Analistët komentojnë propozimin e Shpend Ahmetit për emrin e Asociacionit

Politika

Analistët komentojnë propozimin e Shpend Ahmetit për emrin e Asociacionit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 12 mars 2023 Në ora: 19:01
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti

Në marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2013 dhe 2015 me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së, është rënë dakord për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ën veri të Kosovës.

Së fundi, ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka dalë me një propozim për ndrrimin e emrit të Asociacionit.

Ai ka propozuar që emri të jetë Asociacioni i Komunave të Republikës së Kosovës me Shumicë Joshqiptare.

“Unë kisha propozu emrin Asociacioni i Komunave të Republikës së Kosovës me Shumicë Joshqiptare; 1. Siguron që asociacioni është i Republikës tonë; 2. Ska karakterit njëetnik”, ka shkruar ai.

Maraj: Propozimi i Ahmetit lë mundësi të ketë prerëse në dy anë në një të ardhme

Image
Njohësi i çështjve politike Milazim Maraj

Njohësi i çështjve politike Milazim Maraj, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se edhe ideja e Shpend Ahmeti për Asociaiconin lë mundësi prerëse në dy anët.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë nga Ministria për kthim që këta të përndjekur pas lufte të kthehen në tokat dhe pasuritë e tyre të cilët u përzunë dhunshëm nga Oliver Ivanoviqi më bandat e tij kriminale të udhëhequra nga Vuçiqi.

“Nuk kam informacione të mjaftueshme nëse ka mundësi t’i jepet një emër tjetër. Por edhe propozimi i ish kryetarit të Prishtinës Z. Shpend Ahmeti lenë mundësi të ketë të prerëse në dy anë në një të ardhme. Pjesa e parë është përcaktim i shtetit ku gjendet ky asociacion; është mirë. Por pjesa e dytë për një të ardhme është pengesë për shqiptarët. (Më shumicë jo shqiptare) Janë rreth 13.000 shqiptarë që u shpërngulën dhunshëm nga fshatrat në veri të Mitrovicës. Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë nga Ministria për kthim që këta të përndjekur pas lufte të kthehen në tokat dhe pasuritë e tyre. Këta u përzunë dhunshëm nga Oliver Ivanoviqi më bandat e tij kriminale të udhëhequra nga Vuçiqi dhe kriminelet tjerë. Ky emërtimi me shumicë jo shqiptare pengon rikthimin e këtyre të shpërngulurve në pasurit dhe trojet e tyre. Por ajo çka është më e rëndësishme, në statutin dhe programin e kësaj shoqate të mos ketë mbivotim, të vendosët me konsensus. Në panelin vendimmarrës të përfaqësohen të gjithë pjesëtarët e komuniteteve që jetojnë në ato fshatra tani Komuna. Të drejtat tjera të përcaktohen në bazë të parimit të Kosovës. Për shembull, nëse këta do të kenë kuvendin e asociacionit në këtë kuvend shqiptarët duhet të kenë vende të rezervuara pos numrit që e arrijnë me votat e tyre. Asnjë pakicë në këto territore të mos mbetën jashtë mundësisë për vendim marrje, pra të jetë pjesë e kësaj strukture më të drejta të barabarta”, thotë ai.

Tutje, shton se dizajni i Asociacionit duhet të jetë në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Kosovës dhe jo assesi interesat politike të Serbisë.

“Puna e asociacionit duhet të jetë për të vepruar sipas interesave të qytetarëve të Kosovës dhe jo interesat politike të Serbisë, kështu që dizajni i strukturave të asociacionit duhet të siguroj që asociacioni të mbrojë interesat e qytetarëve të Kosovës dhe jo assesi interesat politike të Serbisë. Këtë mundësi duhet të ua sigurojmë pjesëtareve në këtë strukturë. Të gjithë duhet të jenë të barabartë. Pranimi i buxhetit që vjen nga Serbia duhet të shfrytëzohet sipas vendimeve të asociacionit dhe jo dedikimit nga Serbia. Mendoj që emri është i rëndësishëm por nuk përcakton gjithçka. Autonomia e asociacionit nuk duhet të ndikohet nga Serbia, për këtë arsye duhet që në asnjë pikë të mos i lihet kjo mundësi”, përfundon ai.

Elezaj: Nuk besoj se do pranohet nga përfaqësuesit e BE-së, por as nga pala serbe

Image
Analisti Rexhep Elezaj

Ndërsa, analisti Rexhep Elezaj thotë se propozimi i Ahmeti është i qëlluar por duke e ditur se jemi në fazën finale, atëherë vështirë se do të pranohet nga përfaqësuesit e BE-së, duke përmenduar edhe propozimni e Kurtit për 6 pikat, qe iu refuzuan nga BE.

“Propozimi i ish kryetarit të Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, që të ndryshohet emri i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me emrin e ri, “Asociacioni i komunave të Republikës së Kosovës me shumicë joshqiptare”, pa asnjë dilemë, është një ide e mirëseardhur dhe e qëlluar, po sikur ky ndryshim do mund të ndodhte në realitet, ngase do ta ndryshonte edhe përmbajtjen e tij sipas marrëveshjes së Brukselit të nënshkruar në vitin 2015, dhe e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Prandaj, duke marrë për bazë faktin se në dy marrëveshjet e Brukselit ky asociacion është definuar me emrin, “Asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë”, mendoj se ndryshimi i këtij emri, tani kur negociatat Kosovë-Serbi kanë hyrë në fazën finale, nuk besoj se do pranohet nga përfaqësuesit e BE-së, por as nga pala serbe, që ky propozim i z. Sh. Ahmeti të pranohet”.

“Këtë kurs negativ ndoshta më së miri e dëshmon propozimi i kryeministrit Kurti, i para një muaji, kur doli me propozimin e gjashtë pikave shtesë, si kusht për formimin e “Zajednicës” serbe, por të cilat nuk u pranuan nga ndërmjetësuesit e BE-së, meqenëse inkorporimi eventual i këtyre pikave në tekstin e aktit të themelimit të asociacionit, do vlerësohej si ndërhyrje e vonuar dhe juridikisht e papranuar. Kështu që unë jam mjaft skeptik, se propozimi i kujtdo qoftë, jo vetëm ky i z. Ahmeti, për ndryshim të emrit të asociacionit në fjalë, ka pak gjasa që të pranohet, kur dihen qartë qëndrimet hegjemoniste të palës serbe ndaj Kosovës se pavarësisë së saj”, deklaron ai.

Në fund, thotë se “miti” i serbëve është se ata kurrë nuk od të heqin dorë dhe nuk iu bënë përshtypje se çfarë do t’i sjellin Evropës dhe botës 50 dhe 100 vitet e ardhshme.

“Po ashtu, dua ta theksoj faktin i cili shumë pak, ose aspak është trajtuar nga politikanët tanë, se qëllimi, prapavija, insistimi dhe kërkesat substanciale për dhjetë vite rresht nga pala serbe që gjithsesi të formohet “Zajednica” e tyre në Kosovë, ka qenë, është dhe do mbetet synimi më djallëzor dhe më antishqiptar i krerëve aktualë të Serbisë, pas të cilit qëndron hegjemonia fashiste e tyre për ta mbajtur penga sa më gjatë Kosovën, me vite dhe dekada, deri në çastin kur, gjithnjë sipas tyre, një ditë në Ballkan dhe botë do ndodhin ndryshime të mëdha, të cilat çetnikëve dhe kishës serbe do iu mundësojnë “kthimin” e Kosovës nën sundimin e tyre..!? Pra, kjo është miti dhe “ëndrra” e gjithë serbëve, nga realizimi i të cilës, ata kurrë nuk do heqin dorë, dhe, se çfarë do t’i sjellin Evropës dhe botës 50 dhe 100 vitet e ardhshme, këtë askush nuk mund ta parashikojë, qofshin ata edhe djajtë serbë”, përfundon Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat