“Rruga e gabuar”, ky është parashikimi për PDK-në

Politika

“Rruga e gabuar”, ky është parashikimi për PDK-në

Nga: P.R Më: 17 mars 2021 Në ora: 21:36
Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, në takimin me fituesit e zgjedhjeve të shkurtit, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, ka deklaruar se pasi partia e tij pret të marrë përgjigje në 10 pyetjet të cilat ia ka parashtruar në takim

“Kur të marrim një përgjigje për këto çështje që janë thelbësore për të ardhmen e Republikës së Kosovës, PDK-ja do të marrë qëndrim në organet e saj partiake në lidhje me pozicionin që do të ketë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Enver Hoxhaj.

E për pyetjet e parashtruara nga Enver Hoxhaj dhe sjelljen e PDK-së, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Faton Mehmeti.

Ai thotë se pyetjet e Hoxhajt, më shumë janë gabime që janë bërë pikërisht nga PDK gjatë kohës sa ishte në qeverisje.

Image
Faton Mehmeti

“Kur të humb marrja njeriu nuk le gjë pa bë, kështu mund të përshkruhet PDK sot. Më 10 pikat e saj, PDK dëshmojë edhe një herë pafytyrësinë e saj tashmë të njohur. Si mund t'i kërkosh dikujt llogari për gabimet e tua, për më tepër edhe të mundohesh të përfitosh”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

Sipas tij, me këtë qasje PDK e ka të garantuar opozitën për 12 vitet e ardhshme.

“Me këtë mendësi të saj PDK është në rrugë të gabuar të saj. Ajo ka nevojë të kërkoj llogari nga vetja e saj për mëkatet, gabimet e bëra gjatë tërë rrugës së tyre. Pikërisht për gabimet e tyre janë ku janë sot, ky duhet të ishte bazament i pikënisjes së saj drejt reformimit. Besoj se edhe në PDK do të ketë ndryshime, do të ketë zgjedhje të reja brenda këtij viti kalendarik”, deklaron për “Bota sot”, analisti politik, Faton Mehmeti.

Ndërkohë, këto ishin 10 pyetjet që Enver Hoxhaj i ka parashtruar në takimin me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin:

1. Sa herë që ka pasur zgjedhje të Qeverisë ose të Presidentit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, institucionet janë sulmuar dhe dhuna është ushtruar ndaj shumicës në Kuvend, në seancë duke hedhur gaz ose duke u sulmuar institucioni i Kuvendit. Unë kam kërkuar ta di nëse z. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetvendosje do të heqin dorë nga dhuna politike si mjet politik.

2. Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me qëllimin përfundimtar të njohjes reciproke. A do ta mbajnë ata premtimin e dhënë për qytetarët e Kosovës se nuk do të fillojnë dialog me Serbinë pa një kërkimfalje zyrtare nga Serbia dhe kthimin e të gjithë personave të zhdukur?

3. Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe. A do ta sjellin në Parlament anulimin e këtij projekti dhe të marrëveshjeve të Brukselit?

4. Ata i kam pyetur edhe lidhur me pozicionimin e tyre në lidhje me demarkimin e kufirit me Malin e Zi? Dhe nëse ata, në përputhje me shkëmbimin e letrave midis Presidentëve të Kosovës dhe të Malit të Zi, a do ta rishikojnë kufirin, posaçërisht për pjesën e Zhlebit dhe të Çakorrit, ashtu siç kishin premtuar. Ata duhet të dalin edhe me një afat kohor për jetësimin e këtij premtimi.

5. Nuk mora përgjigje po ashtu nëse ata do ta respektojnë dhe do ta zbatojnë Marrëveshjen e Uashingtonit?

6. I kam pyetur po ashtu nëse do të pranojnë të hynë në Tregun e Përbashkët Rajonal (Mini-Shengen) pa njohjen e plotë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina?

7. Gjatë qeverive Kurti 1 dhe Hoti, sovraniteti i Republikës së Kosovës u pezullua kur këto qeveri u tërhoqën nga kërkimi i anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare dhe njohje të Republikës së Kosovës. Kërkova të di nëse Kosova do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe se a do të kërkojnë njohje nga të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara duke i dhënë fund pezullimit të sovranitetit?

8. Trashëgimia juaj politike që nga viti 2007 ka qenë ta kundërshtoni Planin Ahtisaari, i cili është në thelb karakteri kushtetues i Kosovës. Kam kërkuar të di nga z. Kurti nëse ka hequr dorë nga ky qëllim?

9. Një premtim ka qenë edhe reciprociteti. Kam kërkuar të di nga ta nëse do të rikthehet reciprociteti me Serbinë dhe a do të jetë ashtu si gjatë qeverisë Kurti 1 reciprocitet administrativ apo do të zbatohet reciprocitet i plotë politik, ekonomik dhe tregtar?

10. Z. Kurti dhe znj. Osmani kanë kundërshtuar marrëveshjen e Brukselit në lidhje me fusnotën? Kam kërkuar një zotim nga ta nëse do ta anulojnë këtë marrëveshje dhe a do të tërhiqen nga fusnota, siç kanë premtuar gjatë gjithë viteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat