Pretendimet territoriale ndaj Kosovës vazhdojnë të jenë pjesë e diskursit politik në Serbi, pavarësisht ndryshimeve të aktorëve politikë dhe përpjekjeve për t'u paraqitur si alternativë e re në skenën politike të vendit. Kjo u dëshmua edhe nga deklaratat e fundit të përfaqësuesve të Listës Studentore në Serbi, të cilët gjatë vizitës së tyre në Kosovë përsëritën qëndrimet tradicionale të politikës serbe, duke e cilësuar Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë.
Kandidati i kësaj liste, Fegja Dimoviq, deklaroi se Kosova zë një vend të rëndësishëm në programin e tyre politik, duke e konsideruar atë “pjesë përbërëse të Serbisë” dhe “shtyllë të identitetit tonë shpirtëror dhe kulturor”.
Pas vizitës, ai publikoi një mesazh në Facebook, ku tha se janë kthyer me vendosmëri për të luftuar krimin e organizuar në Serbi, ndërsa serbëve në Kosovë u përcolli një mesazh solidariteti.
“Bashkëkombësve tanë në Kosovë u përcjellim një mesazh dashurie dhe solidariteti, me premtimin e qartë se nuk do t’i harrojmë kurrë”, shkroi Dimoviq.
Deklaratat e tij kanë ngritur sërish pikëpyetje nëse ndryshimi i gjeneratave dhe subjekteve politike në Serbi mund të sjellë një qasje të re ndaj Kosovës, apo nëse bëhet fjalë vetëm për vazhdimësinë e politikës së vjetër, me aktorë të rinj.
Ndërkohë, ekspertët e sigurisë, Fidair Berisha dhe Bedri Elezi, vlerësojnë se ndryshimi i pushtetit dhe i përfaqësuesve politikë në Serbi nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të politikës ndaj Kosovës. Sipas tyre, çdo subjekt që synon të paraqitet si alternativë e re politike duhet të dëshmojë me qëndrime dhe veprime konkrete se është i gatshëm ta pranojë realitetin e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.
Berisha: Fakti që kjo është vizita e tyre e parë pas fitores në zgjedhjet në Serbi, e bën atë edhe më domethënëse
Fillimisht, eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, në prononcimin e tij për “Bota sot” e ka cilësuar vizitën e përfaqësuesve të Listës Studentore në Kosovë si një mesazh politik, duke thënë se ajo dëshmon vazhdimësinë e qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.
Sipas tij, legjitimiteti politik fitohet përmes qëndrimeve dhe veprimeve konkrete, e jo vetëm përmes vizitave dhe deklaratave.
“Vizitën e përfaqësuesve të Listës Studentore në Kosovë, para së gjithash, e shoh si një mesazh politik. Fakti që kjo është vizita e tyre e parë pas fitores në zgjedhjet në Serbi, e bën atë edhe më domethënëse. Përmes saj, ata dëshirojnë të dëshmojnë se Kosova mbetet pjesë e agjendës së tyre politike dhe se, pavarësisht ndryshimit të aktorëve politikë në Serbi, nuk ka ndryshim të dukshëm në qasjen e tyre ndaj shtetësisë së Kosovës.
Mënyra se si u organizua kjo vizitë e përforcon këtë vlerësim. Takimet me institucionet e Kishës Ortodokse Serbe, pa zhvilluar takime me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, tregojnë se fokusi ishte më shumë te simbolika identitare dhe mesazhi politik sesa te një angazhim konkret për çështjet që prekin drejtpërdrejt këtë komunitet.
Konsideroj se klasa politike në Serbi, përfshirë edhe Listën Studentore, duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur, i shpallur më 17 shkurt 2008. Ky është realiteti politik mbi të cilin duhet të ndërtohen marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Ndryshimi i emrave dhe subjekteve politike në Serbi nuk përbën domosdoshmërisht ndryshim politik, nëse vazhdon i njëjti qëndrim mohues ndaj pavarësisë së Kosovës.
Në këtë kuptim, e shoh vizitën edhe si përpjekje të Listës Studentore për të fituar hapësirë dhe legjitimitet politik brenda komunitetit serb në Kosovë, si dhe për t’u pozicionuar si alternativë ndaj strukturave ekzistuese politike serbe. Megjithatë, legjitimiteti nuk fitohet vetëm përmes vizitave dhe deklaratave, por përmes qëndrimeve dhe veprimeve konkrete”, u shpreh ai.
Berisha theksoi se testi i vërtetë i Listës Studentore do të jetë mbrojtja e interesave të serbëve të Kosovës, duke respektuar sovranitetin dhe institucionet e vendit, si dhe shkëputja nga qasjet e vjetra të politikës serbe.
“Për mua, testi i vërtetë i kësaj liste do të jetë nëse do të jetë në gjendje të kontribuojë në mbrojtjen e interesave të qytetarëve serbë të Kosovës, duke respektuar institucionet, sovranitetin dhe rendin kushtetues të vendit ku ata jetojnë.
Kosova nuk ka nevojë për deklarata të reja të pretendimeve territoriale, por për fqinjësi të mirë, respektim të ndërsjellë dhe bashkëpunim. Nëse Lista Studentore synon të përfaqësojë një ndryshim në politikën serbe, këtë duhet ta dëshmojë duke u shkëputur nga qasjet e vjetra dhe duke pranuar se marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ndërtohen vetëm mbi njohjen e realiteteve politike, respektimin e sovranitetit dhe dialogun”, tha ai për “Bota sot”.
Elezi: Kosova nuk është çështje e brendshme e Serbisë dhe as instrument për mobilizimin politik të elektoratit serb
Eksperti i sigurisë Bedri Elezi, ka vlerësuar se deklaratat e Listës Studentore tregojnë se ndryshimi i pushtetit në Serbi nuk nënkupton ndryshim të qëndrimit ndaj Kosovës, duke theksuar se Serbia duhet ta pranojë pavarësinë dhe sovranitetin e saj.
“Deklaratat e Listës Studentore për Kosovën tregojnë se ndryshimi i pushtetit në Serbi nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe ndryshim të politikës ndaj Kosovës.
Vizita e përfaqësuesve të Listës Studentore në Kosovë dhe deklaratat e Fegja Dimoviqit, i cili e cilëson Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë dhe shtyllë të identitetit shpirtëror e kulturor serb, janë tregues se çështja e Kosovës vazhdon të mbetet pjesë qendrore e diskursit politik në Serbi.
Mesazhi që përcillet nga kjo vizitë nuk mund të konsiderohet thjesht një aktivitet kulturor apo solidaritet me komunitetin serb. Kur një lëvizje politike, e cila synon të marrë përgjegjësi shtetërore, vjen në Kosovë dhe përsërit pretendimet territoriale të Serbisë, atëherë kemi të bëjmë me një pozicionim të qartë politik, i cili duhet të analizohet me seriozitet.
Është e papranueshme që Serbia të kërkojë të ndërtojë një të ardhme të re politike, ndërsa vazhdon të mbajë të njëjtat pretendime ndaj një shteti të pavarur dhe sovran. Kosova nuk është çështje e brendshme e Serbisë dhe as instrument për mobilizimin politik të elektoratit serb. Pavarësia e Kosovës është realitet politik dhe juridik, të cilin Serbia duhet ta pranojë dhe ta trajtojë si bazë për ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, tha ai.
Elezi theksoi se Serbia duhet të dëshmojë ndryshim konkret në politikën ndaj Kosovës, të njohë pavarësinë e saj dhe të garantojë të drejta të barabarta për shqiptarët që jetojnë në Serbi, duke respektuar standardet evropiane të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
“Në këtë kontekst, nëse Lista Studentore synon të përfaqësojë një gjeneratë të re politike dhe të hapë një kapitull të ri në Serbi, ajo duhet ta dëshmojë këtë përmes ndryshimit konkret të politikës ndaj Kosovës, e jo përmes përsëritjes së narrativave të vjetra nacionaliste. Nuk mund të flitet për demokraci, reforma dhe luftë kundër krimit të organizuar, ndërsa në të njëjtën kohë mohohet e drejta e një populli për të vendosur për të ardhmen e vet.
Serbia ka nevojë për një transformim të mirëfilltë politik dhe strategjik. Qeveria e re, nëse merr përgjegjësinë për drejtimin e vendit, duhet të ndërtojë një qasje krejtësisht të re ndaj Kosovës. Ky ndryshim duhet të fillojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, si dhe përkushtimin ndaj një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht të obligueshme.
Por Serbia duhet të dëshmojë se ndryshimi i saj është demokratik edhe brenda kufijve të vet. Shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës dhe në pjesët e tjera të Serbisë duhet të gëzojnë të drejta të barabarta, përfaqësim institucional, arsimim në gjuhën amtare, përdorim të gjuhës shqipe, zhvillim ekonomik dhe trajtim të barabartë nga institucionet shtetërore. Nuk mund të kërkohen standarde për komunitetin serb në Kosovë, ndërsa të njëjtat standarde të mos zbatohen për shqiptarët në Serbi.
Një shtet që synon integrimin evropian duhet t'i zbatojë standardet e të drejtave të njeriut dhe të pakicave pa diskriminim dhe pa standarde të dyfishta.
Gjithashtu, Serbia duhet të rishikojë orientimin e saj strategjik dhe të ndërtojë marrëdhënie të qëndrueshme me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, duke e vendosur bashkëpunimin rajonal, sigurinë kolektive dhe demokracinë mbi politikën e konfrontimit dhe ndikimet destabilizuese”, deklaroi ai për “Bota sot”.
Në fund, Elezi vlerësoi se e ardhmja evropiane e Serbisë varet nga njohja e Kosovës, respektimi i të drejtave të shqiptarëve dhe ndërtimi i marrëdhënieve të barabarta ndërmjet dy vendeve.
“Në përfundim, Serbia duhet të zgjedhë ndërmjet politikës së së kaluarës dhe një të ardhmeje evropiane. Nuk mund të ndërtohet një Serbi demokratike duke mohuar Kosovën, duke diskriminuar shqiptarët dhe duke mbajtur peng stabilitetin e rajonit.
Kosova nuk ka nevojë për deklarata të reja simbolike nga politikanët serbë. Ajo ka nevojë për njohje, respekt dhe marrëdhënie ndërshtetërore të bazuara në barazi.
Ndryshimi i vërtetë në Serbi do të matet jo me atë se kush e zëvendëson pushtetin e mëparshëm, por me atë nëse politika e re është e gatshme të pranojë realitetin, të respektojë të drejtat e shqiptarëve dhe të kontribuojë për një Ballkan të integruar në Bashkimin Evropian dhe NATO”, përfundon ai për “Bota sot”.