Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar lartë rolin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në diplomacinë ndërkombëtare, veçanërisht në një periudhë kur marrëdhëniet me partnerët kryesorë perëndimorë janë tensionuar.
Sipas Shalës, Presidentja Osmani po perceptohet gjithnjë e më shumë si figura më e pranueshme dhe më konsistente për bashkësinë ndërkombëtare ,veçanërisht për shtetet e Quint-it dhe Bashkimin Evropian – në kontrast me qasjen më të ashpër të Qeverisë Kurti.
“Vjosa Osmani po perceptohet gjithnjë e më shumë si institucioni më i pranueshëm dhe më konsistent për bashkësinë ndërkombëtare – veçanërisht për shtetet e Quint-it dhe BE-së – në kontrast me qasjen më konfrontuese të Qeverisë Kurti. Ajo është kujdesur të ruajë gjuhën diplomatike, të theksojë partneritetin me SHBA-në dhe BE-në, dhe të mos ndërmarrë hapa që mund të interpretohen si refuzim i koordinimit", u shpreh Shala.
Eksperti vlerëson gjithashtu angazhimin aktiv të Presidentes në forume ndërkombëtare, samite dhe takime me liderë botërorë, si një formë e ndërtimit të “soft power”-it të Kosovës.
“Gjatë muajve të fundit, e sidomos në ditët e fundit, ajo ka marrë pjesë në disa forume dhe takime që kanë synuar forcimin e profilit të Kosovës si shtet demokratik, euroatlantik dhe i përkushtuar ndaj vlerave perëndimore. Kjo përfshin takime me krerë shtetesh, përfaqësues të NATO-s dhe BE-së, dhe pjesëmarrje në samite për çështje të sigurisë dhe barazisë gjinore – duke e përdorur figurën e saj për të ndërtuar ‘soft power’”, deklaroi Shala.
Në një kohë kur marrëdhëniet e Qeverisë Kurti me SHBA-në dhe BE-në janë tensionuar për shkak të zhvillimeve në veri të vendit, Shala thekson se Osmani po luan rolin e balancueses.
“Në një klimë ku raportet e Qeverisë Kurti me SHBA-në dhe BE-në janë përkeqësuar për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës dhe mospërputhjes me kërkesat ndërkombëtare për de-përshkallëzim, Presidentja Osmani duket se përpiqet të luajë rolin e balancueses – shpesh duke qenë një derë kontakti dhe komunikimi e preferuar nga diplomatët perëndimorë. Kjo e bën atë një ‘institutional buffer’ për të ruajtur një minimum stabiliteti diplomatik”, tha ai.
Shala shton se Presidentja Osmani përfaqëson një kanal të rëndësishëm komunikimi me partnerët ndërkombëtarë, duke ruajtur një qasje të qëndrueshme euroatlantike dhe neutralitet institucional në politikën e brendshme.
“Ajo ofron një kanal më të lehtë komunikimi me Perëndimin, mbështet qasjen euroatlantike dhe ruan një pozicion institucional më neutral në raport me debatet politike të brendshme. Nëse kriza institucionale përkeqësohet, mund të rritet presioni mbi të për të ndërmarrë qëndrime më të forta që mund të kompromentojnë pozitën e saj neutrale dhe institucionale. Për më tepër, mbështetja e saj mund të interpretohet nga opozita si legjitimim i Qeverisë në krizë”.
“Pra po, aktualisht Vjosa Osmani po shfaqet si pika më stabile dhe e besueshme për bashkëpunimin ndërkombëtar, duke qenë një figurë që po e mban gjallë lidhjen e Kosovës me Perëndimin, në një periudhë kur kjo lidhje është më e brishtë. Megjithatë, kjo situatë nuk është pa rrezik – sepse ekspozimi i lartë në skenën ndërkombëtare mund të kthehet në përgjegjësi politike nëse nuk përkthehet në rezultate konkrete për Kosovën, si anëtarësimi në organizata ndërkombëtare apo përmirësimi i imazhit”, përfundon eksperti Drizan Shala për “Bota sot”.
Kujtojmë se Presidentja Vjosa Osmani aktualisht po qëndron për një vizitë zyrtare në shtetin zviceran, ku është pritur me nderime të larta nga autoritetet helvete, si dhe nga diaspora shqiptare që jeton dhe vepron në Zvicër.