Procesi i përzgjedhjes së gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka hyrë në një fazë të re, pasi Komisioni i Posaçëm ka shqyrtuar nominimet dhe ka përcaktuar kandidatët që plotësojnë kriteret kushtetuese dhe ligjore për të vazhduar garën.
Testimi me shkrim do të mbahet më 18 nëntor, ndërsa intervistimi me gojë më 27 nëntor.
Kryetari i Komisionit të Posaçëm, Vigan Qorrolli, ka theksuar se procesi do të zhvillohet duke garantuar parimet e ligjshmërisë, transparencës dhe meritokracisë.
“Procesi i përzgjedhjes do të zhvillohet mbi parimet e ligjshmërisë, transparencës, paanshmërisë dhe meritokracisë, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë kandidatët”, ka deklaruar Qorrolli.
Ndërkohë, lidhur me rëndësinë e këtij procesi dhe nevojën për plotësimin e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, avokati Ardian Bajraktari, në një prononcim për “Bota sot”, ka shprehur shpresën që gjyqtarët e rinj të përzgjidhen përmes një procesi të ligjshëm, transparent dhe të bazuar në meritë.
“Shpresojmë që gjyqtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese të përzgjidhen përmes një procesi të ligjshëm, transparent dhe meritor”, ka deklaruar Bajraktari.
Ai ka theksuar se plotësimi i përbërjes së Gjykatës duhet të bëhet pa vonesa, pasi shtyrja e këtij procesi mund të rrezikojë funksionimin e institucionit dhe aftësinë e tij për të marrë vendime.
Sipas tij, kjo çështje bëhet edhe më e rëndësishme duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese tashmë prej një periudhe funksionon me përbërje jo të plotë, përkatësisht me shtatë nga nëntë gjyqtarët që duhet t'i ketë.
“Plotësimi i përbërjes së Gjykatës duhet të bëhet pa vonesa, pasi që gjatë vitit të ardhshëm ajo rrezikon të mbetet pa kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur dihet se Gjykata tashmë për një kohë funksionon me përbërje jo të plotë, përkatësisht me 7 nga 9 gjyqtarët sa duhet t’i ketë”, ka përfunduar Bajraktari për “Bota sot”.