Nuk është hera e parë që liderët shtetëror në Kosovë përballen me kërcënime. Kësaj radhe, presidentja Vjosa Osmani ka qenë objekt i një kërcënimi serioz, përmes një mesazhi që ka arritur në adresë zyrtare të Presidencës.
E-maili kërcënues është dërguar më 15 prill, pikërisht në ditën kur presidentja nisi konsultimet me liderët e partive për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik.
Në mesazh përdoreshin fjalë fyese, gjuhë kërcënuese dhe aluzione për dhunë fizike.
Rasti është raportuar dhe autoritetet kompetente kanë nisur hetimet. Deri më tani nuk janë dhënë detaje shtesë për dërguesin apo për motivet e mundshme.
“Me tra nprit dekt me tlan partis dyt mundsin duhet deri tash kriminele antikushtetuese ordinere ti ha ropt tvraj”, thuhet në mesazhin e dërguar në adresë të Presidencës.
Halilaj: Kërcënimi ndaj Presidentes Osmani – Çështje serioze me pasoja ligjore dhe politike
Avokati Gazmend Halilaj, në një prëgjigje për “Bota sot”, ka thënë se Kërcënimi ndaj Presidentes Osmani përbën një akt shumë serioz ligjërisht.
Ai thotë se sipas Kodit Penal të Kosovës, ai mund të kualifikohet si kanosje ndaj personit zyrtar dhe, varësisht nga rrethanat, edhe si cenim i rendit kushtetues. Rasti kërkon hetim të shpejtë dhe trajtim të rreptë institucional.
“Ngjarja e raportuar së fundmi, ku Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, është kërcënuar me jetë përmes një mesazhi dërguar në adresë të Presidencës, është një akt jashtëzakonisht serioz që cenon jo vetëm sigurinë personale të Kryetares së Shtetit, por edhe vetë stabilitetin institucional dhe rendin kushtetues të vendit.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kërcënimi ndaj një zyrtari të lartë shtetëror, e sidomos ndaj Presidentit të Republikës, përbën një vepër penale të rëndë që mund të kualifikohet si kanosje ndaj personit zyrtar ose në rrethana të caktuara edhe si cenim i rendit kushtetues dhe sigurisë nacionale. Ky është një akt që kërkon hetim të menjëhershëm dhe pa kompromis”, thotë avokati.
Tutje ai thotë se hetimi i kërcënimit ndaj Presidentes është në kompetencë të Policisë, AKI-së dhe Prokurorisë, të cilat duhet të identifikojnë autorin, të verifikojnë burimin e mesazhit dhe të vlerësojnë rrezikun real.
Sipas avokatit, kërcënime të tilla mund të jenë pjesë e përpjekjeve për destabilizim politik, veçanërisht në kohë krizash dhe tensioni institucional.
“Hetimet në raste të tilla janë kompetencë e Policisë së Kosovës dhe të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë. Në këto rrethana, pritet identifikimi dhe arrestimi i autorëve të mundshëm, verifikimi i burimit të mesazhit, si dhe vlerësimi i rrezikut real ndaj jetës së Presidentes.
Kërcënimet e tilla ndaj figurave kyçe të shtetit shpeshherë nuk janë të izoluara, por mund të jenë pjesë e një skenari më të gjerë për destabilizim institucional, sidomos në periudha tensioni politik apo sfidash të brendshme dhe ndërkombëtare. Këto veprime synojnë frikësimin dhe nxitjen e pasigurisë në opinionin publik”, nënvizon ai.
Në fund, ai thotë se është në përgjegjësi të institucioneve hetimore të zbardhin motivin dhe personat përgjegjës.
“Në këtë fazë, çdo deklaratë mbi autorësinë do të ishte spekulative. Është detyrë e institucioneve hetimore të zbardhin motivin dhe personat përgjegjës. Megjithatë, kjo nuk e përjashton mundësinë e përfshirjes së elementëve të brendshëm ose të jashtëm me interesa për të goditur stabilitetin e shtetit.
Presidentja, si figura më e lartë shtetërore, është e mbrojtur nga njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës dhe strukturat e sigurisë shtetërore. Pas kërcënimeve të tilla, masat e sigurisë zakonisht përforcohen, përfshirë monitorimin e komunikimeve, lëvizjeve dhe kërcënimeve të mundshme të përsëritura.
Ky rast duhet të trajtohet me seriozitetin më të lartë institucional dhe me transparencë në raportim, për të garantuar qytetarët se rendi kushtetues nuk do të lëkundet nga kërcënimet, cilado qoftë forma apo burimi i tyre”, përfundon ai për “Bota sot”.
Shala: Ky rast duhet të shërbejë si alarm për forcimin urgjent të sigurisë dixhitale
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë për “Bota sot”, se rasti paraqet një sfidë serioze për sigurinë kombëtare dhe kibernetike, duke kërkuar reagim të koordinuar ndërinstitucional.
Ai thekson se kërcënimi përmes webfaqes zyrtare të Presidencës nënkupton nevojën për analizë të trafikut nga IT-ja, në bashkëpunim me Cloudflare dhe hostin.
Tutje, shton se nëse IP është vendore, duhet të kërkohen të dhëna nga ISP për identifikimin e dërguesit. Në rast përdorimi të VPN apo Tor, hetimi bëhet më kompleks dhe kërkon ndihmë nga agjencitë ndërkombëtare.
“Ky rast përbën një incident serioz të sigurisë kombëtare dhe kibernetike, duke qenë se përfshin kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Presidentes së Republikës së Kosovës, përmes një kanali zyrtar komunikimi. Një kërcënim i tillë nuk mund të trajtohet thjesht si një rast penal individual, por si një sfidë për kapacitetet e sigurisë kibernetike të institucioneve shtetërore dhe për efikasitetin e zinxhirit të reagimit institucional. Kjo e ngre rastin në një nivel të lartë urgjence dhe kërkon koordinim të plotë ndërinstitucional: IT zyrtarët, inteligjenca, policia dhe prokuroria.
Nga aspekti teknik, webfaqja në fjalë është e mbrojtur me Cloudflare, e cila ofron mbrojtje nga sulmet DDoS dhe fsheh lokacionin real të serverit. Megjithatë, Cloudflare ruan log të detajuar të trafikut, përfshirë IP-të e vizitorëve, vendndodhjen, datën, kohën dhe URL-në e saktë që është aksesuar. Në këtë rast, ekipi i IT-së së Presidencës, në bashkëpunim me Cloudflare dhe/ose hostin e webfaqes, duhet të analizojë të gjitha kërkesat HTTP që kanë ardhur në linkun e formularit të kontaktit rreth orës 21:28 më 15 maj 2025. Kjo analizë do ndihmonte në gjurmimin e IP-së së dërguesit të kërcënimit.
Nëse IP e gjurmuar rezulton të jetë nga një ofrues vendor i internetit (ISP) në Kosovë, atëherë Policia dhe Prokuroria duhet menjëherë të kërkojnë të dhëna nga ISP për atë IP në atë orë, duke identifikuar numrin e telefonit apo pajisjen që ka qenë e lidhur me atë IP. Këtu hyjnë në lojë edhe sfidat ligjore dhe administrative: ISP-të duhet të mbajnë log për një periudhë të caktuar kohore dhe të bashkëpunojnë në kohë me autoritetet. Nëse kërcënimi është bërë përmes VPN ose Tor, hetimi komplikohet dhe kërkon përfshirjen e agjencive të specializuara dhe ndoshta edhe mbështetje ndërkombëtare”, shprehet eksperti.
Shala thotë se edhe përdorimi i platformave të jashtme për dërgimin e mesazheve nga formularët e kontaktit paraqet rrezik serioz për sigurinë kibernetike, pasi mundëson manipulime dhe vështirëson gjurmimin.
Sipas tij, mungesa e standardeve të mbrojtjes, si SMTP i sigurt dhe CAPTCHA, tregon dobësi në infrastrukturën IT shtetërore. Ky rast duhet të shërbejë si alarm për forcimin urgjent të sigurisë dixhitale dhe krijimin e ekipeve të përhershme të reagimit ndaj incidenteve në të gjitha institucionet kyçe.
“Një problem shtesë serioz është përdorimi i shërbimeve të palëve të treta për të dërguar mesazhet nga forma e kontaktit. Nëse forma e kontaktit e Presidencës nuk dërgon email drejtpërdrejt nga serveri shtetëror (p.sh., duke përdorur një SMTP të sigurt të hostuar nga AKSHI ose një tjetër agjenci e besuar shtetërore), por nga një platformë private apo jo e kontrolluar nga shteti, kjo hap derën për manipulim, ndërhyrje, apo edhe mungesë të gjurmës dixhitale. Kjo tregon një mungesë të standardeve të sigurisë kibernetike në infrastrukturën e IT të institucioneve të larta shtetërore.
Pra si përfundim, ky incident duhet të shërbejë si një thirrje alarmi për ngritjen e kapaciteteve të sigurisë kibernetike në institucionet e larta shtetërore. Formularët e kontaktit duhet të jenë të mbrojtur me CAPTCHA, me logime të avancuara, dhe të dërgojnë të dhënat përmes rrjeteve të sigurt dhe protokolleve shtetërore. Po ashtu, duhet të krijohen ekipe të përhershme të reagimit ndaj incidenteve (CERT) brenda çdo institucioni strategjik, përfshirë Presidencën, Kuvendin, Kryeministrinë dhe agjencitë e inteligjencës”, - përmbylli Shala për gazetën.