Mandati pesëvjeçar i presidentes aktuale, Vjosa Osmani përfundon më 7 prill të vitit 2026.
E vet Osmani ka thënë se vendimin për të garuar apo jo edhe për një mandat tjetër do ta marrë “vetëm duke pasur parasysh interesin” e Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Nga viti i ardhshëm do të diskutojmë për këtë çështje. Gjatë gjithë karrierës sime politike, kam punuar gjithmonë duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Asnjëherë, asnjë vendim imi politik nuk është bazuar në kalkulime për atë se ku do të jem unë, por vetëm se ku do të jetë Kosova dhe qytetarët e saj.” – tha ditë më parë Presidentja, Vjosa Osmani.
Por një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti dhe profesori i njohur, Enver Bytyçi, ka vlerësuar lart angazhimin dhe rolin e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, Osmani përfaqëson një vijimësi të denjë të politikës së presidentit historik Ibrahim Rugova dhe ka arritur të krijojë raporte solide me aleatët strategjikë të Kosovës.
“Presidentja Vjosa Osmani ka dëshmuar se është e gatshme të përballojë sulme personale vetëm për të mos hyrë në konflikte me diplomatët apo përfaqësuesit e aleatëve të Kosovës. Ajo di të thotë ‘JO’, gjithmonë në modelin e Rugovës – me qetësi, dinjitet dhe pa krijuar përplasje me miqtë tanë”, ka deklaruar Bytyçi.
Ai theksoi se në marrëdhëniet me ndërkombëtarët, që nga Uashingtoni e deri në Ankara dhe vendet arabe, Osmani tregon shkathësi dhe aftësi të lartë diplomatike për të ruajtur interesat e Kosovës pa cenuar aleancat strategjike.
“Në këto vite, ajo ka treguar se di të lëshojë diçka të vogël për të mbrojtur diçka më të madhe. Ajo i shmang konfliktet direkte me aleatët dhe punon për të ruajtur balancat në një kohë të ndjeshme për shtetin e Kosovës,” shtoi Bytyçi.
Profesori vlerësoi se Vjosa Osmani ka ardhur në detyrë në një kohë historike për vendin dhe se Kosovës i nevojiten pikërisht lidere të këtij formati. Ai shprehu bindjen se ajo meriton një mandat të dytë në krye të shtetit.
“Është momenti kur pavarësia dhe shtetësia e Kosovës duhet të konsolidohen. Nevojitet maturi, zgjuarsi dhe dije politike perëndimore. Prandaj them me bindje se Kosova është me fat që ka në krye një presidente si Vjosa Osmani”, u shpreh ai.
Bytyçi theksoi se pjesëmarrja e saj në vizita dhe forume ndërkombëtare është më e madhe se qëndrimi në vend, dhe kudo ku shkon pritet me respekt dhe nderime të veçanta.
“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në Tiranë i tha: ‘Ti je presidentja ime e preferuar!’ Kjo tregon qartë ndikimin që ajo ka ndërtuar në politikën ndërkombëtare”, u shpreh Bytyçi.
Ai veçoi dy vizitat e fundit të saj – në Zvicër dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – si veçanërisht të rëndësishme për afirmimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.
“Në Bernë, Osmani u prit me nderime të rralla nga homologja e saj zvicerane. Vizita ishte e një niveli të lartë, jo vetëm për marrëdhëniet me Zvicrën, por për shkak të peshës që ky shtet ka në arenën ndërkombëtare. Nga aty ajo udhëtoi për në SHBA, ku mori pjesë në samitin e NATO-s në Dayton – një tjetër hap i rëndësishëm në forcimin e pozicionit të Kosovës.”
Sipas tij, aktiviteti ndërkombëtar i presidentes Osmani është i një niveli superior dhe ndihmon në balancimin e imazhit të Kosovës përballë kritikave të shumta që qeveria Kurti ka marrë nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm.
“Ky destruktivitet, që nis në Beograd dhe përfundon në Tiranë, gjen kundërpeshë në angazhimin dhe qasjen e Vjosa Osmanit. Ajo mbron me dinjitet dhe pasion interesat e vendit të saj,” përfundoi Bytyçi.