Pse dialogu nuk po sjell një zgjidhje përfundimtare? A po kërkohet më shumë nga Kosova sesa nga Serbia?

Politika

Pse dialogu nuk po sjell një zgjidhje përfundimtare? A po kërkohet më shumë nga Kosova sesa nga Serbia?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 9 nëntor 2026 Në ora: 10:33
Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht viteve të negociatave dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar, vazhdon të mbetet larg një zgjidhjeje përfundimtare. Procesi, i cili synonte normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, është karakterizuar nga kriza të vazhdueshme, mungesë besimi dhe zbatim i pjesshëm i marrëveshjeve të arritura.

Në këtë rrugëtim, gjithnjë e më shumë shtrohet dilema nëse Bashkimi Evropian po mban një qëndrim të barabartë ndaj palëve, apo nëse Kosovës po i kërkohen më shumë kompromise dhe përgjegjësi sesa Serbisë.

Ndërkohë, Beogradi vazhdon të kundërshtojë njohjen e Kosovës dhe të mbajë qëndrime që vënë në pikëpyetje gatishmërinë e tij për një normalizim të mirëfilltë.

Përgjegjësia e BE-së si ndërmjetësuese e dialogut është gjithashtu në qendër të debatit, veçanërisht për mungesën e mekanizmave që do të garantonin zbatimin e marrëveshjeve dhe llogaridhënien e palëve.

A po dështon dialogu për shkak të mungesës së vullnetit politik, standardeve të dyfishta apo edhe qasjes së Brukselit ndaj Kosovës dhe Serbisë?

“Ndryshimi i konfigurimit politik në Uashington krijon mundësi të reja për diplomacinë kosovare, ndërsa kërkon lobim dypartiak, angazhim më të madh amerikan dhe përgjegjësi të barabartë për Kosovën dhe Serbinë në dialog”

Fitorja e demokratëve në të dyja dhomat e Kongresit amerikan, në zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit 2026, mund të hapë një kapitull të ri për diplomacinë amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor dhe, në veçanti, për Kosovën.

Image
Profesori universitar Fejzulla Berisha

Profesori universitar Fejzulla Berisha, në një prononcim për çështjen, vlerëson se ky zhvillim duhet të shfrytëzohet nga institucionet e Kosovës për të forcuar partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe për të kërkuar një angazhim më të drejtpërdrejtë në procesin e dialogut me Serbinë. Sipas tij, kontrolli i të dyja dhomave të Kongresit nga demokratët krijon hapësirë më të madhe për mbikëqyrje parlamentare dhe debat institucional rreth politikës amerikane në rajon, por nuk nënkupton automatikisht ndryshim të politikës së jashtme të administratës së presidentit Donald Trump. Berisha thekson se rëndësia e këtij konfigurimi qëndron në mundësinë që Kongresi të ndikojë përmes kompetencave legjislative, mbikëqyrëse dhe buxhetore në vazhdimësinë e prioriteteve amerikane.

“Për Kosovën, kjo mundësi duhet të shndërrohet në veprim konkret diplomatik. Nuk mjafton të pritet që institucionet amerikane të reagojnë ndaj zhvillimeve në rajon. Kosova duhet të jetë e pranishme, të paraqesë argumentet e saj juridike dhe politike dhe të ndërtojë marrëdhënie të qëndrueshme me përfaqësuesit e të dyja partive në Kongres”, vlerëson Berisha për ‘Bota sot’.

Duke folur për dialogun Kosovë–Serbi, profesori universitar konsideron se pas më shumë se një dekade negociatash të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, procesi ende nuk ka prodhuar një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe juridikisht të detyrueshme. Sipas tij, kjo ngecje ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si është menaxhuar procesi, për barazinë e palëve dhe për përgjegjësinë e ndërmjetësuesit evropian.

“Pse dialogu nuk po sjell një zgjidhje përfundimtare? A po kërkohet më shumë nga Kosova sesa nga Serbia? Dhe çfarë përgjegjësie mban Bashkimi Evropian për ngecjen e këtij procesi? Këto janë pyetje themelore që kërkojnë përgjigje të qarta politike dhe institucionale”, shprehet ai.

Berisha vlerëson se Marrëveshja e Brukselit e vitit 2023 dhe Aneksi i Ohrit krijuan një bazë të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i pamjaftueshëm i tyre dëshmon se zotimet politike nuk mjaftojnë pa mekanizma konkretë të monitorimit dhe përgjegjësisë.

Duke iu referuar një raporti të Qendrës për Politika Evropiane, të publikuar më 5 qershor 2026, ai thekson se zbatimi i përgjithshëm i marrëveshjes së vitit 2023 ishte vlerësuar në vetëm 21,1 për qind.

“Ky vlerësim dëshmon hendekun ndërmjet zotimeve politike dhe realizimit të tyre në praktikë. Pa mekanizma efektivë verifikimi, afate konkrete dhe pasoja për moszbatimin, marrëveshjet mbeten kryesisht deklarime politike”, thekson Berisha.

Ai nënvizon se në dialog duhet të ketë barazi jo vetëm formale të detyrimeve, por edhe në mënyrën se si kërkohet dhe monitorohet përmbushja e tyre. Sipas tij, Kosova ka përgjegjësi që burojnë nga marrëveshjet e arritura, përfshirë procesin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por ky proces duhet të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën dhe rendin juridik të vendit.

Në anën tjetër, Berisha rikujton se edhe Serbia ka detyrime të qarta, përfshirë respektimin e marrëveshjeve, njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës, si dhe moskundërshtimin e anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare.

“Çështja nuk është që Kosova të shmangë përgjegjësitë e marra përsipër, por që ato të mos shkëputen nga detyrimet e Serbisë. Nuk mund të ndërtohet një proces i besueshëm nëse njëra palë përballet me kërkesa të vazhdueshme, ndërsa pala tjetër mund t’i shtyjë detyrimet e veta pa pasoja të krahasueshme”, deklaron profesori.

Ai konsideron se kërkesat ndaj Kosovës, veçanërisht në raport me Asociacionin, kanë qenë më të dukshme dhe më të vazhdueshme, ndërsa përmbushja e disa obligimeve nga Serbia nuk ka prodhuar rezultate të krahasueshme. Kjo, sipas tij, ka krijuar perceptimin e një asimetrie në kushtëzimin politik dhe diplomatik të palëve.

Sa i përket përgjegjësisë së Bashkimit Evropian, profesori Berisha thotë se BE-ja nuk mund të shihet vetëm si organizatore e takimeve, por si ndërmjetësuesja kryesore që duhet të garantojë zbatimin e marrëveshjeve dhe trajtimin e barabartë të palëve.

“Bashkimi Evropian mban përgjegjësi të rëndësishme politike dhe institucionale për ecurinë e dialogut. Përgjegjësia e tij lidhet me nevojën për mekanizma të qartë të zbatimit, kushtëzim të barabartë, transparencë në vlerësimin e palëve dhe një strategji konkrete për përfundimin e dialogut”, deklaron Berisha.

Ai thekson se edhe masat politike dhe financiare ndaj Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohen në përgjegjësi të dokumentuara, të jenë proporcionale dhe të zbatohen në mënyrë të qëndrueshme, pa standarde të dyfishta.

Në këtë kontekst, Berisha përmend edhe sulmin e armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023, duke vlerësuar se ndjekja penale e personave përgjegjës mbetet një çështje me rëndësi për besueshmërinë e dialogut dhe sigurinë në Kosovë.

“Bashkimi Evropian duhet të kërkojë përgjegjësi për veprimet që cenojnë sigurinë dhe stabilitetin. Nuk mund të flitet për normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve pa adresuar edhe çështjet që kanë cenuar drejtpërdrejt sigurinë e Republikës së Kosovës”, shprehet ai.

Për Berishën, në këtë situatë merr rëndësi të veçantë edhe angazhimi i Shteteve të Bashkuara, veçanërisht pas konfigurimit të ri të Kongresit amerikan. Ai vlerëson se Kosova duhet të kërkojë koordinim më të ngushtë ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit, në mënyrë që dialogu të mos mbetet vetëm nën ndërmjetësimin evropian, por të ketë edhe mbështetje dhe vëmendje të vazhdueshme institucionale amerikane.

“Angazhimi amerikan nuk duhet ta zëvendësojë rolin e Bashkimit Evropian, por ta plotësojë atë, duke ndihmuar në krijimin e një procesi më të balancuar, me përgjegjësi të qarta dhe me objektiv përfundimtar një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme dhe të orientuar drejt njohjes reciproke”, thekson profesori.

Një tjetër çështje që Berisha e konsideron të domosdoshme është krijimi i një mekanizmi të përhershëm profesional për diplomaci strategjike dhe lobim institucional në Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, ky mekanizëm duhet të funksionojë në dy nivele, në përfaqësinë diplomatike të Kosovës në Uashington dhe në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Prishtinë.

Ai propozon që në Uashington të angazhohet një ekip i specializuar diplomatësh dhe ekspertësh, të cilët do të kenë njohuri të thella për sistemin politik amerikan, Kongresin, administratën federale dhe çështjet e sigurisë. Ky ekip, sipas tij, duhet të mbajë komunikim të vazhdueshëm me senatorët, kongresistët e të dyja partive dhe komisionet që trajtojnë çështjet e Ballkanit Perëndimor.

Ndërkaq, në Prishtinë, ai propozon themelimin e një këshilli profesional këshillëdhënës pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ku do të përfshiheshin ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, diplomacisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, sigurisë dhe integrimeve euroatlantike.

“Ky mekanizëm duhet të jetë shtetëror, profesional dhe gjithëpërfshirës, jo partiak dhe jo i kufizuar në mandatin e një qeverie. Kosova ka nevojë për vazhdimësi institucionale dhe koordinim të drejtpërdrejtë ndërmjet diplomacisë në Uashington dhe institucioneve në Prishtinë”, vlerëson Berisha.

Ai rendit si prioritete lobimin dypartiak në Kongresin amerikan, monitorimin e veprimeve diplomatike dhe politike të Serbisë, informimin e vazhdueshëm të institucioneve amerikane për zhvillimet në Kosovë, avancimin e agjendës euroatlantike dhe koordinimin me diasporën shqiptaro-amerikane.

Sipas tij, një rëndësi të veçantë duhet t'i kushtohet edhe anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe forcimit të partneritetit strategjik me SHBA-në, duke shfrytëzuar potencialin e diasporës, akademikëve dhe organizatave profesionale.

Berisha vlerëson se diplomacia kosovare duhet të ndryshojë qasje dhe të mos funksionojë vetëm në mënyrë reaguese, pasi, siç thotë ai, Kosova nuk mund të presë që të reagojë vetëm pasi Serbia të ndërmarrë iniciativa politike, diplomatike apo propagandistike në arenën ndërkombëtare.

“Një shtet që synon të konsolidojë subjektivitetin e vet ndërkombëtar duhet të jetë i pranishëm përpara se të krijohen krizat, të identifikojë zhvillimet me kohë dhe të ndërtojë mbështetje institucionale për interesat e tij”, shprehet ai.

Profesori propozon që brenda 90 ditëve të themelohet grupi profesional koordinues në Prishtinë dhe Uashington, brenda gjashtë muajve të zhvillohet një cikël i strukturuar takimesh me Kongresin amerikan dhe institucionet përkatëse, ndërsa brenda një viti të institucionalizohet një forum i rregullt strategjik Kosovë–SHBA.

Në përfundim, Berisha nënvizon se fitorja e demokratëve në të dyja dhomat e Kongresit amerikan nuk është garanci automatike për avancimin e interesave të Kosovës, por paraqet një mundësi të rëndësishme politike dhe institucionale, të cilën Prishtina duhet ta shfrytëzojë përmes një strategjie të mirëfilltë diplomatike.

“Kosova nuk ka nevojë vetëm për mbështetje ndërkombëtare; ajo ka nevojë për një diplomaci që di ta ndërtojë, ta organizojë dhe ta shndërrojë atë mbështetje në rezultate konkrete shtetërore. Dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me një marrëveshje të qartë dhe ligjërisht të detyrueshme. Koha e reagimeve pas veprimeve të Serbisë duhet t'ia lërë vendin një politike të jashtme që i paraprin zhvillimeve, ndërton aleanca dhe mbron interesat e Republikës së Kosovës me argumente juridike, politike dhe diplomatike”, përfundon profesori universitar Fejzulla Berisha.

“Bashkimi Evropian duhet të dëshmojë paanshmëri dhe vendosmëri ndaj të dyja palëve, duke theksuar se Kosova nuk duhet të përballet vazhdimisht me kërkesa, ndërsa Serbia të mos mbajë përgjegjësi për obligimet e saj”

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht më shumë se një dekade e gjysmë negociatash, vazhdon të jetë larg një marrëveshjeje përfundimtare që do t'u jepte fund mosmarrëveshjeve ndërmjet dy shteteve. Mungesa e rezultateve konkrete dhe zvarritja e vazhdueshme e procesit kanë ngritur pikëpyetje për vullnetin politik të palëve, por edhe për mënyrën se si Bashkimi Evropian po e ndërmjetëson këtë proces.

Image
Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Nijazi Halili

Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Nijazi Halili, në një prononcim për këtë çështje, vlerëson se përgjegjësia për ngecjen e dialogut nuk mund t'u atribuohet vetëm Kosovës dhe Serbisë, pasi një pjesë e rëndësishme e saj bie edhe mbi Brukselin. Sipas tij, dialogu është konceptuar dhe menaxhuar në një mënyrë që nuk ka arritur të prodhojë një marrëveshje juridikisht të detyrueshme dhe të zbatueshme. Halili thekson se procesi nuk duhet të shndërrohet në negociata të pafundme për statusin e Kosovës, por duhet të ketë si synim njohjen e realitetit politik dhe normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve.

“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse ka zgjatur për më shumë se një dekadë e gjysmë, ende nuk ka prodhuar një marrëveshje përfundimtare, juridikisht të detyrueshme dhe të zbatueshme, që do t'u jepte fund mosmarrëveshjeve ndërmjet dy shteteve. Kjo dëshmon se problemi nuk qëndron vetëm te mungesa e vullnetit politik të palëve, por edhe te mënyra se si është konceptuar, ndërmjetësuar dhe menaxhuar ky proces nga Bashkimi Evropian”, deklaron Halili për ‘Bota sot’.

Ai vlerëson se Kosova dhe Serbia nuk hyjnë në këtë proces nga pozita të njëjta politike dhe historike, prandaj, sipas tij, as dialogu nuk duhet t'i trajtojë ato sikur të kishin të njëjtin status ndërkombëtar.

“Kosova është shtet i pavarur, me institucione demokratike dhe subjektivitet ndërkombëtar, ndërsa Serbia vazhdon të mos e njohë realitetin e krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Prandaj, dialogu nuk duhet të relativizojë shtetësinë e Kosovës dhe as ta shndërrojë atë në një proces të pafund negociatash për statusin e saj”, shprehet ai.

Duke folur për çështjen nëse Kosovës po i kërkohet më shumë sesa Serbisë, Halili thotë se ekzistojnë arsye konkrete për të ngritur një shqetësim të tillë. Sipas tij, në agjendën ndërkombëtare një vend të rëndësishëm kanë zënë kërkesat që lidhen me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa çështjet që prekin njohjen e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj nuk kanë marrë zgjidhjen e duhur politike.

“Sa i përket pyetjes nëse nga Kosova po kërkohet më shumë sesa nga Serbia, ekzistojnë arsye për të ngritur një shqetësim të tillë. Në praktikën e dialogut, kërkesat që lidhen me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe kanë zënë një vend të rëndësishëm në agjendën ndërkombëtare, ndërsa çështjet që lidhen me njohjen e Kosovës, respektimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe mosndërhyrjen e Serbisë në punët e brendshme të saj nuk kanë marrë zgjidhjen e duhur politike”, thekson Halili.

Megjithatë, studiuesi nënvizon se kjo nuk nënkupton që Kosova duhet t'u shmanget obligimeve që ka marrë përsipër në kuadër të marrëveshjeve të dialogut. Sipas tij, përgjegjësitë duhet të përmbushen nga të dyja palët, ndërsa çdo zgjidhje që lidhet me Asociacionin duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Megjithatë, kjo nuk e përjashton Kosovën nga përgjegjësia për zbatimin e obligimeve që ka marrë përsipër. Marrëveshjet e arritura duhet të respektohen nga të dyja palët. Asociacioni, nëse procedohet, duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pa kompetenca ekzekutive që cenojnë funksionalitetin institucional, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të shtetit”, deklaron ai.

Sa i përket rolit të Bashkimit Evropian, Halili konsideron se përgjegjësia e Brukselit është e konsiderueshme, pasi BE-ja nuk është vetëm ndërmjetësuese e takimeve, por edhe aktori që ka përcaktuar kornizën politike dhe strategjike të negociatave.

“BE-ja nuk është vetëm ndërmjetësuese, por edhe aktori që ka përcaktuar kornizën politike dhe strategjike të këtij procesi. Për këtë arsye, ajo duhet të dëshmojë paanshmëri, qëndrueshmëri dhe vendosmëri në zbatimin e marrëveshjeve. Nuk mund të kërkohet vazhdimisht përmbushje e obligimeve nga Kosova, ndërkohë që Serbia duhet të përballet me të njëjtin standard përgjegjësie për veprimet dhe mosveprimet e saj”, vlerëson Halili.

Ai i referohet edhe Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, të publikuar më 4 nëntor 2026, i cili, sipas tij, konstaton se progresi në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023 ka qenë i kufizuar dhe se të dyja palët duhet të tregojnë përkushtim më të madh. Halili thekson se raporti kërkon nga Kosova të nisë procesin për rregullimet që lidhen me vetëmenaxhimin e komunitetit serb, ndërsa nga Serbia të fillojë paralelisht njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.

“Kjo tregon se përgjegjësitë duhet të jenë reciproke dhe të trajtohen me standarde të barabarta. Nuk mund të ketë zbatim selektiv të marrëveshjeve dhe as presion të vazhdueshëm vetëm ndaj njërës palë. Nëse kërkohet përparim në dialog, atëherë të dyja palët duhet të japin llogari për detyrimet që kanë marrë përsipër”, shprehet ai.

Një tjetër problem që Halili e sheh si pengesë për avancimin e procesit është fakti se dialogu shpesh është përqendruar në takime dhe deklarata politike, pa prodhuar rezultate të prekshme për qytetarët.

Sipas tij, procesi duhet të kalojë nga diplomacia e deklaratave në diplomacinë e rezultateve, pasi qytetarët e të dyja vendeve kanë nevojë për siguri, stabilitet dhe një perspektivë të qartë evropiane.

“Është e pamjaftueshme që liderët të takohen në Bruksel, të prodhojnë komunikata politike dhe pastaj të kthehen në kryeqytetet e tyre pa rezultate konkrete. Familjet e personave të zhdukur, qytetarët, bizneset dhe gjeneratat e reja kanë nevojë për paqe të qëndrueshme, siguri juridike, lëvizje të lirë dhe perspektivë evropiane”, deklaron Halili.

Për këtë arsye, ai kërkon që Bashkimi Evropian të vendosë mekanizma konkretë të monitorimit, afate të qarta për zbatimin e marrëveshjeve dhe pasoja politike për palët që nuk i përmbushin zotimet e tyre.

“Bashkimi Evropian duhet të vendosë mekanizma konkretë monitorimi, afate të qarta dhe pasoja politike për moszbatimin e marrëveshjeve. Në të njëjtën kohë, duhet të ofrojë perspektivë të besueshme integruese për Kosovën dhe jo ta mbajë atë në një proces të vazhdueshëm kushtëzimesh, pa një horizont të qartë politik”, thekson studiuesi.

Në fund, Halili vlerëson se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ndërtohet mbi paqartësi politike dhe as mbi barazimin artificial të përgjegjësive. Sipas tij, paqja e qëndrueshme kërkon njohjen e realitetit politik, respektimin e sovranitetit dhe zbatimin e marrëveshjeve nga të dyja palët.

“Kosova nuk duhet ta refuzojë dialogun, por duhet të insistojë që ai të ketë një objektiv përfundimtar të qartë. Serbia duhet të përballet me obligimet e saj politike dhe ndërkombëtare, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të dëshmojë se është ndërmjetësues i besueshëm dhe jo vetëm menaxhues i një konflikti të ngrirë. Dialogu nuk duhet të jetë një proces që vetëm e shtyn zgjidhjen për të ardhmen, por një mekanizëm që e afron paqen, njohjen reciproke dhe integrimin evropian të rajonit”, përfundon Nijazi Halili për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat