Zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH), që po mbahen më 8 nëntor 2026, përbëjnë një ngjarje me rëndësi të veçantë politike, kombëtare dhe institucionale për shqiptarët në Serbi.
Opinionisti Nehat Hyseni, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe përgjegjësitë që e presin përbërjen e re të këtij institucioni.
Sipas tij, gara për 29 mandatet nuk duhet të shihet vetëm si konkurrencë ndërmjet subjekteve politike, por si një mundësi për fuqizimin e përfaqësimit kombëtar dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.
“Zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH), të mbajtura më 8 nëntor 2026, përbëjnë një ngjarje me rëndësi të shumëfishtë politike, kombëtare, institucionale dhe shoqërore për shqiptarët në Republikën e Serbisë”, ka deklaruar Hyseni.
Ai ka theksuar se suksesi i institucionit nuk duhet të matet vetëm me numrin e votave apo përkatësinë partiake të fituesve, por me punën që do të bëhet në mbrojtje të interesave të komunitetit.
Duke folur për rolin e KKSH-së, Hyseni ka përkujtuar se ky institucion ka kompetenca në fushën e kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës e shkrimit, por nuk mund të marrë përsipër përgjegjësitë e institucioneve shtetërore.
Ai ka vlerësuar se përbërja e re duhet të ndërtojë një model funksionimi që ndërthur përfaqësimin demokratik, profesionalizmin institucional dhe veprimin politik e diplomatik për çështjet që tejkalojnë kompetencat ligjore të këshillit.
“KKSH-ja nuk është parlament i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nuk është qeveri territoriale dhe nuk mund të zëvendësojë përgjegjësitë e institucioneve shtetërore në fushat e sigurisë, drejtësisë, ekonomisë, administratës publike apo të zhvillimit territorial”, ka theksuar ai.
Pasivizimi i adresave, një nga sfidat më urgjente
Një prej çështjeve që, sipas Hysenit, duhet të marrë vëmendje të veçantë nga përbërja e re është pasivizimi i adresave të qytetarëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Ai ka vlerësuar se kjo çështje nuk duhet trajtuar vetëm si problem administrativ, pasi prek drejtpërdrejt sigurinë juridike dhe realizimin e të drejtave civile, sociale e ekonomike të qytetarëve.
Hyseni ka kërkuar që KKSH-ja të krijojë mekanizma për dokumentimin e rasteve, mbështetjen juridike të qytetarëve të prekur dhe komunikimin me institucionet vendore e ndërkombëtare.
“Pasivizimi i adresave nuk mund të mbetet një problem që qytetari e përballon i vetëm në sportelet administrative dhe në gjykata. Ai kërkon veprim institucional, mbrojtje juridike dhe përgjegjësi politike!”, ka deklaruar Hyseni.
Arsimi në gjuhën shqipe dhe njohja e diplomave
Opinionisti ka veçuar edhe arsimin në gjuhën shqipe si një ndër prioritetet kryesore të institucionit, duke përmendur problemet me tekstet shkollore, materialet mësimore, mungesën e kuadrove të caktuara profesionale dhe vështirësitë me të cilat përballen të rinjtë shqiptarë.
Ai ka theksuar se një vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet edhe njohjes së diplomave të fituara në Kosovë, pasi kjo ndikon në mundësitë e punësimit dhe zhvillimin profesional të të rinjve.
Sipas tij, KKSH-ja duhet ta trajtojë arsimin si projekt strategjik kombëtar, duke forcuar bashkëpunimin me institucionet arsimore të Kosovës dhe Shqipërisë.
Hyseni për dallimet në përfaqësimin e shqiptarëve në Serbi dhe serbëve në Kosovë
Një tjetër çështje që Hyseni e ka vënë në pah është dallimi ndërmjet mekanizmave të përfaqësimit të komuniteteve joshumicë në Kosovë dhe pozitës së shqiptarëve në institucionet qendrore të Serbisë.
Ai ka rikujtuar se Kushtetuta e Kosovës garanton 20 vende për komunitetet joshumicë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa në Serbi nuk ekzistojnë vende të rezervuara parlamentare për shqiptarët.
Në këtë drejtim, ai ka theksuar se të drejtat e komunitetit serb në Kosovë duhet të respektohen, por standardet e njëjta të mbrojtjes së pakicave duhet të vlejnë edhe për shqiptarët në Serbi.
“Një krahasim i tillë nuk është argument për uljen e standardeve në Kosovë, por për ngritjen e tyre në Serbi”, ka theksuar Hyseni.
Ai ka përmendur edhe nevojën që përfaqësuesit shqiptarë të kërkojnë dialog demokratik dhe zgjidhje juridike e institucionale për garantimin e një përfaqësimi më të drejtë.
Kërkon transparencë dhe bashkëpunim ndërmjet subjekteve shqiptare
Në prononcimin e tij, Hyseni ka folur edhe për nevojën e ndryshimit të mënyrës së funksionimit të KKSH-së, duke kërkuar më shumë profesionalizëm, transparencë dhe llogaridhënie.
Sipas tij, buxheti, projektet, kriteret e financimit dhe raportet e realizimit duhet të jenë të qasshme për publikun, ndërsa anëtarët e institucionit duhet të raportojnë rregullisht për punën dhe rezultatet e tyre.
Ai ka vlerësuar se dallimet politike nuk duhet të pengojnë bashkëpunimin për çështjet me interes të përbashkët kombëtar.
“Konkurrenca elektorale është legjitime. Por fragmentarizimi institucional dhe konfliktet e vazhdueshme partiake mund ta dobësojnë aftësinë e shqiptarëve për të mbrojtur të drejtat e tyre”, ka deklaruar ai.
Në fund, Hyseni ka theksuar se përbërja e re e KKSH-së duhet ta konsiderojë mandatin si përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe jo si privilegj politik.
Ai ka nënvizuar se e ardhmja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës kërkon institucione që përtej përfaqësimit simbolik, janë në gjendje të mbrojnë të drejtat, të fuqizojnë komunitetin dhe të krijojnë perspektivë për brezat e rinj.
“29 mandate nuk janë thjesht 29 vende në një institucion. Ato janë 29 përgjegjësi politike dhe kombëtare ndaj një komuniteti që kërkon barazi, dinjitet, drejtësi dhe perspektivë”, ka përfunduar Hyseni.