Thaçi u bë president me votat e Listës Serbe dhe jo Osmani, këto janë arsyet e sulmit të Hoxhajt ndaj presidentes

Politika

Thaçi u bë president me votat e Listës Serbe dhe jo Osmani, këto janë arsyet e sulmit të Hoxhajt ndaj presidentes

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 7 prill 2021 Në ora: 14:03
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidente e vendit, iu dha fund tensioneve politike më shumë se një muaj pas zgjedhjeve.

Gjatë ditës së djeshme, Vjosa Osmani mori zyrtarisht detyrën si Presidente e Kosovës, në një ceremoni të shkurtër, dy ditë pasi që parlamenti 120 vendesh i Kosovës e zgjodhi atë me 71 vota.

Në ceremoni morën pjesë ambasadorë të disa vendeve, kryeministri Albin Kurti dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, shkruan “Bota sot”.

Detyrua iu dorëzua nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili për pak ditë ka qenë ushtrues detyre i presidentit.

Mirëpo, ceremonia e pranimit të detyrës së presidentes nga ana e Osmanit bëri atë “zhurmën” e vet nga një deklaratë që dha u.d i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili nuk mori pjesë në inaugurimin e Osmanit, pavarësisht ftesës nga ana e kësaj të fundit.

Hoxhaj në një deklaratë të shkruar u shpreh se nëse i pranishëm do të ishte edhe ish-presidenti Thaçi, atëherë prezenca e tij nuk do të mungonte, mirëpo sipas tij krerët e PDK-së po bëjnë një sakrificë për vendin, atëherë nuk i takon që të marrë pjesë në këtë inaugurim.

“Pjesëmarrja ime, si kryetar i PDK-së do të ishte e paevitueshme, sikur të kishim një situatë normale dhe të merituar, ku Hashim Thaçi do ta bënte dorëzimin e detyrës së tij si president i vendit. Sikur opozitarët e deridjeshëm të respektonin shtetin e Kosovës, institucionet e bartësit e tyre, presidentin Thaçi e Kryetarin Veseli, që po e bëjnë një tjetër sakrificë për vendin”, u shpreh Hoxhaj.

Ndër të tjera Hoxhaj tha se Osmani është zgjedhur me njerëz të Listës Serbe dhe struktura të ish-regjimit e që është zgjedhur me pazare të minutave të fundit.

“E zgjedhur si presidente në një mbrëmje të ftohtë, të mbushur me pazare të minutave të fundit, të cilat, sikur të mos mjaftonin, ishin caktuar që të kryheshin nga njerëz të Listës Serbe dhe struktura të ish-regjimit. Tani, për të gjithë, kjo mund të tingëllojë vetëm fjalë dashakeqe, por, koha do ta dëshmojë se realiteti do të jetë shumë herë më i hidhur. Për presidente do të kemi një marionetë të një kryeministri me tendenca autokrate”, tha ndër të tjera Hoxhaj.

Kjo deklaratë e Hoxhajt ngjalli reagime të shumta në opinionin publik, duke mos e arsyetuar aspak veprimin e tij e aq më pak fjalët kundrejt Osmanit.

Hoxhaj dha këtë deklaratë duke mos kujtuar që është po ish-presidenti Thaçi, i cili ka pasur gjithmonë votat e Listës Serbe për të u bërë presidente, e që të njëjtat vota nuk patë nevojë Vjosa Osmani.

Për këtë temë njohësit e çështjeve politike për “Bota sot”, kanë thënë se Hoxhajt nuk i ka mbetur gjë tjetër, përveç se të merret me këto lloj deklarata.

Sipas tyre PDK është partia e fundit e cila mund të lëshojë këso lloj deklaratash, pasi që njihet që ka pasur vazhdimisht relacione të ngushta me Listën Serbe.

Shahu: Hoxhaj deklaroi për diçka vetëm sa për të u bërë temë diskutimi

Njohësi çështjeve politike, Rexhep Shahu në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se Hoxhaj bën këso lloj deklaratash vetëm sa për të qëndruar në rrjedh me situatën aktuale.

Image
Rexhep Shahu

Sipas Shahut, deputetët serb gjithmonë kanë ndihmuar qeveritë për të qeverisur, atë të Thaçit mirëpo edhe të Kurtit.

“Enver Hoxhaj i ka fjalë për të ua thënë ato që ka thënë, sa me u gjend në rrjedhë. Deputetët serb janë prezent në Parlamentin e Kosovës dhe ata janë thirrur në ndihmë nga të gjithë sa herë u është dashur shqiptarëve. Si Thaçi edhe Albini kanë bashkëpunuar në qeverisje me serbët dhe unë i shoh si parulla patriotike në luftën e shqiptarëve mes njëri-tjetrit”, është shprehur Shahu.

Sipas tij, rrugën për të bashkëpunuar me Listën Serbe ose pakicat serbe e ka hapur së pari Thaçi dhe se nëse Hoxhaj do të ishte kryeministër edhe ai do të bashkëpunonte.

“Nëse është ndihmuar presidentja aktuale nga ndonjë deputet i Listës Serbe ose i pakicave serbe ose jo serbe, kjo nuk është hata dhe nuk po ndodhë për herë të parë, është rrugë e çelur nga Thaçi e të tjerë. Në qeverisjen e Kosovës edhe deputetët apo qeveritarët nga pakicat serbe dhe të tjera janë realitet. Edhe Enver Hoxhaj po të bëhej kryeministër edhe ai do të bashkëpunonte me serbët e pakicat e tjera”, theksoi Shahu për “Bota sot”.

Mehazi: Vjosa Osmani nuk u bë presidente me votat e Listës Serbe

Profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka komentuar deklaratën e Hoxhajt në lidhje me mosprezencën e tij në ceremoninë e marrjes së detyrës së presidentes Osmani.

Image
Sulejman Mehazi

Mehazi thotë se deputetët e PDK-së kohët e fundit nuk po janë në dijeni për deklaratat që po lëshojnë, të cilat janë pa pikë logjike.

Profesori ka vlerësuar se e gjithë bota ka qenë dëshmitare që Osmani është bërë presidente pa votat e Listës Serbe.

“Këta të PDK-së si duket e kanë humbur fare logjikën e bërjes politikë e nuk dinë se çfarë flasin, është qesharake, po edhe për të qarë të thuhet se znj. Vjosa Osmani u bë presidente e Republikës së Kosovës me votat e Listës Serbe, këtë e thotë vetëm kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj. Jo i nderuar Enver Hoxhaj, nuk shkon politika me gënjeshtra, me kaq të pavërteta. Shqiptarët anë e kënd botës kanë dëgjuar e parë se në parlamentin e Kosovës gjatë seancës parlamentare për president nuk ishin deputetët e Listës Serbe së bashku me partinë tuaj të PDK-së”, ka theksuar ai.

Tutje, Mehazi i drejtohet Hoxhajt me një pyetje se nëse Thaçi apo Osmani është president me votat e Listës Serbe, e që sipas tij është ish-presidenti Thaçi ai i cili u zgjodh president me votat tyre dhe jo Osmani.

Ai shton se Vjosa Osmani asnjë borxh të votave nuk i ka Listës Serbe.

“Se dimë nga doli Lista Serbe erdhi votoi e iku tinëzisht pa mos i parë askush në parlamentin e Kosovës, përveç Hoxhajt? Po t'ia bëjmë një pyetje Enver Hoxhaj a thua do na përgjigjet apo jo? A Hashim Thaçi u bë president me votat e Listës Serbe, apo Vjosa Osmani? S'ka dilemë se ish kryetari juaj i LDK-së, Hashim Thaçi me reagimin e Vuçiqit e me votat e listës serbe u bë president i Kosovës për të ndarë e shkëmbyer territore me Serbinë. Tërë bota shqiptare e pa se Vjosa Osmani u bë presidente pa Listën Serbe, andaj presidentja e jonë e dashur e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani asnjë borxh të votave si ka Serbisë për të shkëmbyer lehtësisht territore me Serbinë”, ka deklaruar Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat