Dimitrievski kërcënon me largim nga Qeveria nëse provimi i jurisprudencës mbahet në shqip, analistët: Shqiptarët kërkojnë barazi, jo privilegje

Politika

Dimitrievski kërcënon me largim nga Qeveria nëse provimi i jurisprudencës mbahet në shqip, analistët: Shqiptarët kërkojnë barazi, jo privilegje

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 10 nëntor 2026 Në ora: 14:03
Fotoilustrim: Maksim Dimitrievski dhe analistët Sulejman Mehazi e Vesel Makolli në debatin për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Lideri i Lëvizjes ZNAM dhe partneri i koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut, Maksim Dimitrievski, ka paralajmëruar se partia e tij do të largohet nga Qeveria nëse miratohet një vendim që lejon mbajtjen e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.

“Nëse Qeveria merr një vendim ndryshe, partia është e gatshme të largohet nga koalicioni qeveritar”, deklaroi ai më 6 nëntor, në një intervistë për televizionin “Sitel”.

Dimitrievski përsëriti se ZNAM-i nuk pranon që provimi të mbahet në ndonjë gjuhë tjetër përveç maqedonishtes, ndërsa paralajmëroi se do të kërkojë takim me partnerët e koalicionit për të diskutuar këtë çështje.

“Në takimin e ardhshëm me kryeministrin do të kërkoj një takim të liderëve, sepse ne asnjëherë nuk kemi diskutuar hapur për këtë çështje me partnerët tanë në Qeveri, në mënyrë që të përcaktojmë të gjitha vijat e kuqe dhe çfarë do të nënkuptojë kjo në të ardhmen për shtetin dhe për të gjithë sistemin tonë të drejtësisë”, tha kryetari i Lëvizjes ZNAM.

Megjithatë, në një prononcim të mëhershëm për “Fokus”, Dimitrievski kishte theksuar se vendimi duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, si dhe se kjo çështje nuk duhet të bëhet objekt i presioneve të përditshme politike.

Debati për mbajtjen e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe po vazhdon prej muajsh, ndërsa kërkesa e studentëve shqiptarë ende nuk ka marrë një zgjidhje përfundimtare institucionale.

Në prill të këtij viti, 385 studentë shqiptarë iu drejtuan institucioneve me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mund të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Ministria e Drejtësisë e refuzoi kërkesën, ndërsa studentët organizuan protesta para këtij institucioni, duke kërkuar respektimin e të drejtave të tyre gjuhësore.

Çështja u shoqërua edhe me deklarata të ndryshme të kryeministrit Hristijan Mickoski. Fillimisht, ai u shpreh se studentëve duhet t'u mundësohet dhënia e provimit në shqip, por më pas ndryshoi qëndrim, duke thënë se një gjë e tillë nuk lejohet nga ligji aktual.

Ndërkohë, akademiku Vllado Kambovski ka vlerësuar se rekomandimet e Komisionit të Venecias kanë të bëjnë me zhvillimin e procedurave gjyqësore dhe jo me gjuhën në të cilën duhet të mbahet provimi i jurisprudencës. Ai është shprehur se provimi mund të jepet edhe në shqip, por kandidatët duhet të kenë njohuri të mira të maqedonishtes dhe të terminologjisë juridike.

Për këtë çështje, për “Bota sot” kanë folur profesori i gjuhës shqipe Sulejman Mehazi dhe analisti politik Vesel Makolli, të cilët kanë kritikuar kundërshtimin e ZNAM-it dhe kanë kërkuar respektimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve.

Mehazi: Dimitrievski po përdor gjuhën shqipe për presion politik

Profesori i gjuhës shqipe Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka kritikuar ashpër liderin e ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, duke e krahasuar qasjen e tij me atë të Listës Serbe në Kosovë.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas Mehazit, kërcënimi për largim nga Qeveria është një mjet presioni politik, ndërsa kundërshtimi ndaj mbajtjes së provimit të jurisprudencës në shqip dëshmon, sipas tij, se gjuha shqipe dhe shqiptarët vazhdojnë të trajtohen si problem në vend.

Mehazi ka kritikuar edhe bashkëpunimin politik mes Dimitrievskit dhe përfaqësuesve të tjerë që, sipas tij, mbajnë qëndrime nacionaliste ndaj shqiptarëve.

“ZNAM-i i Dimitrievskit është partner i vogël në Qeverinë e Mickoskit, pesha e kësaj lëvizjeje politike është simbolike. ZNAM-i nuk ka forcë të vendosë ‘vija të kuqe’ për gjuhën shqipe. Dimitrievski vetëm që shtiret si mbrojtës i maqedonishtes dhe i Kushtetutës së RMV-së para elektoratit maqedonas. Kërcënimi për largim nga Qeveria është një mjet presioni brenda partive në pushtet, asgjë më shumë”, ka deklaruar Mehazi.

Ai ka kritikuar edhe partitë shqiptare, si ato në pushtet, ashtu edhe ato në opozitë, për mungesën e një qëndrimi të përbashkët dhe të qartë lidhur me zbatimin e të drejtave gjuhësore.

“Kërcënimi i Dimitrievskit me largimin nga Qeveria na bën me dije se në RMV gjuha shqipe dhe shqiptarët trajtohen si problem, jo si pasuri e një shteti multietnik”, ka thënë Mehazi.

Ai ka kërkuar që partitë shqiptare të sqarojnë dhe të harmonizojnë qëndrimet e tyre për mënyrën se si duhet të zbatohen garancitë kushtetuese dhe ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe.

Makolli: Pse Maqedonia e Veriut të mos marrë shembull Kosovën?

Edhe analisti politik Vesel Makolli ka komentuar kundërshtimin e liderit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Image
Vesel Makolli

Makolli, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se kjo çështje ka dimension juridik, kushtetues, politik dhe ndëretnik. Ai rikujton se shqiptarët përbëjnë 24.3 për qind të popullsisë rezidente të Maqedonisë së Veriut, sipas regjistrimit të vitit 2021, ndërsa gjuha shqipe ka status bashkëzyrtar në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Sipas tij, çështja kryesore nuk është vetëm statusi formal i gjuhës shqipe, por zbatimi i plotë i të drejtave gjuhësore në praktikën institucionale.

Makolli ka përmendur edhe Kosovën si shembull, duke theksuar se gjuha serbe është gjuhë zyrtare në tërë territorin e vendit, pavarësisht përqindjes së komunitetit serb.

“Përse Maqedonia e Veriut të mos e marrë si shembull Kosovën, ku gjuha serbe, e një komuniteti që përbën një përqindje shumë më të vogël të popullsisë, që nuk kalon 3 për qind, është gjuhë zyrtare në tërë territorin e Republikës së Kosovës?”, ka deklaruar Makolli.

Ai ka theksuar se barazia kushtetuese dhe respektimi i të drejtave gjuhësore duhet të zbatohen edhe në praktikën institucionale dhe jo të mbeten vetëm parime të shkruara në Kushtetutë.

Makolli ka kundërshtuar gjithashtu interpretimin që, sipas tij, ZNAM-i po i bën rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Ai ka theksuar se rekomandimet për përdorimin e gjuhëve në procedurat gjyqësore nuk nënkuptojnë se provimi i jurisprudencës duhet të mbahet vetëm në gjuhën maqedonase.

“Komisioni i Venecias, organ këshillëdhënës i Këshillit të Evropës për çështjet kushtetuese, ka shprehur shqetësimin se zbatimi i detyrueshëm i dygjuhësisë në procedurat gjyqësore mund të shkaktojë vonesa në funksionimin e gjykatave. Por këtu kemi një dallim juridik shumë të rëndësishëm: Komisioni i Venecias ka trajtuar përdorimin e gjuhëve në procedurat gjyqësore, ndërsa provimi i jurisprudencës është provim profesional i organizuar nga Ministria e Drejtësisë. Nuk është e saktë të thuhet se Komisioni i Venecias ka rekomanduar shprehimisht që ky provim të mbahet vetëm në gjuhën maqedonase”, ka thënë Makolli.

Në fund, ai ka bërë thirrje për koordinim të faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe për angazhim të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë në këtë çështje.

Sipas tij, përmes diplomacisë dhe bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar duhet të kërkohet zbatimi i plotë i Kushtetutës dhe i Marrëveshjes së Ohrit.

“Nuk kërkohet ndonjë privilegj i veçantë, por barazi në të drejta, respektim i identitetit kombëtar dhe zbatim i garancive kushtetuese. Për këtë çështje nevojitet një qëndrim i përbashkët, i vendosur dhe mbi të gjitha institucional i faktorit politik shqiptar. Vetëm përmes koordinimit të brendshëm dhe angazhimit të diplomacisë shqiptare mund të kërkohet që parimet e barazisë dhe të drejtave gjuhësore të zbatohen plotësisht edhe në praktikë”, ka përfunduar Makolli për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat