“SHBA-ja e BE-ja e njohin kush është krimineli Vuçiq”, analisti flet për konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë – ja çfarë thotë për Kurtin, Osmanin e Gërvallën

Politika

“SHBA-ja e BE-ja e njohin kush është krimineli Vuçiq”, analisti flet për konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë – ja çfarë thotë për Kurtin, Osmanin e Gërvallën

Nga: N. H Më: 23 qershor 2021 Në ora: 12:31
Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla

Javën e kaluar në Bruksel është zhvilluar takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përveç Josep Borrellit, takimi i parë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, u ndërmjetësua e edhe nga përfaqësuesi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

E, ky takim i parë pati përplasje të forta mes krerëve të dy vendeve, gjë për të cilën u raportua se ishte edhe buzë ndonjë incidenti.

Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se takimi i parë i zhvilluar javën e kaluar mes Kurtit dhe Vuçiqit, dhe katër pikat e propozuara nga kryeministri i Kosovës më shumë nervozuan sesa provokuan presidentin e Serbisë.

Mehazi është i mendimit se me bombardimet e NATO-s, Vuçiqat, Brnabiqat e Daçiqat e dinë se NATO-ja, BE-ja dhe SHBA-ja ua kanë ndaluar 100 vjet të bërit luftë ndaj shteteve fqinje.

Image
Sulejman Mehazi

“Takimi i para një jave në Bruksel të kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiqit më shumë e kishte kuptimin e principeve të katër pikave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit sesa të takimeve. Autoritetet e katër pikave të kryeministrit Albin Kurtit para gjithë evropianëve në Bruksel u bënë të padurueshme për presidentin e Serbisë, Vuçiq sa që këto katër pikat e befasueshme të Albin Kurtit më shumë nervozuan sesa provokuan Vuçiqin e Serbisë. Provokimet luftënxitëse të Vuçiqit kanë mbaruar me bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, vuçiqat, brnabiqat e daçiqat e dinë se NATO, BE dhe SHBA ua kanë ndaluar 100 vjet të luftuarit ndaj shteteve fqinje, këtë e di dhe Kurti, prandaj ju rri në ballë me kërkesa kontroverse në dobi të Kosovës e në dëm të Serbisë”, ka thënë Mehazi.

Kurse, pas ardhjes në pushtet të kryeministrit Kurti, Mehazi shprehet se lojërat politike serbe ndaj Kosovës janë bërë inferiore dhe çdo përballje me shefin e qeverisë së Kosovës do jetë dëshpëruese për presidentin e Serbisë.

“Bota politike, diplomatike evropiane e amerikane kënaqen me guximin, superioritetin, pastërtinë, konstruktivitetin, moralin e mençurinë politike të Albin Kurtit e Vjosa Osmanit që janë politikanë me bagazhe të zbrazura korruptive, bandidiste e luftënxitëse. Shkurt, Albin Kurti e Vjosa Osmani, jo vetëm Kosovës, por edhe shteteve ballkanike ju kanë dhënë një frymë freskie e të re politike paqësore me anë të ideve, principeve e performancave politike. Principet e pastërta, të qarta e të moralshme politike të Albin Kurtit kanë krijuar simpati te diplomatët e BE-së e SHBA-së sa që me admirim i përkrahin kërkesat e Albinit gjatë dialogut me Serbinë. Dhe Vuçiqi e di se Albin Kurti e Kosova nuk kanë çfarë të humbin me kësi personalitete të ndershëm e të pakorruptuar në krye me Albin Kurtin e Vjosa Osmanin, të cilët, nga të shkojnë ngazëllehen edhe politikanët e diplomatët e shteteve nikoqire me performancën politike të kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit”, u shpreh me tej ai.

Në fund, njohësi i çështjeve politike, ka theksuar se morali i pastër politik i Kurtit, Osmanit dhe Gërvallës është duke i’u dhënë leksione politike e diplomatike jo vetëm Serbisë gjenocidiale, por edhe BE-së e SHBA-së.

“Albin Kurti e Vjosa Osmani janë të vetmit që shprehin performanca të guximit, mençurisë e moralit politik që ju mungojnë qeverive të tjera të Ballkanit Perëndimor. Brengosëse, ofenduese e provokuese është Albin Kurti për Vuçiqin sepse diplomatët e huaj të BE-së dhe të SHBA-së i njohin të dy, se kush është Albin Kurti e kush është krimineli Vuçiq?, që vrau me Ratko Mlladiqin e Millosheviqin, myslimanë në Bosnjë e shqiptarë në Kosovë. Pra, do fitojë Albin Kurti e Kosova për shkak se BE-ja e SHBA-ja që moti kanë kërkuar tipa politikanësh me performanca të pasterta e të pa korruptuara politike, qeverisëse e shtetërore në Ballkanin Perëndimor, ky është kryeministri i Kosovës Albin Kurti që në të ardhmen mund të bëhet lider i shteteve ballkanike”, ka thënë njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat