Unifikimi i planit për mbrojtje ushtarake, grusht i fortë kundër kërcënimeve ruso-serbe/ Vjen thirrja urgjente për Kosovën e Shqipërinë

Politika

Unifikimi i planit për mbrojtje ushtarake, grusht i fortë kundër kërcënimeve ruso-serbe/ Vjen thirrja urgjente për Kosovën e Shqipërinë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 16 gusht 2022 Në ora: 08:09
Presidentja Osmani dhe Presidenti Begaj

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë.

Gjatë takimit me presidenten Vjosa Osmani u përmend një traktat për mbrojtje të ndërsjellë me Shqipërinë, cili do të mundësonte reagim në rast të cenimit të dy shteteve.

Osmani ka thënë se është koha që të ndërmerren hapa të duhur në këtë drejtim sa i përket bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Ajo ka theksuar se fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s krijon siguri më të madhe në gjithë rajonin duke shtuar se synim i Kosovës mbetët anëtarësimi në këtë aleancë.

Sa i përket bashkëpunimit tonë dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes është me rëndësi që mes Shqipërisë, siç e diskutuam, të kemi edhe një traktat për mbrojte të ndërsjellë me të cilin në mënyrë reciproke do të reagojmë në rast të cenimit të dy shteteve tona. Ka disa vite qe e kam bërë një propozim të tillë, i cili është në harmoni me praktikat ndërkombëtare dhe aplikohet nga shumë shtete përfshirë nga aleatët tanë strategjik ndaj mendoj që është koha të bëjmë hapa të duhur në këtë drejtim”, ka thënë Osmani.

Osmani ka përmendur edhe situatën e krijuar pas 31 korrikut në veri të Kosovës për çka ka thënë se institucionet vazhdojnë të jenë të koordinim të plotë më partnerët ndërkombëtar dhe po bëjnë përgatitjet për zbatimin e vendimeve.

E sa mund të ndodhë një bashkëpunim i tillë dhe cilat mund të ishin përfitimet nga një traktat i tillë treguan eksperti i sigurisë, Drizan Shala dhe analisti Gani Qarri.

Ata dhanë vlerësimet e tyre në prononcimet për “Bota sot”.

Shala: Shtimi i kontingjentit të ushtarëve shqiptarë në kuadër të KFOR-it, varet nga politikat dhe orientimet që ka NATO

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” u shpreh se vizita e presidentit Begaj në Kosovë më shumë është si një traditë, ku krerët e dy shteteve shqiptare e realizojnë për bashkërendim të politikave nacionale.

Image
Drizan Shala

Vizita e Presidentit të Shqipërisë si vizitë e parë është në vargun e një tradite e cila është krijuar këto vite ku krerët e dy shteteve vizitat e para i realizojnë te njëra tjetra si tregues i një bashkëpunimi dhe bashkërendimi të politikave nacionale të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit”, deklaroi ai.

Sa i përkeq shtimit të kontigjentin të ushtarëve shqiptarë në kuadër të KFOR-it, Shala vlerësoi se kjo gjë varet nga politikat dhe orientimi i NATO-s.

Ndërsa në lidhje me shtimin e kontingjentit të ushtarëve shqiptarë në kuadër të KFOR kjo pjesë varet nga politikat dhe orientimet që ka NATO-ja për KFOR por edhe për rajonin në përgjithësi”, theksoi eksperti i sigurisë.

Ndër të tjera, ai parashikoi se një kontigjent i shqiptarëve në KFOR mund të ndodhë vetëm në rast të ndonjë emergjence apo nevojës për një reagim shumë të shpejtë, për ruajtjen e rezolutës 1244.

Kontigjenti eventual KFOR (Ushtria Shqiptare) mund të vijë në konsideratë në rast se ka ndryshim të rrjedhjava në teren dhe që domosdo kërkohet një forcë reaguese e shpejt e që në këtë rast Tirana (Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë) mund të aktivizojë BOS (Batalionin e Operacioneve Speciale) brenda intervalit kohor 3 orësh për të ndërhyrë në ruajtjen e statusit të rezolutës 1244 që operon KFOR në Kosovë”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Qarri: Kosova dhe Shqipëria do duhej ta projektonin një plan të unisuar për mbrojtje të përbashkët ushtarake

Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri në prononcimin për “Bota sot” përmendi letrën që Hashim Thaçi ia kishte dërguar më parë Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Andersen, se Forcat e Ushtrisë së Kosovës, pa lejen e KFOR-it, nuk do të vendosen në veri.

Image
Gani Qarri

Në fakt problemi kryesor, që ia lidhë të dy këmbët udhëheqjes së Kosovës, mbetet letra e kuislingut Hashim Thaçi i cili fshehurazi dhe pa e vënë fare në dijeni presidenten e atëhershme të shtetit, Atifete Jahjaga, përkundër faktit se sipas ligjit dhe Kushtetutës së vendit presidenti/ja është Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura, më 19 prill të vitit 2013, ai kokë më vete, i dërgon letër Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Andersen, se Forcat e Ushtrisë së Kosovës, pa lejen e KFOR-it, nuk do të vendosen në veri”, u shpreh ai.

Krahas kësaj, Qarri këtë e vlerësoi si një veprim anti-shtetëror, nga i cili janë trimëruar bandat kriminale serbe edhe më shumë.

Ky veprim antishtetërorë i cili ishte dakorduar ndërmjet Thaçit e Vuçiqit, ka trimëruar shumë, bandat kriminale serbe dhe Serbinë hegjemoniste, prandaj kërcënimet e Serbisë, jo vetëm që nuk janë shuar asnjëherë, por ato kanë pësuar edhe rritje dhe intensifikim gjithnjë e më të madh, duke shkuar deri te vendosja, tetorin e vitit të kaluar, të njësive elite të forcave të armatosura të Serbisë në kufijtë verior të Kosovës dhe kërcënimet e hapura të Aleksandër Vuçiqiot dhe ministrave të tij, për agresion ushtarak mbi Kosovën”, theksoi analisti.

Madje, ai tha se që nga atëherë shkelja e ushtrisë tonë në veri nuk është e lehtë, ndonëse Kosova si shtet i pavarur e sovran, duhet të jetë e vendosur që ta qojë deri në fund vendosjen e rendit e të ligjit edhe në këtë pjesë të territorit të vet.

Kështu që, edhe ne ,nga atëherë e kemi ditur mirë, se ky proces nuk do të jetë i lehtë, pikërisht për shkak të ndalesës së Thaçit, për ushtrinë tonë, që të mos shkel në veri dhe veprimtarisë së vazhdueshme të bandave kriminale serbe që operojnë pa asnjë pengesë, nën dirigjimin e Vuçiqit në atë pjesë të vendit tonë, por Kosova si shtet i pavarur e sovran, duhet të jetë e vendosur që ta qoj deri në fund, vendosjen e rendit e të ligjit edhe në këtë pjesë të territorit të vet, e cila e ka për obligim garantimin e sigurisë dhe një mjedisi të qetë për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe ruajtjen e territorit shtetëror në gjithë shtrirjen gjeografike të saj, edhe në veri”, nënvizoi Qarri.

Në vazhdim, analisti përmendi kërcënimet e vazhdueshme nga shteti serb në veri të vendit, ku kërkoi nga Kosova që të insistojë në shfuqizimin e letrës së Thaçit dërguar sekretarit të NATO-s.

“Prandaj duke pasur parasysh kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë, rrezikun permanent që paraqesin në vijimësi bandat kriminale serbe në veri dhe gjendjen e paqëndrueshme të sigurisë, sidomos tani, vetëm pak ditë para zbatimit të reciprocitetit me Serbinë, Kosova ushtarët e të cilës trajnohen nga NATO, për veprime paqësore brenda dhe jashtë vendit, me ushtrinë e vet, që ka autorizim kushtetues e ligjor për përmbushjen e misionit mbrojtës në gjithë territorin, duhet të insistojë me çdo mënyrë, që të shfuqizohet letra e kuislingut Thaçi dërguar sekretarit të NATO-s, dhe fillimisht, qoftë edhe si njësi plotësuese të KFOR-it, për ruajtjen e paqes dhe forcimin e sigurisë në veri, trupat e ushtrisë së Kosovës tu bashkohen forcave të NATO-së, për veprim mbrojtës në atë pjesë të vendit tonë, kurse 500 deri 1000 trupa të Forcave të Sigurisë së Kosovës, të vendosen me kazerma, për qëndrim të përhershëm, në këtë pjesë të territorit të Kosovës”, shpjegoi ai.

Më tej, Qarri potencoi se bazuar në kërcënimet e Rusisë dhe Serbisë, Kosova dhe Shqipëria duhet të projektojnë një plan të përbashkët për mbrojtje të përbashkët ushtarake të shteteve tona.

Kurse, ai mirëpriti edhe vendosjen e një kontingjenti ushtarësh nga Shqipëria në Kosovë, për përforcimin e forcave paqeruajtëse në kuadër të KFOR-it.

Për aq më tepër, nxitja e situatave konfliktuoze në veri dhe kërcënimet e vazhdueshme e gjithnjë më të hapura të Serbisë hegjemoniste për intervenim ushtarak në Kosovë si dhe kërcënimet e presidentit rus Vladimir Putin që sidomos kohëve të fundit, janë shpeshtuar shumë, kundër vendit tonë, si një popull i vogël që jemi në rajon, Kosova dhe Shqipëria do duhej ta projektonin një plan të unisuar për mbrojtje të përbashkët ushtarake të shteteve tona dhe strategjinë kombëtare, për ruajtjen e trojeve etnike shqiptare, të mbetura jashtë kufijve tanë aktual shtetëror.

Prandaj edhe vizita në këto momente të rëndësishme, e presidentit të Shqipërisë në Kosovë, është e mirëseardhur siç është i mirëpritur çdo afrim edhe më i ngushtë i të dy pjesëve të kombit tonë, e veçanërisht, nëse bisedohet edhe për vendosjen e një kontingjenti ushtarësh nga Shqipëria në Kosovë, për përforcimin e forcave paqeruajtëse në kuadër të KFOR-it, për shkak të rrezikut të tensionimit të gjendjes, me porosi të Serbisë nga bandat kriminale serbe në veri, në prag të hyrjes së masave të reciprocitetit me Serbinë”, shtoi analisti.

Në fund, ai tha se forcat shqiptare Kosovë-Shqipëri, me gjithë gatishmërinë dhe vullnetin e mirë, mund të jenë shumë kontributdhënëse të sinqerta, por jo edhe të vetmet dhe me ndikim kryesor.

Por përderisa përgjegjësinë për ruajtjen e territorit dhe çështjes së sigurisë së kufijve të shtetit të Kosovës, përfshi edhe veriun, e ka KFOR-i dhe forcat e NATO-së në vendin tonë, si dhe letra e dërguar ish sekretarit të NATO-s nga kuislingu Thaçi, që ushtarët e Kosovës pa lejen e NATO-së, të mos vendosen në veri, forcat shqiptare Kosovë-Shqipëri, me gjithë gatishmërinë dhe vullnetin e mirë, mund të jenë shumë kontribut dhënëse të sinqerta, por jo edhe të vetmet dhe me ndikim kryesor, përpara sfidave me të cilat Serbia, sërish mund dhe pritet, që në prag të 1 shtatorit, ta provokojë Kosovën”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat