Spanja nuk është aleate e Serbisë, por me diplomaci të fortë, njohja mund të mos vonojë shumë!

Politika

Spanja nuk është aleate e Serbisë, por me diplomaci të fortë, njohja mund të mos vonojë shumë!

Nga: A.Z Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 12:29
Foto ilustrim

Spanja e ka rikonfirmuar veten edhe një herë se nuk do ta ndryshojë qëndrimin sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, ndonëse jep shpresë se mban një “qasje konstruktive” për këtë çështje, e cila kalon nëpërmjet arritjes së marrëveshjes në dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e Spanjës, ka konfirmuar qëndrimin, siç e cilëson ajo me gjuhën propagandistike të Serbisë: “për mosnjohjen e deklaratës së njëanshme të pavarësisë të miratuar nga Prishtina në vitin 2008, pasi është një akt i njëanshëm”.

Para disa ditësh vetë mediat spanjolle raportuan se qeveria e Spanjës, pritet ta ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës, duke ecur drejt njohjes.

Sipas komentuesve të zhvillimeve në Kosovë, njëri nga të cilët është edhe Skender Mulliqi, rezitenca spanjolle ndodhë për shkak të problemeve të brendshme, si me Kataloninë, e cila formalisht e ka shpallur pavarësinë, dhe me popullin autokton baskë, që ka një kulturë dhe traditë tjetër.

Ai i bën përgjegjëse qeveritë e shkuara pse ne nuk arritëm të kemi njohje nga vendet si Spanja.

Lidhur me këtë, analisti Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Greqia mund ta njoh Kosovën së shpejti, pasi që tani është më konstruktive ndaj shtetit tonë.

Ndërsa, Spanja sipas tij po heziton ta njohë Kosovën sepse ka probleme me baskët, pasi po kërkojnë shkëputjen nga ky shtet.

“Dihet se ende pesë shtetet e BE-së nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, në mesin e tyre edhe Spanja. Greqia sikur ka ndryshuar pak qasjen ndaj Kosovës, është shumë më konstruktive dhe kooperuese në disa segmente shumë të rëndësishme. Madje kohën e fundit kemi pasur paralajmërime nga ky shtet se ka mundësi me e pranu shtetësinë e Kosovës, por që kjo ende nuk ka ndodhur. Kur jemi te Spanja, këtu dihet se ky shtet ka probleme me baskët, të cilët qe shumë kohë po kërkojnë shkëputje nga Spanja. Dhe ky është më duket mua shkaku parësor pse ky shtet po heziton me e pranuar pavarësinë e Kosovës. Megjithatë duket se edhe ky shtet ka filluar të ketë një qasje më pozitive ndaj Kosovës, dhe të pranimit të saj në organizma të ndryshme ndërkombëtare. Edhe kur bëhet fjalë për dialogun me palën serbe ajo ka deklaruar se do të ketë qëndrim më konstruktiv”, tha ai.

Pra, sipas Mulliqit, Serbia nuk është aleate e Serbisë, ky shtet ka probleme politike brenda saj.

Ai shtoi se Spanja po ashtu duhet ta ketë parasysh se pavarësia e shpallur e Kosovës nuk bie ndesh me asnjë ligj ndërkombëtarë.

“E thashë më parë se Spanja nuk duket së është aleate e Serbisë, por ka probleme të brendshme politike të pazgjidhura, dhe këtu është thelbi pse nuk po e pranon Kosovën si shtet. Edhe nga ky kënd duhet shikuar deklaratën se gjoja shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 ka qenë e njëanshme që nuk kanë të drejtë. Ky deklarim është në kundërshtim me GJND-në, e cila e ka dhënë mendimin se pavarësia e shpallur nuk bie ndesh me asnjë ligj ndërkombëtar. Këtë duhet ta ketë parasysh edhe Spanja si anëtare e BE-së. Pse ende pesë shtetet e BE-së, nuk kanë lëvizur shumë nga pozicionet e ngurta karshi Kosovës, faj kanë edhe institucionet e deritashme, të cilat kanë qenë katastrofale në lobime. Nuk patëm politika të jashtme efektive, madje që shumë kohë kemi mbetur pa asnjë njohje të re, dhe mos pranim të Kosovës në organizma të ndryshme relevante të BE-së. Madje nuk arritëm të kemi as liberalizim të vizave”, shtoi Mulliqi.

Tutje ai ka përmendur edhe arsyet e dështimeve, ai theksoi se Serbia e bëri atë që ne nuk e bëmë në diplomacinë e jashtme, me ç’rast erdhën edhe disa çnjohje, si dhe ambasadat më demokratike ishin në nivel jo të mirë të përfaqësimit.

“Atë që nuk e bëmë ne në diplomacinë e jashtme, e bëri Serbia me lobime ku erdhën edhe shumë ç’njohje të reja që është për çdo kritikë për shtetin tonë. Ne sikur po presim që të gjitha punët shtëpiake të na kryejnë miqtë tanë amerikanë dhe ata evropian. Neve shtetet më kualitative na kanë pranuar shtetin, dhe i kemi të gjithë organet tona, të cilat nuk i vumë në funksion mirë as brenda dhe as në politikat e jashtme. Edhe ambasadat tona në shtetet më demokratike ishin jo të nivelit të mirë të përfaqësimit, e mu për atë edhe i patëm gjithë këto dështime”, ka përfunduar Skënder Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat