Mulliqi: Sulmet ndaj familjes së presidentes janë të orkestruara

Politika

Mulliqi: Sulmet ndaj familjes së presidentes janë të orkestruara

Nga: A.SH Më: 13 shkurt 2022 Në ora: 20:53
Vjosa Osmani me bashkëshortin, Prindon Sadriu

Bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu para disa ditëve u gozhdua nga mediat për një shkrim të tij në rrjete sociale, ku i kishte quajtur mediat “ndërmarrje kriminale”.

Ai duke e mohuar këtë ka thënë se disa media e kanë devijuar qëllimshëm shkrimin.

Majde, një gjë të tillë e kishte mohuar edhe presidentja Vjosa Osmani.

Lidhur me këtë analisti Skënder Mulliqi, thotë se këto janë sulme të orkestruara nga opozita dhe mediat e tyre, të cilat janë vu në funksion të gjërave krejt të karakterit privat.

“Sulmet e orkestruara të disa mediave dhe po ashtu të qarqeve të caktuara të bllokut opozitar politik, janë vu në shërbim të propagandë jo parimore ndaj presidentes Vjosa Osmani, dhe etiketimet deri në tradhti kombëtare të kësaj familje. Opozita me mediat e tyre, në vend që të merren me temat e rëndësishme për shtetin e Kosovës dhe proceset zhvillimore, janë vu në funksion të gjërave krejt të karakterit privat”, thotë ai.

Sipas tij, qytetarët janë dëshmitarë të punës së ndershme të deritashme nga Presidentja duke shtuar se transparenca, përgjegjësia, përkushtimi në punë, llogaridhënia janë bërë tashmë kulturë e saj.

“Edhe kësaj radhe për ta sulmuar Prindonin, u bë “mollë sherri” presidentja Osmani, rreth paraqitjes së shpenzimeve të Presidencës, duke i krahasuar ato shpenzime me shpenzimet e presidencave të kaluara, doli se të tjerët kishin enorme, si në çdo resor tjetër shtetëror. Qytetarët e Kosovës janë dëshmitar të punës së ndershme të deritashme nga presidentja e Kosovës zonja Osmani. Transparenca, përgjegjësia, përkushtimi në punë, llogaridhënia janë bërë tashmë kulturë e saj dhe kulturë qeveritare, që për gati 15 vite nuk i kishim nga ata, të cilët po lëshojnë zëra çjerrës kundër çdo pune të Presidencës dhe të Qeverisë. Zonja Osmani nuk e ka keqshfrytëzuar paranë publike, çka edhe u bë publike kjo gjë. Këto virtyte të larta ajo i kishte edhe si deputete dhe si kryeparlamentare e Kosovës. Prandaj, nuk ekziston asnjë arsye, veç xhelozisë dhe luftës për pushtet ndaj zonjës Osmani, e cila gjithmonë është respektuar nga qytetarët, për çka edhe mori më së shumti vota në zgjedhjet e kaluara nacionale”, është shprehur ai.

Për kritikat ndaj Prindon Sadriut, analisti thotë se etiketimet që po i bëhen familjes Osmani janë shumë të ulëta dhe i kanë kaluar të gjitha përmasat.

“Unë nuk mund të besojë se Sadriu ka menduar për të gjitha mediat elektronike dhe të shkruara dhe rrjetet sociale, të cilat janë të shumta në Kosovë. Ai edhe e sqaroi se për këtë deklarim “e ka kuptuar peshën e statusit të tij, por që thotë se është devijuar qëllimshëm. Ai shtoi tutje se ka respekt për mediat dhe gazetarët profesionistë. “E kuptojë peshën e statusit tim të postuar mbrëmë (i cili qëllimshëm është devijuar nga disa), por dua të qartësoj se respekti dhe mirënjohja ime për punën e mediave dhe gazetarëve profesionist ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e parezervë”.

Kërcënimet e deritashme dhe etiketimet ndër më të ulëtat që po i bëhen familjes Sadriu dhe presidentes, siç e pohon edhe Prindoni, i kanë kaluar të gjitha përmasat, dhe se ato nuk i shërbejnë stabilitetit politik dhe ekonomik të vendit aq të nevojshme”, përfundon Skënder Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat