Vrasja e trefishtë në Gllogjan, akt me karakteristika terroriste

Politika

Vrasja e trefishtë në Gllogjan, akt me karakteristika terroriste

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 30 nëntor 2021 Në ora: 18:55
Pamje nga ngjarja e rëndë e së premtës në Gllogjan

Të dielën iu dha lamtumira e fundit dy nxënësve dhe një shoferi të autobusit, të cilët u vranë në një sulm që po cilësohet si terrorist, nga sulmi me kallashnikov ndaj autobusit. Të premten që e lamë pas ndodhi ngjarja vendi jonë u trondit nga një krim makabër, saktësisht në fshatin Glloagjn të komunës së Pejës, u vranë tre presona, dy nxënës dhe shoferi i autobusit me të cilin transportonte nxënësit për në shkollë.

Në këtë vrasje ende nuk dihet dorasi e as arsyet e saj, derisa policia po vazhdon ta hetojë rastin dhe të kap dorasin. Madje, për këtë të fundit shteti ka ndarë 20 mijë euro shpërblim për informacionin që mundëson arrestimin e tij.

“Për këtë ofrojmë një shpërblim prej 20.000 euro (njëzet mijë euro), për cilindo qytetar i cili mund të jep informacione të cilat shpijnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit Kurti.

Për këtë menjëherë kanë reaguar krerët e shtetit duke e dënuar rastin dhe duke bërë thirrje të zbulohet autori, madje ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla i ka dhënë ultimatum që të dorëzohet autori. Por një rast i tillë, a ngjallë dyshime për terrorizëm në Kosovë? Njohësit e sigurisë, kanë thënë se duhet të presim prokurorinë për cilësimin e rastit.

Halimi: Sulmet me karakter të tillë, ku si cak janë turmat nuk kanë qenë traditë tek ne

Image
Armend Halimi

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS), ka thënë se për këtë rast nuk duhet të ngutemi që ta cilësojmë si akt terrorist ngase nuk dihen kryesit e as motivi i tij. E, që sulmet ndaj turmave nuk ka qenë kurrë në traditën e vendit tonë.

Sulmet me karakter të tillë, ku si cak janë turmat apo vendet me frekuentim nuk kanë qenë traditë tek ne, dhe si akt ka karakteristikat e akteve terroriste, mirëpo, gjersa mbrapa këtij sulmi ende nuk dihet kush qëndron, që zakonisht sulmuesit pas aktit dalin me kërkesa, nuk duhet nxituar për ta cilësuar rastin në fjalë si akt terrorist, ngase nuk dihen kryesit e as motivi i tij”, potencon ai.

Në fund ai deklaron se, në bazë të studimeve për sigurinë, rajoni i Pejës është karakterizuar me numër të lartë të vrasjeve, derisa për sigurinë e vendit ndikojnë jo vetëm vrasjet por edhe kontrabanda, grabitjet.

Kur është fjala për sigurinë e përgjithshme në nivel nacional, nuk mund të flasim përgjithësisht, sepse sa do që jemi vend i vogël, tradicionalisht niveli i kriminalitetit është i ndryshëm në baza rajonale. P.sh. rajoni i Pejës në bazë të raporteve që studiojnë sigurinë është karakterizuar me numër të lartë të vrasjeve, duke pasuar me rajone të tjera, por jo vetëm vrasjet merren si matës pasigurie, p.sh kontrabanda, grabitjet etj., janë ato që ndikojnë në nivelin e pasigurisë”, përfundon Armend Halimi për “Bota sot”.

Shala: Vrasjet në shumicën e rasteve kanë të bëjnë me përfitime financiare

Image
Drizan Shala

Njohësi i sigurisë, Drizan Shala në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se për këtë duhet pritur hetimet, kurse pas 78 orësh nëse nuk mund të gjendet autori, t’i publikohet një fotografi.

Në rend të parë duhet pritur hetimet dhe rezultatet e tyre të para e që në rastin tonë pas 78 orësh duhet të identifikohet kryesi i mundshëm i aktit makabër dhe nëse nuk mund të gjendet personi atëherë të publikohet fotoja e të dyshuarit. Ndërsa, në lidhje me ofrimin e parasë për të kapur kryesin, kjo është faza ku shteti nuk ka kapacitete për të kapur dhe kërkon ndihmën e qytetarëve përmes shpërblimit financiar për informacion”, sqaron ai. Sipas tij, vrasjet në shumicën e rasteve kanë të bëjnë me përfitime financiare. “Por, institucionet tona kanë gjithë kapacitetet për të ofruar profesionalizëm që hetimi për të kapur personin e dyshuar të bëhet shpejt. Vrasjet në shumicën e rasteve kanë të bëjnë për përfitime financiare dhe krizat e caktuara ndikojnë në shtimin e numrit. Duhet të priten hetimet nga ana e Prokurorisë e pastaj të vlerësohet se a është vepër penale vrasje apo akt terrorist”, shprehet Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat