Letra e kryeministrit britanik, Andy Burnham, drejtuar kryeministrit Albin Kurti, në të cilën rikonfirmohet mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën sovrane dhe theksohet rëndësia e drejtësisë ndërkombëtare, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit, ka rikthyer në vëmendje raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe debatet për ndryshimet e propozuara në ligjin për Dhomat e Specializuara.
Profesori i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se ndërhyrja ligjore në çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara ishte një aventurë politike, e cila, sipas tij, mund të dëmtojë jo vetëm marrëdhëniet e Kosovës me partnerët evropianë, por edhe vetë procesin gjyqësor në Hagë.
Ai kritikon mënyrën se si partitë politike e trajtuan këtë çështje, duke theksuar se interesat elektorale u vendosën mbi interesin e vendit. Sipas tij, institucionet duhet të tregojnë maturi në rishqyrtimin e ligjit dhe të shmangin çdo veprim që mund të interpretohet si ndërhyrje në punën e gjykatës.
“E kemi thënë që kur u imponua ligji për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë se ai ligj do të dëmtonte jo vetëm personat e dënuar në shkallën e parë të procesit, por edhe marrëdhëniet midis Kosovës dhe Evropës. Për hir të së vërtetës, edhe kryeministri Kurti e përmendi këtë fakt në prononcimet e tij. Por ai, në këmbim të votës për zgjedhjen e presidentes, e pranoi ‘ultimatumin’ e ekstremistëve të Partisë Demokratike. E pranoi edhe për shkak se këta ekstremistë kërcënuan me luftë civile. Rrethuan institucionet dhe shkruan grafite, të cilat do t’i dënojë historia e Kosovës”, shprehet Bytyçi.
Londra kërkon respektimin e mandatit të Speciales, Bytyçi: Institucionet duhet të tregojnë maturi
Duke komentuar letrën e kryeministrit britanik, profesori thekson se shqetësimet për ndryshimet ligjore nuk vijnë vetëm nga Bashkimi Evropian, por edhe nga Mbretëria e Bashkuar. Ai rikujton gjithashtu vendimin e presidentes për kthimin e ligjit në Kuvend, duke e cilësuar këtë si një shenjë se institucionet kanë filluar të reagojnë.
“Përveç personaliteteve të BE-së, për këtë ligj kanë reaguar gjithashtu edhe ata të Britanisë së Madhe. Kryeministri britanik, Burnham, i kërkoi zotit Kurti ditët e fundit që të respektohet mandati i Dhomave të Specializuara në Hagë, si kusht për integrimet euro-atlantike të Kosovës. Edhe presidentja e Kosovës, zonja Shiroka-Pula, e ktheu ligjin e miratuar me ngut dhe presion për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës. Kjo do të thotë se institucionet e vendit kanë filluar të reagojnë”, deklaron ai.
Bytyçi ngre edhe çështjen se përse partitë politike dhe Kuvendi ndërmorën një nismë për të ndryshuar, përmes ligjit, çështje që lidhen me funksionimin e gjyqësorit. Sipas tij, opozita synonte përfitime politike, ndërsa mazhoranca e shfrytëzoi situatën për të siguruar votat për zgjedhjen e presidentes.
“Po përse politika, partitë politike dhe Kuvendi i Kosovës e ndërmorën atë aventurë sa të ndërhyjnë me ligj në çështjet e gjyqësorit, në rastin konkret të Dhomave të Specializuara? Sepse opozita deshi të përfitojë politikisht, ndërsa mazhoranca e shfrytëzoi këtë rast për të zgjedhur kreun e shtetit. Interesi i opozitës ishte që të dëshmohej ‘fitimtare’ kundër qeverisë dhe të përfitonte nga situata e krijuar për të rritur pikët e saj te elektorati. Interesi i mazhorancës ishte formimi i institucioneve, pasi përfitimet elektorale ishin marrë në zgjedhjet e fundit.
Në fund, rezultati është një dëm për interesin e Kosovës. Kjo do të thotë se kur ndiqet interesi elektoral i një ose disa subjekteve politike, atëherë nuk përfitojnë interesat e vendit dhe madje dështojnë të plotësohen edhe interesat e atyre subjekteve, të cilat dihen tashmë se cilat dhe si u angazhuan në valën e protestës dhe se si e imponuan legjislativin të gabojë”, shprehet Bytyçi.
“Ndryshimi i rregullave pas vendimit në Hagë ishte aventurë”
Më tej, profesori vlerëson se përpjekja për të ndryshuar rregullat ligjore pas vendimeve të Gjykatës Speciale dëshmoi mungesë serioziteti institucional. Ai e lidh këtë edhe me mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar ndër vite çështja e sovranitetit të Kosovës.
“Ligji për Dhomat e Specializuara dështoi. Kjo dihej që në fillim, edhe pse aktorët që e imponuan atë rrahën gjoksin për të drejtën sovrane të Kosovës. Ama ishin vetë ata që këtë të drejtë sovrane e rrënuan me votimin e atij ligji, si dhe të ligjeve të tjera, si për Asociacionin serb në Kosovë apo për t’ia dhënë Malit të Zi jo pak, por 8200 hektarë territor. Ishte aventurë të tentoje që të ndryshoje rregullat e lojës pasi u mor vendimi në Gjykatën Speciale në Hagë. Kjo aventurë tregoi mungesën e seriozitetit nga ana e institucioneve dhe politikës në Kosovë. Dhe mungesa e seriozitetit është gjithnjë goditje për një vend në përpjekje për të qenë subjekt ndërkombëtar si shtet, siç edhe është Kosova”, thotë ai.
Bytyçi kritikon edhe protestat e organizuara në prag të shpalljes së vendimit për të akuzuarit në Hagë. Sipas tij, ato nuk i kanë ndihmuar procesit gjyqësor dhe janë përdorur për qëllime politike nga aktorë në Kosovë dhe në rajon.
“Ligji, ashtu si edhe protestat në prag të shpalljes së vendimit të Gjykatës për pesë të akuzuarit në Hagë, nuk i kanë ndihmuar çështjes së këtij procesi në Dhomat e Specializuara. Protestat ishin gjëja më e gabuar që mund të ndodhte. Nisur nga kjo, duhet pranuar se protestat u përdorën politikisht nga politika jo vetëm në Kosovë, por edhe ajo në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Përdorimi politik i asaj që mund ta quajmë fatkeqësi të të akuzuarve ishte i padrejtë, i pandershëm dhe dëmtoi përpjekjet për të mbrojtur këta të akuzuar. Ndoshta edhe për këtë shkak u mor ai vendim i pakuptimtë me 81 vite burg për katër persona që vazhdojnë të qëndrojnë në Hagë”, deklaron profesori.
Më tej, Bytyçi thotë se institucionet e Kosovës duhet të shmangin veprimet e nxituara dhe të mos krijojnë përshtypjen se po ndërhyjnë në punën e Dhomave të Specializuara. Sipas tij, ndryshimet ligjore dhe qëndrimet politike nuk mund të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin e Apelit, ndërsa mund të krijojnë pasoja të kundërta nga ato që synohen.
“Por tani shqetësimi është se si do të reagojnë institucionet e Kosovës ndaj kësaj situate të pakëndshme për BE-në, Britaninë e Madhe e madje edhe për vetë presidenten, PDK-në, qeverinë, të akuzuarit në Hagë dhe për Kosovën. Tani këto institucione kanë mundësinë që të mos përsërisin veprimet adoleshente të tyre në politikë. Pra, të jenë të kujdesshme dhe të matura në vendimet që marrin.
Nëse do të vazhdojë dalldia, sipas së cilës me këto lloj ligjesh e qëndrimesh ndaj Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë lehtësohet situata e të akuzuarve në Apel, kjo nuk do të ndodhë. Përkundrazi, Gjykata e Apelit motivohet më shumë me sjellje të tilla për t’i dënuar ata që thirren në çlirimtarë”, shprehet Bytyçi.
Në fund, profesori ngre edhe pyetje lidhur me përgjegjësinë e ish-komandantëve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke vënë në dukje dallimin mes roleve të tyre gjatë luftës dhe atyre të personave që aktualisht po gjykohen në Hagë.
“Ndërkohë, opinioni dhe institucionet, si edhe partitë politike, do të duhet t’i bëjnë vetes një pyetje të thjeshtë: Pse nuk janë në Hagë tre komandantët e Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? Pse atje nuk është Agim Çeku apo Sulejman Selimi? Po ashtu Kadri Kastrati? Nëse UÇK-ja do të duhej të dënohej për krime lufte apo krime edhe më të rënda, atëherë duhej që këta ish-komandantë të Shtabit të Përgjithshëm të jepnin llogari. Por ata janë të lirë. Ndërsa të akuzuarit në kohën e luftës e pas luftës janë marrë jo me komandimin e UÇK-së, por me politikë. Për këtë shkak janë në Hagë. Një politikë e gabuar sot nuk i ndihmon ata!”, përfundon Enver Bytyçi për “Bota sot”.