve të rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), mbetet e rëndësishme të analizohet se sa po përkthehet ky zhvillim në mirëqenie, fuqi më të madhe blerëse, vende të reja pune dhe forcim të prodhimit vendor.

Në këtë debat, ekonomistët dhe analistët vënë në pah se rritja ekonomike nuk mund të jetë treguesi i vetëm për të vlerësuar performancën e një qeverie, pasi ajo nuk e pasqyron domosdoshmërisht shpërndarjen e pasurisë dhe përmirësimin e standardit të jetesës.

Analisti politik dhe ekonomik, Nehat Hyseni, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, vlerëson se ekonomia duhet të analizohet përmes një tërësie treguesish, duke përfshirë inflacionin, pagat reale, punësimin, varësinë nga importet, prodhimin vendor dhe emigrimin.

Sipas tij, edhe pse zgjerimi i aktivitetit ekonomik dhe rritja e pagave janë zhvillime pozitive, ato nuk mjaftojnë për të dëshmuar se të gjithë qytetarët po përfitojnë nga rritja ekonomike.

Hyseni thekson se në diskursin politik dhe ekonomik të Kosovës, rritja e Produktit të Brendshëm Bruto është shndërruar në një prej argumenteve kryesore për të dëshmuar suksesin e qeverisjes së LVV-së.

Megjithatë, ai konsideron se një qasje e tillë është e ngushtë, pasi PBB-ja mat vlerën e përgjithshme të prodhimit ekonomik, por nuk tregon se si shpërndahet pasuria dhe kush përfiton prej saj.

“Ekonomia nuk mund të vlerësohet vetëm përmes përqindjeve të rritjes së PBB-së. Kjo do të ishte një qasje tepër e ngushtë. PBB-ja mat vlerën e përgjithshme të prodhimit ekonomik, por nuk tregon se si shpërndahet kjo pasuri, kush përfiton prej saj dhe sa përmirësohet jeta e qytetarëve”, shprehet Hyseni.

Ai nënvizon se kjo nuk duhet të shihet vetëm si polemikë politike ndaj qeverisë aktuale, por si kriter objektiv për vlerësimin e çdo qeverie, pavarësisht orientimit të saj ideologjik dhe politik.

Sipas tij, një qeveri nuk mund ta konsiderojë rritjen e prodhimit kombëtar si sukses të plotë ekonomik nëse qytetarët vazhdojnë të përballen me kosto të larta të jetesës, vështirësi në përballimin e shpenzimeve familjare, pasiguri në punësim dhe mungesë perspektive ekonomike.

“Në fund të fundit, ekonomia nuk ekziston për t’i shërbyer statistikave, por statistikat duhet t’i shërbejnë kuptimit dhe përmirësimit të jetës së njerëzve”, thekson ai.

Duke u ndalur te treguesit makroekonomikë, Hyseni thotë se të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë ngadalësim të rritjes reale të ekonomisë së Kosovës, nga 4.6 për qind në vitin 2024 në rreth 3.6 për qind në vitin 2025, ndërsa për vitin 2026 ishte parashikuar rritje prej rreth 3.3 për qind.

Ai përmend edhe rritjen e PBB-së nominale nga 9.68 miliardë euro në vitin 2024 në 10.35 miliardë euro në vitin 2025, duke theksuar se këto shifra dëshmojnë zgjerim të aktivitetit ekonomik, por nuk e përjashtojnë nevojën për të analizuar cilësinë dhe burimet e kësaj rritjeje.

“Duhet të shqyrtohet jo vetëm sa rritet ekonomia, por edhe prej nga vjen kjo rritje: nga prodhimi vendor, investimet private dhe eksportet, apo nga konsumi, importet dhe shpenzimet publike. Dallimi është thelbësor. Një ekonomi që mbështetet kryesisht në konsum dhe importe ka një strukturë tjetër zhvillimore nga një ekonomi që rritet përmes prodhimit, inovacionit, eksporteve dhe investimeve produktive”, shprehet Hyseni.

Ai vlerëson se dobësimi i eksporteve neto dhe ngadalësimi i kërkesës private, të evidentuara edhe në vlerësimet e FMN-së, duhet të shërbejnë si sinjal për nevojën e ndryshimit të strukturës ekonomike të vendit.

Një tjetër çështje në të cilën ndalet Hyseni është inflacioni dhe ndikimi i tij në fuqinë blerëse të qytetarëve.

Ai thekson se rritja e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve prek veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta, të cilat shpenzojnë pjesën më të madhe të buxhetit familjar për ushqim, energji, banim dhe transport.

Sipas tij, inflacioni nuk duhet të trajtohet vetëm si tregues statistikor, por edhe si fenomen me pasoja të drejtpërdrejta sociale.

“Për një familje me të ardhura të ulëta, rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe energjisë mund të ketë pasoja shumë më të rënda sesa për një familje me të ardhura të larta. Prandaj, inflacioni nuk duhet të trajtohet vetëm si tregues statistikor, por edhe si fenomen me pasoja të drejtpërdrejta sociale. Rritja e PBB-së dhe rritja e inflacionit mund të bashkëjetojnë, por kjo nuk do të thotë se qytetarët janë domosdoshmërisht më të pasur”, deklaron ai.

Në anën tjetër, Hyseni përmend edhe rritjen e pagës mesatare neto, e cila sipas të dhënave të ASK-së arriti në 636 euro në vitin 2025, krahasuar me 552 euro në vitin paraprak.

Ai e konsideron këtë zhvillim pozitiv, por paralajmëron se mesatarja statistikore nuk e pasqyron domosdoshmërisht gjendjen e çdo familjeje.

“Duhet të dallojmë pagën mesatare nga paga mediane. Paga mesatare mund të ndikohet nga pagat shumë të larta të një numri të vogël punonjësish, ndërsa mediana tregon nivelin që ndan punonjësit në dy gjysma sipas pagës. Për këtë arsye, analiza e mirëqenies duhet të përfshijë edhe shpërndarjen e pagave, të ardhurat familjare dhe shpenzimet reale të jetesës”, thotë Hyseni.

Ai shton se nuk do të ishte e saktë të pretendohej se të gjithë punonjësit janë varfëruar për shkak të inflacionit, pasi një pjesë e tyre kanë përfituar rritje reale të të ardhurave. Megjithatë, sipas tij, duhet të analizohet edhe gjendja e pensionistëve, të papunëve, familjeve që jetojnë me ndihmë sociale dhe punonjësve me paga të ulëta.

Duke folur për problemet strukturore të ekonomisë së Kosovës, Hyseni veçon varësinë e madhe nga importet, e cila, sipas tij, e bën vendin më të cenueshëm ndaj zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare.

Ai thekson se Kosova ka nevojë për një politikë ekonomike që prodhimin vendor e trajton si prioritet strategjik dhe jo si pjesë dytësore të konsumit.

“Pa një transformim të tillë, rritja ekonomike rrezikon të mbetet e mbështetur në konsum, importe, transferta dhe shpenzime publike, pa krijuar bazë të mjaftueshme për zhvillim afatgjatë”, vlerëson ai.

Sipas Hysenit, zhvillimi ekonomik duhet të orientohet drejt industrisë përpunuese, modernizimit të bujqësisë dhe industrisë ushqimore, mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, rritjes së eksporteve, investimeve në teknologji dhe përmirësimit të infrastrukturës energjetike.

Ai konsideron se vetëm përmes këtyre politikave mund të krijohen vende pune me produktivitet më të lartë dhe paga më të mira.

Hyseni ndalet edhe te tregu i punës, duke vlerësuar se rritja e PBB-së merr kuptim më të plotë vetëm kur shoqërohet me krijimin e vendeve të reja të punës dhe përfshirjen më të madhe të popullsisë në aktivitetin ekonomik.

Ai përmend shkallën e ulët të punësimit, pasivitetin e lartë ekonomik të grave dhe numrin e të rinjve që nuk janë të përfshirë në arsim, punësim apo aftësim profesional.

Sipas tij, këta tregues dëshmojnë se Kosova nuk përballet vetëm me mungesën e vendeve të punës, por edhe me probleme të pjesëmarrjes në tregun e punës, mospërputhjes së aftësive profesionale me kërkesat e ekonomisë dhe emigrimit të vazhdueshëm.

“Një shtet nuk mund ta konsiderojë sukses të plotë ekonomik një situatë në të cilën rriten treguesit makroekonomikë, por një pjesë e konsiderueshme e të rinjve vazhdon ta kërkojë të ardhmen jashtë vendit. Prandaj, një prej kritereve më të rëndësishme për vlerësimin e politikës ekonomike të LVV-së duhet të jetë aftësia për të krijuar kushte që qytetarët të punojnë, të jetojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë”, deklaron Hyseni.

Në kontekstin e miratimit të buxhetit për vitin 2027, Hyseni vlerëson se përgjegjësia e qeverisë duhet të matet jo vetëm me shumën e mjeteve të ndara, por mbi të gjitha me efektivitetin e shpenzimit të tyre.

Ai thekson se qeveria ka instrumente të rëndësishme për të ndikuar në drejtimin e zhvillimit ekonomik, përmes politikës fiskale, investimeve kapitale, politikave tatimore, subvencioneve, arsimit profesional dhe mbështetjes së prodhimit vendor.

“Një politikë fiskale zhvillimore nuk duhet të kufizohet në mbledhjen e të hyrave buxhetore dhe rritjen e shpenzimeve publike. Ajo duhet të orientohet drejt investimeve që krijojnë kapacitete të reja prodhuese dhe rrisin produktivitetin. Është me rëndësi të bëhet dallimi ndërmjet shpenzimeve që ndikojnë përkohësisht në konsum dhe investimeve që krijojnë vlerë ekonomike për shumë vite”, shprehet ai.

Sipas Hysenit, investimet në infrastrukturën industriale, energji, teknologji dhe arsim profesional mund të prodhojnë efekte afatgjata në ekonominë kombëtare, ndërsa shpenzimet që nuk shoqërohen me rritje të produktivitetit mund të kenë ndikim të kufizuar në zhvillim.

Për këtë arsye, ai konsideron se edhe buxheti i vitit 2027 duhet të vlerësohet përmes rezultateve konkrete që prodhon në ekonomi dhe në jetën e qytetarëve, e jo vetëm përmes madhësisë së tij.

Në përfundim, Hyseni thekson se vlerësimi i qeverisjes së LVV-së duhet të mbështetet në një sistem më të gjerë treguesish ekonomikë dhe socialë, duke përfshirë PBB-në reale për frymë, fuqinë blerëse, pagat dhe pensionet reale, punësimin, varfërinë, pabarazinë dhe strukturën e prodhimit vendor.

Ai nënvizon se nuk është e drejtë që çdo rezultat pozitiv ekonomik t'i atribuohet ekskluzivisht qeverisë, ashtu siç nuk është e drejtë që çdo problem ekonomik t'i faturohet vetëm asaj. Megjithatë, qeveria duhet të mbajë përgjegjësi politike për politikat që zbaton dhe prioritetet që përcakton.

“Kosova ka nevojë për një debat ekonomik më serioz, më profesional dhe më të argumentuar sesa ai që zhvillohet përmes deklaratave politike mbi përqindjet e rritjes së PBB-së. Rritja ekonomike është e rëndësishme dhe duhet vlerësuar si një zhvillim pozitiv, por ajo nuk është qëllim në vetvete. Qëllimi përfundimtar është krijimi i një ekonomie produktive, konkurruese dhe të qëndrueshme, e cila gjeneron vende pune, të ardhura reale dhe mirëqenie për qytetarët”, përfundon Hyseni.

Sipas tij, sfida e vërtetë ekonomike e Kosovës nuk është vetëm të prodhojë më shumë, por të krijojë më shumë vlerë vendore, ta shpërndajë më drejt pasurinë e krijuar dhe t'u sigurojë qytetarëve mundësi reale për një jetë më të mirë.

“Prandaj, pyetja themelore për qeverinë e LVV-së dhe për çdo qeveri tjetër në Kosovë mbetet: a po rritet vetëm ekonomia në statistika, apo po përmirësohet edhe jeta e qytetarëve në realitet? Sepse, në fund të fundit, suksesi i një qeverie nuk matet vetëm me miliardat e PBB-së, por edhe me mundësinë që qytetari i zakonshëm të jetojë më mirë, të punojë me dinjitet dhe ta shohë të ardhmen e vet në vendin e tij”, thekson Hyseni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat