"Republika e Dardanisë nuk mund të vihet në pikëpyetje për katërshen në Hagë"

Politika

"Republika e Dardanisë nuk mund të vihet në pikëpyetje për katërshen në Hagë"

Nga: H.O. Më: 11 nëntor 2026 Në ora: 21:54
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi/ Ilustrim

Veprimtari Hafiz Shala ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth procesit gjyqësor ndaj “katërshes” në Hagë, duke theksuar se mbështetja për të akuzuarit nuk duhet të shndërrohet në rrezikim të shtetësisë së Kosovës dhe marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë.

Shala vlerëson se Gjykata Speciale nuk po gjykon UÇK-në si organizatë ushtarake, por individë të saj, të cilët, sipas tij, duhet t'i kundërshtojnë akuzat përmes argumenteve dhe dëshmive në procesin gjyqësor.

“Republika e Dardanisë nuk mund të vihet në pikëpyetje për katërshen në Hagë”, shprehet Shala, duke rikujtuar se Albin Kurti, në cilësinë e deputetit, së bashku me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, e kishin kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale, madje edhe përmes hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend.

Sipas tij, shteti duhet të angazhohet për të adresuar pretendimet për shkelje të ligjit dhe tejkalim të kompetencave nga kjo gjykatë, por pa cenuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

“Ata duhet të mbrohen me argumente kundër akuzave, ndërsa për çështjet e tjera rreth shkeljes së ligjit dhe tejkalimit të kompetencave të kësaj gjykate duhet të angazhohet shteti aq sa ka fuqi, por të mos presë dikush se duhet të rrezikohet statusi i shtetit dhe të vihen në pikëpyetje marrëdhëniet me ata që na çliruan dhe ata të cilëve po u lutemi të na pranojnë në BE”, deklaron Shala.

ImageVeprimtari Hafiz Shala

Ai ka ngritur edhe çështjen e vizitave të ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë dhe pretendimeve të Prokurorisë së Specializuar për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve, duke thënë se këto zhvillime, sipas vlerësimit të tij, kanë ngritur pikëpyetje rreth procesit dhe pafajësisë së të akuzuarve.

Në reagimin e tij, Shala kritikon edhe mënyrën se si është kundërshtuar Gjykata Speciale, duke konsideruar se politikanët që kanë mbështetur themelimin e saj duhet të kërkojnë falje para qytetarëve.

“Ata, bashkë me 82 deputetët, është dashur t'i kërkojnë falje popullit të Dardanisë për gabimin trashanik që e kanë bërë”, shprehet ai.

Shala përmend edhe zhvillimet politike që, sipas tij, kanë ndikuar në krijimin e kësaj situate, duke përmendur raportet e Hashim Thaçit me Edi Ramën, Aleksandar Vuçiqin dhe Richard Grenellin. Ai pretendon se Thaçi kishte pasur besim te këta aktorë, por në fund ishte tradhtuar prej tyre.

Duke komentuar tubimet e organizuara në mbështetje të tyre në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, Shala thotë se mesazhet e përdorura në këto organizime nuk kanë ndihmuar në sqarimin e natyrës së procesit gjyqësor.

Sipas tij, përsëritja e pretendimit se në Hagë po gjykohet UÇK-ja si ushtri nuk përputhet me atë që ai e konsideron si qëndrimin e qartë të gjykatës, se përgjegjësia penale po shqyrtohet ndaj individëve.

Ai ka komentuar edhe mungesën e përfaqësimit të Familjes Jashari dhe të figurës së komandantit legjendar Adem Jashari në disa prej këtyre tubimeve, duke shprehur kritika ndaj PDK-së dhe duke pretenduar se kjo parti nuk ka pasur gjithmonë mirëkuptim me Familjen Jashari.

Në vijim, Shala ka kritikuar edhe qëndrimet politike të Edi Ramës për Kosovën, duke e lidhur këtë me mbështetjen e tij për nismën “Ballkani i Hapur” dhe raportet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Në fund, ai propozon që institucionet e Kosovës të krijojnë një komision të posaçëm, i cili do të kishte qasje në vendimet e Gjykatës Speciale dhe do të përcillte respektimin e të drejtave të njeriut gjatë procesit gjyqësor.

“Republika e Dardanisë duhet që, përmes një Komisioni të posaçëm, të ketë qasje në vendimet e Gjykatës, duke e përcjellë aspektin e shkeljes së të drejtave njerëzore”, thekson Shala.

Ai kërkon gjithashtu që dënimet e shqiptuara të shqyrtohen në raport me standardet dhe garancitë e përcaktuara në konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat