Misteri i përplasjes së Lumirit me presidentin Begaj / Idetë e ‘botës serbe’ të përkrahura nga Begaj?!

Politika

Misteri i përplasjes së Lumirit me presidentin Begaj / Idetë e ‘botës serbe’ të përkrahura nga Begaj?!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 19 gusht 2022 Në ora: 09:54
Bajram Begaj, Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, qëndroi për dy ditë në vizitë në Kosovë.

Ai u prit në takim nga krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit e po ashtu edhe nga opozitarët.

Por, ndodhi habia, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku nuk pranoi që të takohet me presidentin e Shqipërisë, me arsyetimin se Begaj kishte refuzuar t’i takonte në selinë e partisë.

Presidenti Begaj, takimet me liderët e partive opozitare i mbajti në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, por për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdigjiku, ai vend ishte i papërshtatshëm.

Për këtë, pati shumë kritika nga analistë e besa edhe ish-anëtar të LDK-së, të cilët një vendim të tillë nuk e pritën mirë.

Duhanaj: Çfarë mund të ketë qenë vallë pengesat që Kryetari i LDK-së t'i ftohë apo ngrijë marrëdhëniet me Presidentin e Shqipërisë?

Analisti Leon Duhanaj, deklaron se veprimi i LDK-së, duhet të ketë një arsye të fortë, kur dihet se Kuvendi i Kosovës është organi më i lartë i një shteti.

Image
Leon Duhanaj

Kuvendi është institucioni më i lartë i Republikës së Kosovës dhe si i tillë, do duhej të respektohej nga të gjithë. Aq më shumë subjektet politike institucionaliste e që janë pjesë e këtij Kuvendi, shfrytëzojnë hapësirat e tij për zyre. Ta refuzosh një takim në këtë Kuvend, vërtetë duhet me pas një arsye shumë të fortë, e që unë nuk po e gjejë askund, aq më pak kur në pyetje është Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.

Çfarë mund të ketë qenë vallë pengesa që Kryetari i LDK-së t'i ftohë apo ngrijë marrëdhëniet me Presidentin e Shqipërisë që në start?

Apo mos ndoshta ne si komb jemi të mallkuar për të qenë çdoherë në konflikt me njëri-tjetrin, çdoherë në kuptim me veten”, thekson analisti.

Ai thotë se, me vet faktin që presidenti nderoi ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, LDK-ja duhet të sillet si parti parlamentare, e jo të veproj në mënyrë të tillë.

Vërtetë nuk arrij të gjejë arsye logjike për këtë qasje tejet jo të natyrshme. Përpjekja që zyrat e LDK-së të paraqiten si shtëpia e Presidentit Rugova është po aq e pasinqertë. Presidenti e vizitoi dhe e nderoi ish Presidentin Rugova tek varri i tij, kështu që nga ky moment LDK-ja duhet të sillet si parti parlamentare e jo si Presidenca e Kosovës.

Nëse Presidenti shqiptar në agjendën e tij i ka ftuar të gjitha partitë të takohen në Kuvend, atëherë ka qenë e udhës që secila nga partitë t'i përgjigjet pozitivisht. Nuk e di a ka LDK-ja ndonjë arsyetim të logjikshëm për këtë, por as nuk besoj që mund të ketë ndonjë të tillë”, përmbylli analisti.

Mulliqi: Veprim nënçmues politik dhe i pamatur

Analisti Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot” thotë se në gjithë këtë mesele ka diçka.

Image
Skënder Mulliqi

Madje, këtë veprim e quan të pamatur, nënçmues politik. Analisti këtë veprim e sheh se gjoja kjo parti nuk ka dëshiruar të takohet me një president të zgjedhur nga PS-ja.

Për dy ditë në Kosovë qëndroi, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili zhvilloi takime me presidenten e Kosovës. Vjosa Osmanin, kryeministrin Albin Kurti dhe me krerët e partive opozitare përjashtuar këtu, Lumir Abdixhikun e LDK-së. Si arsyetim nga presidenca e Shqipërisë për mos zhvillim të takimit ishte se Begaj, kishte kërkuar të takohet më të gjithë krerët opozitarë në ambientet e Kuvendit të Kosovës, e jo në selitë e partive politike, për çka edhe LDK-ja e nxjerri si arsyetim se presidenti i Shqipërisë është dashur të shkojë në selinë e LDK-së, për tu takuar me zyrtarët më të lartë të kësaj partie,”, thotë Mulliqi.

Arsyetimi për mos zhvillim të takimit doli nga të dyja palët se ishte i natyrës protokollare, pa ndonjë prapavijë të caktuar politike. Por, Mulliqi dyshon se ka diçka përtej asaj që u tha nga të dyja palët.

Mirëpo, në gjithë këtë mesele ka diçka që nuk shkon. Abdixhiku nuk kishte arsyetim të refuzojë të shkojë në takim me Begajn, siç e bën krerët e partive të tjera politike, kur dihet se ai sapo është zgjedhur në këtë post. Mos shkuarja në takim nga ana e Abdixhikut ishte gjest i pamatur dhe nënçmues politik, se në pyetje është i pari i shtetit shqiptar. Një tjetër arsyetim që mund të jetë i natyrës politike, nga LDK-ja është, se gjoja kjo parti nuk ka dëshiruar të takohet me një president të zgjedhur nga PS-ja. Dhe, aq më pak justifikohet ky refuzim i LDK-së, për ta takuar presidentin e Shqipërisë, kur dihet se krerët më të lartë të këtij subjekti politik ishin takuar me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviqin, kur ai e kishte vizituar Kosovën”, thotë ai.

Në fund shton se mos takimi ka lënë një shije të keqe, incident ky që nuk ka asnjë kuptim.

Mulliqi në këtë vizite e sheh një mangësi të presidentit të Shqipërisë, përmendja e “Ballkanit të hapur” në Kosovë, kur dihet se Kosova nuk është pjesë e saj dhe është kategorik kundër.

Mos takimi me presidentin e Shqipërisë, ka lënë shije të keqe në opinionin e gjerë publik, dhe ka zgjuar edhe pikëpyetje tjera të natyrës politike. LDK-ja, pothuajse për të gjitha temat po pajtohet me bllokun opozitarë në Kuvend, dhe ky incident politik nuk ka asnjë kuptim. Unë megjithatë mendoj se kjo vizitë e presidentit të Shqipërisë, ishte produktive sa i përket thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë, por që më duket se Begaj gaboi në agjendën e tij, kur e përmendi në Prishtinë, idenë e Ballkanit të hapur, që po kundërshtohet në Kosovë, dhe e cila ide bie ndesh edhe me interesat e shqiptarëve në Ballkan. Kjo ide nuk dallon nga idetë e botës ruse dhe botës serbe, për çka edhe Begaj ishte dashur të jetë i vetëdijshëm. Nga takimet e zhvilluara shihej mungesa e përvojës së tij, që ndikojë në atmosferën jo shumë të ngrohtë politike”, përfundoi analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat