Nga Bashkimi Evropian vazhdimisht po bëhet thirrje për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe të ketë normalizim marrëdhëniesh ndërmjet të dyja vendeve.
Madje kjo thirrje po vjen edhe Samiti i Tiranës që po mbahet këto ditë me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani si përfaqësuese e Kosovës në këtë samit, ka takuar gjatë të premtes, Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas. Osmani ka thënë se Kosova është e gatshme për hapin e radhës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
“Kënaqësi të takohem me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, një mbështetëse e kahmotshme për një Evropë të sigurt e të bashkuar. Duke qenë se gjatë vizitës së saj javën e ardhshme në Kosovë do të jem në një vizitë shtetërore të paracaktuar jashtë vendit, takimin e realizuam në Tiranë. Kosova është e gatshme për hapin e radhës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se ka një bllokadë totale nga ana e Bashkimit Evropian dhe nuk po vlerësohet puna.
“Ka një bllokadë totale nga ana e BE-së, nuk vlerësohet puna jonë, nuk vlerësohen reformat e ndërmarra, nuk vlerësohet fakti që ne jemi 100% me politikat e tyre sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, por edhe politikave të tjera. Për fat të keq po jepet një mesazh shumë i keq për rajonin tonë. Më shumë po iu hapet në raport me ata që shkojnë në Moskë te Putini sesa për ne që nuk shohim rrugë dhe alternativë tjetër veç BE-së”, u shpreh Osmani.
Osmani deklaroi tutje se ma me rëndësi se bisedimet me Serbinë janë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Gjithë këto thirrje dhe këto presione që po vijnë nga BE-ja për vazhdimin e dialogut me Serbinë, a tregojnë se kjo është ndër ҫështjet më të rëndësishme për Kosovën aktualisht?
Shkodra: Bashkimi Evropian të jetë më i ashpër ndaj Vuҫiqit i cili së fundi ishte në një vizitë tek Putini

Analistja politike, Magbule Shkodra ka thënë se Bashkimi Evropian po vazhdon të bëj thirrje për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ajo mendon se kjo është e drejtë.
“A duhet të vazhdohet me dialogun i cili ka filluar një sërë negociatash prej vitit 2011 dhe nuk kemi arritur në atë që të na njeh si shtet i pavarur, unë mendoj që jo. Tani mendoj që është momenti të ndërrohet strategjia dhe të provohet me një strategji dhe kjo për mua do të ishte që Serbisë prej fillimit t’i kërkohet që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe tani me implementimin e marrëveshjeve tjera. Përndryshe dua të them që është e rëndësishme të dëgjoj zëra që ne mundemi të vazhdojmë rrugëtimin tonë, por nuk është ashtu, sepse pikërisht ky raport jo i normalizuar po e bën Kosovën të duket si një vend i pasigurt për shkak se ne kemi pasur, për shembull veprimin terrorist që na ndodhi në Banjskë, pastaj sulmi në Ibër Lepenc dhe kjo po na bën si një shtet jo i sigurt dhe kjo po ndikon pastaj që të gjithë ata investitorët që do të mund të ishin prezent në Kosovë, të largohen sepse nuk na shohin si vend të sigurt”, vlerëson Shkodra.
Ajo thotë se është shumë më rëndësi që njëherë e përgjithmonë tani të zgjidhjet kjo ҫështje, por për t’u zgjidhur kjo, Bashkimi Evropian duhet të jetë më i fuqishëm.
“Me fuqinë e tij kuptoj që pesë shtetet jo njohëse ta njohin Kosovën dhe kjo do ishte një mesazh i fortë edhe për Serbinë. Poashtu pres që Bashkimi Evropian të jetë më i ashpër ndaj Vuҫiqit i cili së fundi ishte në një vizitë tek Putini dhe pastaj të ftohet në Samitin e Tiranës si një person që dmth se ҫdo gjë është në rregull dhe asgjë nuk është jashtë rregullave të një normaliteti të një demokracie. Unë mendoj që është e padrejtë. Prandaj, Kosova ka nevojë dhe është e rëndësishme që ta zgjidhë situatën me Serbinë, në mënyrë që të orientohemi pastaj drejtë zhvillimit ekonomik dhe njohjeve për Kosovën”, thekson ajo.
Bexheti: Me gjithë këto peripeci negative për Kosovën, Kosova nuk duhet të heqë dorë nga ndihma e Evropës
Po ashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike, Nexhat Bexheti.

Ai thotë se sintagma Evropiane për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, për opinionin e brendshëm, por edhe atë të jashtëm, ka nisur të kalojë në banalitet.
“Jemi dëshmitarë se shumë diplomatë dhe deputetë Evropian ngrenë dyshime për neglizhencën Evropiane. Kaloj shumë kohë situata akoma ka ngelur në pikën kritike nuk ka përparim ka nisur të zbehet aktiviteti Evropian. Sepse retorika e vazhdueshme për normalizimin e marrëdhënieve në mes këtyre shteteve, nuk kuptohet si përmbajtësore, më shumë i ngjan foljes popullore shkel e shko, sa për sy e faqe që të thuhet gjoja diçka, për t'u plotësuar mozaiku i lojës së fjalëve, e cila nuk përkatëson me seriozitetin e vërtetë si vështirësi për Kosovën. Kosova vuan nga neglizhenca Evropiane e cila është joefektive, Kosova nuk mundet të anëtarësohet nëpër organizatat botërore, i shkurtohet aktiviteti ndërkombëtar, nuk mundet të fitoj grante dhe kredi nga organizatat financiare ku jepen kredi zhvillimore me interese të lëverdishme për ekonominë kosovare”, thekson ai.
Bexheti thotë tutje se në këtë drejtim roli i diplomacisë së Shqipërisë ngec nuk ka treguar interes që në disa qarqe evropiane dhe botërore ajo të merr rolin e tutorit për t'i dalë në ndihmë Kosovës, sepse në konferenca gjerë sa diskutohet për Kosovën, aty nuk është e përfaqësuar diplomati i Kosovës që të shpalosë atribute dhe fakte reale për problemet e Kosovës.
“Me gjithë këto peripeci negative për Kosovën, Kosova nuk duhet të heqë dorë nga ndihma e Evropës. Kushtimisht ndoshta duhet të ndryshojë strategjia diplomatike, edhe të ndërrohen diplomatët në bisedime, edhe të shtrihet miqësia me disa shtete dhe me ata diplomatë të cilët kanë influencë ndërkombëtare, ashtu që ambasadat e Kosovës, të afrohen me ata diplomat që të lavdërohet Kosova në qarqet ndërkombëtare, ose të ftohen për vizitë në Kosovë. Një ndër nevojat tjera është gjetja e formave të reja të lobimit. Kosova nuk ka tjetër alternativë më se e rëndësishme është që të bashkëpunojë me Evropën, sepse Evropa është shkalla për t'u ngjitur ndërkombëtarisht. Megjithëse mendojmë se ndërkombëtarëzimi i Kosovës është i ngadalshëm, por në esencë nuk është ashtu, nëse i qasemi kronologjisë së aktiviteteve mundemi të kuptojmë se ka përparim, ngase një shtet i shkëputur nga trungu i një shteti tjetër, Kosova ka korrur sukses të madh në skenën diplomatike botërore, nuk duhet t'i anashkalojmë rrethanat të cilat i ka lënë pas Kosova”, thotë ai.
Ai thotë më tutje se, duhet t'a kuptojmë se Evropa është e përkushtuar që Serbinë t'a fut nën ombrellën e vetë, sepse është shumë me rëndësi që Serbia mos të i ikë Evropës.
“Prandaj Evropa bën kompromise dhe i mbyll sytë për veprimet e Vuçiqit. Edhe Evropa sakrifikon për t'ia falur Vuçiqin, deri sa të ndërrohet nga pushteti i Kosovës i duhet durimi deri sa të tejkalojë kriza e Ukrainës. Dhe me siguri Evropa nuk do ta lënë pa zgjidhur çështjen e Kosovës”, vlerëson Bexheti për ‘Bota sot’.